
Kryeministri Edi Rama ka shprehur bindjen se Partia Socialiste do të dalë fituese në zgjedhjet e 11 majit, madje se do të marrë më shumë se 77 mandate.
Gjatë një bashkëbisedimi me ndjekësit në rubrikën “Sy me sy” në Facebook, Rama theksoi se rezultatin do ta shpallë nga Kuçi, ashtu si në vitin 2021.

Ai reagoi ashpër ndaj kritikëve dhe opozitës, duke mohuar akuzat për “narko-shtet” dhe duke vënë theksin tek roli i rëndësishëm i Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Kryeministri paralajmëroi edhe një vizitë të rëndësishme diplomatike nga homologu britanik para Samitit Politik Europian, që do mbahet në Tiranë.
“Shqipëria krenare në arenën ndërkombëtare. Përpara Samitit Europian Politik do të vijë kryeministri britanik. Vetëm njëherë ka ardhur një kryeministër britanik, edhe atëherë ka shkuar në Kukës për arsye humanitare. Ka pasur shumë të tjerë që kanë ardhur për herë të parë. Pse? Ngaqë ky vend është narko-shtet? Mos votofshi kurrë për mua, por si mund të hani këto idiotësira? Si mund t’i shkoni pas një të roituri që i fiket llamba tre ditë për shkak të moshës. Nuk e di rezultatin, ndoshta fitojmë më shumë edhe se 77 deputetë, do të shikohet. Kur të fitojmë, nis sërish ky ka vjedhur. I keni parë celulat e PS, ne komunikojmë çdo ditë e natë me popullin. Rezultatin do ta shkruaj në Kuç, atje te ai lokali, në majën e lartë, siç bëra në vitin 2021”- tha Rama.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/