
Partia Popullore Evropiane (PPE), ka miratuar një rezolutë të jashtëzakonshme të titulluar “Integriteti Zgjedhor në Shqipëri”, me propozimin e Partisë Demokratike.

PPE shpreh shqetësim për situatën politike në vend, ndërsa Shqipëria është vetëm dy javë larg zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Të mbështetur në raportet e OSBE/ODIHR për zgjedhjet e fundit, vlerësimet nga Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2023 nga Transparency International, Indeksi i Projektit Botëror të Drejtësisë për vitin 2024 dhe dhe raportin e DASH për të drejtat e njeriut, në rezolutë thuhet se PPE vëren një përkeqësim alarmues të standardeve demokratike në Shqipëri.
Rezoluta evidenton një sërë shkeljesh të përsëritura që, sipas PPE-së, minojnë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Raportet e lartpërmendura kanë evidentuar shkelje serioze, përfshirë keqpërdorimin e burimeve shtetërore, blerjen e votës, shkeljen e fshehtësisë dhe lirisë së votës, si dhe njëanshmërinë mediatike. Vëzhgimet më të fundit dhe burimet e sipërpërmendura përmblidhen në përfundime të qarta: se zgjedhjet po minohen nga manipulimi dhe abuzimi me pushtetin; se pluralizmi politik po shtypet përmes presionit institucional; dhe se sundimi i ligjit nuk po garantohet për shkak të kapjes së sistemit gjyqësor dhe pandëshkueshmërisë”, thuhet në rezolutë.
Sipas rezolutës, PPE është veçanërisht e shqetësuar për moszbatimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, abuzimin sistematik me burimet shtetërore dhe ndikimin politik në institucionet publike. Raportet vënë në dukje mungesën e ndëshkimeve për shkelje zgjedhore dhe pengimin e pluralizmit politik.
“PPE shpreh shqetësimin për veprimet e vazhdueshme ligjore dhe presionin ndaj liderëve të opozitës, deputetëve dhe kryetarëve të bashkive”, thuhet në rezolutë.
PPE u bën thirrje Bashkimit Europian, OSBE-së, Këshillit të Europës dhe institucioneve ndërkombëtare demokratike që t’i kërkojnë autoriteteve shqiptare të:
• Ndërpresin çdo formë të pretenduar të keqpërdorimit të pushtetit shtetëror, blerjes së votës, frikësimit të votuesve dhe manipulimit elektoral;
• Sigurojnë që zyrat përkatëse të prokurorisë të hetojnë në mënyrë të plotë dhe të shpejtë, para zgjedhjeve, të gjitha akuzat për krime të lidhura me procesin zgjedhor, të çojnë autorët para drejtësisë dhe të vendosin një standard të qartë të hetimit dhe ndëshkimit;
• Garantojnë akses të barabartë në media për të gjithë aktorët politikë dhe të ruajnë mbikëqyrjen e pavarur të procesit zgjedhor.
Gjithashtu, PPE paralajmëron se vijimi i shkeljeve mund të ndikojë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“PPE gjithashtu i bën thirrje institucioneve evropiane, OSBE/ODIHR-it dhe Këshillit të Europës që të zbatojnë mekanizmat e kushtëzimit në procesin e anëtarësimit në BE, nëse shkeljet vazhdojnë”, thuhet më tej.
Reagon Rama
Kryeministri Edi Rama ka ironizuar rezolutën e propozuar nga Partia Demokratike, në kongresin e PPE në Valencia, duke e konsideruar atë si një fletë rrufe.

Me anë të një postimi në platformën sociale X, Rama thotë se “alibia e humbjes së PD ka nisur në gjirin e PPE”.
Sipas kryeministrit teksti i rezolutës “tregon se iluzioni i ëmbël i Latif magjistarit, po ia le vendin ndjesisë së hidhur të humbjes madhështore të 11 majit”
“Alibia e humbjes paska filluar në gjirin e PPE, ku salla bosh e partive simotra paska votuar unanimisht fletë-rrufenë e Kënetës Madhështore për humbjen e lirisë së zgjedhjeve. Një tekst kua-kua-kuash që tregon se iluzioni i ëmbël i Latif magjistarit, po ia le vendin ndjesisë së hidhur të humbjes madhështore të 11 majit”, shkruan Rama.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/