
Pas publikimit të pamjeve të incidentit të dhunshëm gjatë një takimi elektoral në Ostren, ka reaguar sërish deputeti i PD-së Xhelal Mziu.
Mziu shprehet se pamjet tregojnë qartë se në konflikt nuk është përfshirë ai. Sipas Mziut, në pamje shfaqet Jeton Dani, babai i Murat Danit, kandidat i PS për deputet në qarkun Dibër, i cili shkon dhe godet kryetarin e PD-së në Bulqizë, Shaqir Manjanin.
“Në një video që Policia ka shpërndarë në media, duket qartë dhuna barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste Murat Dani, ushtron ndaj kreut të PD-së Bulqizë, Shaqir Manjanit, dhe më pas, me zyrtarë të tjerë socialistë, vijojnë ta dhunojnë, ku barbarizmi i tyre nuk ka kursyer as kreun e FRPD-së“, thotë Mziu.
“Sqaroj mediat dhe qytetarët se në atë video as nuk jam, e as nuk është episodi për të cilin fabrikon akuza Policia e Rilindjes, por është dhuna barbare e Jeton Danit, babait të kandidatit, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, për të cilën Policia e Shtetit refuzoi të pranonte denoncimin!”, nënvizon Mziu.
Gjithashtu Mziu ka apeluar SPAK “të marrë menjëherë masa për ndalimin e dhunuesve, vendosjen e tyre përpara ligjit, bashkë me autorët e manipulimit të provave për përfitime politike!”
Reagimi i plotë:
Vijojnë sulmet dhe përdorimi politik i Policisë së Shtetit me shpërndarjen dhe manipulimin e opinionit publik, duke deformuar ngjarjen kriminale të dhunimit të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Në një video që Policia ka shpërndarë në media, duket qartë dhuna barbare që Jeton Dani, babai i kandidatit për deputet të Partisë Socialiste Murat Dani, ushtron ndaj kreut të PD-së Bulqizë, Shaqir Manjanit, dhe më pas, me zyrtarë të tjerë socialistë, vijojnë ta dhunojnë, ku barbarizmi i tyre nuk ka kursyer as kreun e FRPD-së.
Kjo është një provë e pastër për Policinë e Shtetit dhe për SPAK, e cila, në vend që të përdoret për të vënë në pranga dhunuesit e kreut të PD-së Shaqir Manjani, shpërndahet për opinionin publik sikur protagonisti jam unë!
Sqaroj mediat dhe qytetarët se në atë video as nuk jam, e as nuk është episodi për të cilin fabrikon akuza Policia e Rilindjes, por është dhuna barbare e Jeton Danit, babait të kandidatit, ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, për të cilën Policia e Shtetit refuzoi të pranonte denoncimin!
Apeloj mediat të bëjnë saktësimin e nevojshëm dhe të mos përdoren nga fabrikimet kriminale të Rilindjes! Apeloj SPAK-un që të marrë menjëherë masa për ndalimin e dhunuesve, vendosjen e tyre përpara ligjit, bashkë me autorët e manipulimit të provave për përfitime politike!
Edhe njëherë garantoj qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë qarkut të Dibrës se këto manipulime të Partisë Socialiste dhe Policisë së Shtetit nuk do të na trembin e as nuk do të na ndalin drejt fitores së sigurt më 11 maj!
Kandidati i PD-së për deputet, Përparim Spahiu ka publikuar pamjet e përplasjes në Ostren të Bulqizës gjatë një takimi elektoral.
Ai ka deklaruar se babai i kandidatit të PS-së ka dhunuar kryetarin e PD-së në degën Bulqizë, Shaqir Manjani.
“Shfaqjet e dhunës në Ostren nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën se si duhet bërë fushatë, jo vetëm aty, por kudo”, shkruan Spahiu duke kërkuar nga SPAK të hetojë ngjarjen.
“I bëj thirrje SPAK të veprojnë shpejt dhe drejt, si një mesazh i qartë se hetimi dhe gjykimi i ngjarjeve të tilla bëhet vetëm prej tyre, dhe jo nga unë, rrjetet sociale apo mediat”, theksoi demokrati.
Ai shtoi se “Partia Demokratike dhe unë do të dalim fitues në Bulqizë, me votën dhe mbështetjen e qytetarëve që duan ndryshim dhe dinjitet”.
Postimi i plotë:
Babi i kandidatit të PS në Bulqizë ka dhënë shembullin më të keq dhe më të papranueshëm për djalin e tij me aktin e dhunimit të kryetarit të Partisë Demokratike, Shaqir Manjani.
Shfaqjet e dhunës në Ostren nuk kanë asnjë lidhje me mënyrën se si duhet bërë fushatë, jo vetëm aty, por kudo.
Në asnjë rast apo rrethanë nuk do t’i lejoja vetes kredo politike nëpërmjet dhunës. Nuk e kam bërë asnjëherë në 12 vite angazhim politik.
Shaqir Manjani, përveçse është kryetar i partisë që drejton fushatën time, me profesion është avokat dhe ka zgjedhur mënyrën më të mirë, dhe të vetmen që duhet ndjekur: denoncimin në organet ligjzbatuese.
I bëj thirrje SPAK të veprojnë shpejt dhe drejt, si një mesazh i qartë se hetimi dhe gjykimi i ngjarjeve të tilla bëhet vetëm prej tyre, dhe jo nga unë, rrjetet sociale apo mediat.
Partia Demokratike dhe unë do të dalim fitues në Bulqizë, me votën dhe mbështetjen e qytetarëve që duan ndryshim dhe dinjitet. Fitorja jonë është e sigurt sepse është ndërtuar mbi punë, respekt dhe besim.
