
Kryeministri Edi Rama ishte paraditen e sotme në rrugën e re Shëngjin-Velipojë, në një takim me përfaqësuesit e bizneseve, ku deklaroi se “përfundimi i kësaj rruge të re është moment lehtësimi sepse me këtë rrugë i zbulojmë shqiptarëve dhe turistëve një pjesëz të magjishme Shqipërie që deri dje ishte e paaksesueshme”.
“Fuqizojmë mbështetjen e ekonomisë vendore të Lezhës e Shkodrës me këtë rrugë. Unë jam shumë optimist për stokun e projekteve të reja të sipërmarrjes në Lezhë e Shkodër, por edhe të shumëkujt tjetër, sepse janë projekte të një gjenerate tjetër në të gjitha drejtimet. Kemi mbledhur një rrjet unikal arkitektësh, të cilët do të jenë pjesë e bienales së arkitekturës në Venecia”, tha Rama.
“Synoni maksimumin e cilësisë. Ne do të jemi shumë mbështetës, por edhe shumë rigorozë për këto hapësira të reja. Kemi gabuar në zhvillimin e bregdetit tonë në të shkuarën, pa llogaritur edhe furitë e ndërtimeve absurde, të bëra në fillimet e tranzicionit. Por, duke përfituar nga eksperienca jonë, por edhe atyre që kemi tërhequr në vallen tonë të europianizimit të Shqipërisë.
Kjo është një nga zonat më të bukura të Europës, meriton një zhvillim me standardet më të larta të Europës. Nevoja për të rritur kapacitetin e furnizimit me energji është shumë e madhe dhe projekti për nënstacionin e ri në Shëngjin është gati dhe do të nisë nga ndërtimi.
Kemi edhe projektin e fuqizimit të rrjetit në alpe, që do të prekë të gjitha pikat. Kështu që, plani është që këto nënstacione të mbështesin nevojat për shumë vite, duke pasur parasysh edhe investimet e rej.
Kemi dhe projektin e lidhjes së zonës së Tales me bregdetin përmes rrugëve të brendshme. Kemi dhe bypass-in e Shëngjinit”, theksoi më tej kryeministri.
Kryesocialisti Edi Rama, gjatë takimit me përfaqësuesit e bizneseve në Shëngjin e Velipojë, komentoi edhe kritikat se ka bërë më shumë investime në jug sesa në veri. Rama përmendi investimet që janë bërë në veri, që kanë tërhequr një bum të madh turistik. Sipas kryesocialistit, e ardhmja do të jetë ekonomia e maleve, që me investimet e reja, do të sjellë edhe më shumë turistë.
“E kam vërtetë bezdi kur më thonë ça veriu e latë e jugun investoni. Po të shikoni se çfarë kemi bërë ne investime në zonën e veriut, e kupton se pse ka zhvillim turizmi dhe ekonomia në veri. Po ta filloj nga rruga e Valbonës dhe ta marr nga Bajram Curri, kur kemi marrë ne detyrën Bajram Curri ishte ça të të them, unë thosha se cila mund të jetë arsyeja që njeriu të rrijë këtu një minutë dhe jo më të jetojë këtu. Sot rruga rruga e Valbonës ka gjeneruar gjithë atë turizëm, Bajram Curri është bërë qytet i vizitueshëm dhe i pëlqyeshëm. Rruga e Vermoshit, gjithë ajo rrugë nuk ekzistonte. Tamarën që ishte një vend ku vetëm plehra dhe qen dhe disa njerëz që mbijetonin. E bëmë pikë turistike që e vizitojnë të gjithë. Rruga e Dukagjinit. Shkodër dhe Velipojë nuk ishte.
Vazhdojmë me pjesën e zonës nga vijnë këta udhëheqësit e vërtetë të gjithë veriut nga Puka. Do ta prekim. Puka vetë. Po të rri në qark. Se mund të shtyhem edhe më tutje që të të flas për qarkun e Dibrës, por pjesa tjetër që do të lidhë Rrëshenin me zonën pas, rruga e Lurës dhe e Arbrit. Është bërë një infrastrukturë sikur ka hapur qarkullimin e gjakut dhe ka dhënë gjithë energjinë në veri. Nuk ka një vend në këtë pjesë të Shqipërisë që të ndërtosh një agroturizëm dhe të mos ketë njeri se si të vijë. E dini shprehjen time, s’keni parë gjë akoma. Bregdeti është bregdet, por miniera e arit shqiptar të turizmit është çfarë ka matanë bregdetit dhe fillon nga kjo zonë deri në malet në jug. Malet tona janë mrekulli se tjetër është mal në një shtet pa det dhe tjetër male me detin afër. Kanë filluar të huajt t’i zbulojnë por kur të fillojnë investimet me pesë yje nëpër male aty do të flasim. Do të flasim se çfarë do të jetë ekonomia e maleve. Nuk e ekzagjeroj fare Zvicër e Austri. Kjo do t’i përkasë dekadës tjetër kur të jemi edhe në BE. Kjo është e ardhmja.”, u shpreh Rama.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/