
Presidenti Bajram Begaj ka reaguar pas lajmit të trishtë të ardhur këtë mëngjes të 21 prillit, ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Papa Françesku ka mbyllur sytë përgjithmonë në moshën 88-vjeçare, një ditë pasi u shfaq para besimtarëve në Sheshin Shën Pjetër.
“Shenjtëria e tij, Papa Françesku, sot u ngjit në qiell pranë Atit, për të çuar në qiell atë që la trashëgimi në tokë, dhembshurinë, dashurinë dhe përkushtimin ndaj çdo njeriu, çdo besimtari e çdo feje. Do të ruaj thellë në kujtesën time takimet tona. I bashkohem lutjeve të të gjithë besimtarëve shqiptarë që shpirti i tij të prehet në paqe!”, – shkruan Presidenti Begaj.

Edi Rama dhe Papa Francesku
Kryeministri dhe njëherësh dhe kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka ndërprerë takimin me gratë dhe vajzat socialiste në Kavajë. Kjo ndërprerje ka ardhur pas lajmit të trishtë për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut.
Gjatë fjalës së tij, Rama i trishtuar për këtë lajm ka risjellë vizitën që Papa Françesku bëri në vitin 2014 në vendin tonë. Për kryeministrit, por jo vetëm, ai ishte një Papë ndryshe nga të tjerët
“Më çonte vazhdimisht mesazhe. Më vjen keq. Ai zgjodhi ta vizitonte Shqipërinë të parin vend jashtë Vatikanit që vizitoi pasi u zgjodh Papë.
Pas një takimi që patëm së bashku, një takim të paharueshëm. Në Shqipëri kaloi një ditë që ai e konsideronte të paharrueshme. Shqipëria nuk ka harmoni fetare, por ka vëllazëri fetare. Ishte një Papë ndryshe nga të tjerët dhe besoj që kam mirëkuptimin tuaj ta nderoj me një minutë heshtje dhe ta mbyllim këtu takimin”, tha Rama.
Pak pas mbylljes së takimit në Kavajë, kreu i qeverisë ka ardhur dhe me një postim në rrjetet sociale.
“Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë”, shkruan Rama.
Një reagim ka ardhur dhe nga Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Nga qelia burgu ka shprehur pikëllimin e madh për këtë lajm të hidhur.
“Thellësisht i pikëlluar nga lajmi për ndarjen nga jeta të Shenjtërisë së Tij, Papa Françesku, i cili do të kujtohet përherë me mirënjohje pёr udhëheqjen vizionare të Kishës Katolike dhe tё njerëzimit nё rrugën e paqes, dashurisë, solidaritetit, humanizmit, bashkëpunimit, dialogut dhe vëllazërimit.
Përherë falenderues për vëmendjen e veçantë, ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer, që Shenjtëria e Tij i dha kombit shqiptar në momentet të vështira, si dhe në kapërcimin e sfidave shpirtërore, sociale e ekonomike.
I paharruar do të mbeten për mua takimi dhe bashkëbisedimi me Shenjtërinë e Tij.
Të paharruara do të mbeten mesazhet e vyera dhe frymëzuese të Papa Françeskut për popullin dhe në veçanti për rininë e mrekullueshme gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri: “Shqiponjat nuk e harrojnë folenë, por fluturojnë lart. Ju lutem mbajini ata në Atdheun e tyre dhe Shqipëria të shpëtojë nga dimri demografik. Duhet bërë gjithçka për të shtuar shpresën për rininë tonë, sepse ku ka rini, ka shpresë”.
U përcjell ngushëllimet më të sinqerta Selisë së Shenjtë dhe mbarë besimtarëve katolikë. Të prehet në paqen e merituar!’’

Edhe kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi ka shprehur ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të Kreut të Selisë së Shenjtë, Papa Françesku.
Në mesazhin ngushëllues, Baba Mondi thotë se “bota humbi sot Liderin e madh botëror të kohës, flamurtarin e Paqes dhe dashurisë”, si dhe tregoi se Papa e deshi shume kombin tone, “kombin martir te zotit”.

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali gjtihashtu përmes një postimi ku ka ndarë dhe një fotografi familjare me Papën nga Vatikani, shkruan se ‘’Mëngjesin e së Hënës së Engjëllit, përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut.’’

Reagimi i plotë:
Mëngjesin e së Hënës së Engjëllit, përfundoi rrugëtimi tokësor i Papa Françeskut.
Jeta e këtij dishepulli të Jezu Krishtit, iu kushtua shërbimit të Zotit, të Kishës, besimtarëve, njerëzve, bashkëjetesës dhe drejtësisë shoqërore.
Ati i Shenjtë ishte mbrojtës i fuqishëm i më të varfërve, më të dobtëve dhe më të margjinalizuarve, të cilëve u kushtoi gjithë jetën dhe dashurinë e Tij.
Shqipëria dhe shqiptarët kishin një vend të veçantë në zemrën e madhe të Papa Françeskut, të cilën e shfaqi edhe gjatë vizitës në vendin tonë, në 21 shtator 2014, vizita e Tij e parë në një vend europian nga fillimi i Papnisë.
Takimi me Atin e Shenjtë në tetor të vitit 2024 do të mbetet ndër kujtimet më të bukura të jetës sime. U Prehtë në Paqen e Zotit.”
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar pas lajmit të hidhur për ndarjen nga jeta të Papa Franceskut. Ai ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për Kishën Katolike dhe besimtarët shqiptarë, duke e cilësuar Papa Franceskun si një udhëheqës shpirtëror të jashtëzakonshëm dhe mik të madh të Shqipërisë.
Në një postim në rrjetet sociale, Veliaj shkruan: “Lamtumirë At i Shenjtë, Papa Françesku – një udhëheqës shpirtëror i jashtëzakonshëm, që mbushi me dritë zemrat e njerëzve, simbol i përulësisë, dashurisë dhe paqes. Ai ishte një mik i madh i Shqipërisë e i shqiptarëve e do të kujtohet me nderim për mesazhet e tij të mëshirës, përkushtimin ndaj të varfërve dhe për ndihmesën që dha në afrimin mes njerëzve dhe feve.”
Kryebashkiaku i Tiranës gjithashtu ka theksuar se Papa Francesku do të kujtohet gjithmonë për veprat e tij dhe angazhimin e tij të palodhur në përhapjen e paqes dhe solidaritetit.
Postimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj:
Lamtumirë At i Shenjtë, Papa Françesku – një udhëheqës shpirtëror i jashtëzakonshëm, që mbushi me dritë zemrat e njerëzve, simbol i përulësisë, dashurisë dhe paqes.
Ai ishte një mik i madh i Shqipërisë e i shqiptarëve e do të kujtohet me nderim për mesazhet e tij të mëshirës, përkushtimin ndaj të varfërve dhe për ndihmesën që dha në afrimin mes njerëzve dhe feve.
Ngushëllime të sinqerta Kishës Katolike dhe të gjithë besimtarëve shqiptarë për këtë humbje të madhe”- shkroi Veliaj.
Edhe kreu i Konferencës Ndërfetare Shqiptare, Dom Gjergj Meta ka reaguar në lidhje me ndarjen nga jeta të Papa Franceskut.
”Të dashur besimtarë katolikë! Papa Françesku u kthye në shtëpinë e Atit!
Ka dhënë shpirt sot në orën 7:35 të mëngjesit! Falenderojmë Zotin për shërbimin e tij në gjithë këto vite e të lutemi për shpirtin e tij!’’ – shkruan ai në një postim në rrjetet sociale.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/