
Deputetja e Partisë Socialiste dhe njëkohësisht kandidate në listën e hapur për Tiranën në zgjedhjet e 11 majit, Klotilda Bushka, ka komentuar situatën politike dhe atmosferën e fushatës elektorale në kryeqytet, në mungesë të kryebashkiakut Erion Veliaj, aktualisht i arrestuar.
E ftuar në studion e News24, Bushka theksoi se ndikimi i Veliajt është ende i ndjeshëm në qytet, pavarërisht se ajo vetë ndjen mungesën e tij si mik.

“Erioni mua patjetër më mungon personalisht, si mik, si shok partie, si mbështetës – jo vetëm i imi, por i gjithë deputetëve të Tiranës. Gjithmonë kemi ndjerë mbështetjen e tij dhe të bashkisë. Por Erioni nuk mungon, ai është kudo: në çdo shkollë, kopsht, çerdhe të rikonstruktuar, në çdo komunitet ku ka qenë prezent,” deklaroi Bushka.
Ajo tha se, ndonëse shpreson për sqarimin sa më të shpejtë të çështjeve ligjore që rëndojnë mbi Veliajn, ekipi i PS në Tiranë vazhdon i angazhuar në terren.
“Unë pres të sqarohen çështjet dhe ai të jetë aktiv gjithashtu, por fushata ecën dhe ekipi ynë është i angazhuar. Pavarësisht ndjesive personale të mungesës së një bashkëpunëtori partie, ndihet prezenca me punët që ai ka bërë në Tiranë dhe qytetarët e vlerësojnë mundin dhe rezultatin e bashkisë në drejtimin e tij”, theksoi Bushka, duke nënvizuar se PS është e fokusuar në përmbushjen e objektivave për mandatin e ardhshëm.
Bushka tha se, pavarësisht klimës së tensionuar të fushatës, Partia Socialiste mbetet e bashkuar dhe e fokusuar për të dhënë më të mirën në garë, duke e konsideruar opozitën si kundërshtarin kryesor.
“Kam besim te një votë e rëndësishme nga qytetarët e Tiranës, përfshirë edhe votën e diasporës. Synimi ynë është të arrijmë 20 mandate në Tiranë,” u shpreh ajo.
Deputetja theksoi se brenda radhëve të PS ka një konkurrencë, e cila shërben për të rritur përkushtimin dhe energjinë në fushatë. “Kjo garë ka dhe një tension midis nesh, por të gjithë janë duke bërë më të mirën për trëndafilin, për Partinë Socialiste,” shtoi Bushka.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/