PD apel SPAK-ut
Belind Këlliçi akuzon socialistët në qarkun e Dibrës se po tentojnë të përgjakin fushatën elektorale. Në një deklaratë për mediat, teksa komentoi incidentin ku drejtuesi politik në Dibër, Xhelal Mziu dhe nipi i tij u akuzuan se dhunuan një zyrtar lokal, Këlliçi thotë se “Jeton Dani, babai i kandidatit të Partisë Socialiste Murat Dani, së bashku me disa mbështetës të tij, sëbashku me disa vrasës si dhe mercenarë në Policinë e Bulqizës, kanë ushtruar ndaj kreut të degës së Partisë Demokratike Bulqizë, Shaqir Manjani dhe kryetarit të Forumit Rinor në Bulqizë, Klajdi Patria”.
Po ashtu Këlliçi akuzon Drejtuesin Politik të Qarkut Dibër, Blendi Klosi, se ka kërcënuar diasporën me patronazhistët.
“Pamjet e bëra publike tregojnë qartë se kush janë agresorët dhe ata që po tentojnë të përgjakin fushatën elektorale në Qarkun Dibër, teksa konflikti ka agravuar në përplasje të dhunshme mes palëve dhe Policia e Bulqizës në vend që të dërgojë në SPAK Jeton Danin, me urdhër politik kallëzon Drejtuesin Politik të PD Xhelal Mziun”, shprehet Këlliçi.
Deklarata e anëtarit të kryesisë së PD, Belind Këlliçi:
Të nderuar qytetarë,
Në Dibër po tentohet të implementohet me dhunë Manuali 184/2. Është momenti që SPAK të dëshmojë se nuk është peng dhe as Çyryk!
Vetëm pak ditë pasi Drejtuesi Politik i Qarkut Dibër, Blendi Klosi, kërcënonte diasporën se patronazhistët e tij do e merrnin vesh me çdo mjet se për kë do votonin, Partia Socialiste në Dibër, duke ndjerë humbjen e thellë më 11 Maj, nuk po i ndal tentativat e dhunës dhe përpjekjen e saj për të ushtruar terror ndaj demokratëve dhe qytetarëve të qarkut Dibër.
Partia Demokratike dënon me ashpërsinë më të madhe dhunën fizike të paprecedentë që, Jeton Dani, babai i kandidatit të Partisë Socialiste Murat Dani, së bashku me disa mbështetës të tij, sëbashku me disa vrasës si dhe mercenarë në Policinë e Bulqizës, kanë ushtruar ndaj kreut të degës së Partisë Demokratike Bulqizë, Shaqir Manjani dhe kryetarit të Forumit Rinor në Bulqizë, Klajdi Patria, të dy politikanë model në zonë, shembull të qytetarisë dhe integritetit.
Pamjet e bëra publike tregojnë qartë se kush janë agresorët dhe ata që po tentojnë të përgjakin fushatën elektorale në Qarkun Dibër, teksa konflikti ka agravuar në përplasje të dhunshme mes palëve dhe Policia e Bulqizës në vend që të dërgojë në SPAK Jeton Danin, me urdhër politik kallëzon Drejtuesin Politik të PD Xhelal Mziun.
Drejtuesi Politik në Qarkun Dibër, Deputeti Xhelal Mziu, ka njoftuar strukturat e rendit se po provokohen në takime elektorale nga zyrtarë të administratës, por urdhri i drejtuesve të Policisë Dibër mesa duket ka qenë i qartë të zbatohet platforma Edi Ramës “hëngshin kokat e njëri-tjetrit”.
Eksponentët e Partisë Socialiste të cilët kanë marrë leje për miniera në Bulqizën e Mjerimit, të mbështetur nga segmente të Policisë së Dibrës që është peng i SKY EÇ dhe kanabisit, me këto akte agresioni duan të na trembin, por i kanë bërë llogaritë gabim dhe u bëj apel të mos të tentojnë të përgjakin Dibrën për llogari të kreut të narkoshtetit, Edi Ramës.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit dhe strukturës së SPAK që drejtohet nga dibrani Altin Dumani, të mos qëndrojë indiferentë përballë platformës 184/2 që po tentohet të implementohet në Dibër.
Nëse Altin Dumani nuk e di se cili ka qenë fati i dosjes 184, e sigurojmë se pa asnjë diskutim do ta mësojë se cili do të jetë fati i dosjes 184/2 që po tentohet të implementohet në Dibër dhe mbarë veriun e vendit.
Struktura e patronazhistëve në Dibër, nuk po i ndal presionet dhe kërcënimet ndaj administratës duke u kërkuar të sigurojnë vota si dhe po u bëhet presion për familjarët e tyre në Diasporë.
Task Forca e SPAK duhet të japë shpjegime urgjentisht se ku janë me hetimin e krimit zgjedhor në Qarkun Dibër, një zonë me risk të lartë për krim elektoral.
I bëj thirrje SPAK të hetojë aferat me prona publike që Festa Mjeshtri, Kryetarja në dorën e këtyre kriminelëve, i ka dhënë si shpërblim për mbështetjen kriminale zgjedhore në zgjedhjen e saj si kryetare.
I bëjmë thirrje demokratëve të Dibrës të mos tremben dhe të mos intimidohen nga këta kriminelë me uniformë shteti se përgjigjen do ta marrin në bazë të ligjit, në raport të drejtë me aktet e rënda që po kryejnë.
Këta kriminelë elektoralë po tentojnë të përgjakin Dibrën, por ne do ti mbrojmë qytetarët e Dibrës nga këto banda.
U bëj thirrje socialistëve të ndershëm të Dibrës, të mos bëhen kurbanë elektoralë të Blendi Klosit dhe Edi Ramës, njeriun që përçmon Dibrën dhe mbarë Shqipërinë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/