

Dy persona janë arrestuar me urdhër të SPAK pasi raportohet se kanë ndërhyrë në e-mail-et e prokurorëve të posaçëm, si edhe kanë tentuar të ndërhyjnë në adresën zyrtare të kreut të organit të akuzës, Altin Dumani.
Prokuroria e Posaçme informon se nga verifikimet ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit, ndërsa ngjarja ka ndodhur më 12 Mars.
Dy të arrestuarit raportohet se kanë arritur të marrin disa informacione, por pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore.
Gjithashtu kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, por pa sukses.
Raportohet se një nga të arrestuarit ka ndërhyrë në e-mail, ndërsa tjetri ka shpërndarë informacionin e marrë nga adresat elektronike të prokurorëve të posaçëm tek persona të tretë. SPAK informon se ka sekuestruar pajisjet e përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët e shkarkuar.
“Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar”, informon SPAK.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.
Gjithashtu siguroi SPAK “të gjitha palët e interesuara se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së institucionit”.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mori informacion në datën 12 mars 2025 se ishte vënë në shënjestër të një ndërhyrje të paligjshme të adresave të email-eve të prokurorëve të posaçëm. Falë masave të sigurisë, nuk u arrit të ndërhyhej në sistemin e brendshëm të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), i cili mbetet i pacënuar.
Nga verifikimet, ka rezultuar se është ndërhyrë vetëm në adresat e e-maile-ve të disa prokurorëve, por jo në sistemin e përgjithshëm të IT-së të institucionit. Personat përgjegjës kanë arritur të marrin disa informacione, pa mundur të sigurojnë akses në dosje hetimore. Po ashtu, ata kanë tentuar të ndërhyjnë edhe në email-in e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, Z. Altin Dumani, por pa sukses.
Falë një hetimi intensiv të drejtuar nga Prokuroria e Posaçme, me përfshirjen e BKH-së si dhe Sektorit të Ekspertizës të kësaj Prokurorie u bë e mundur që të zbulohej kjo ndërhyrje e paligjshme, duke identifikuar dhe arrestuar brenda 24 orëve dy shtetas – individin që ka realizuar ndërhyrjen në e-mail-e dhe atë që ka shpërndarë informacionin tek persona të tretë. Gjithashtu u bë e mundur sekuestrimi i paisjeve të përdorura për të realizuar ndërhyrjen si edhe skedarët (file) e shkarkuar.
Prokurori i çështjes, me qëllim ruajtjen e sekretit hetimor, ka urdhëruar personat të cilët kanë rënë në posedim të këtyre informacioneve të mos i publikojnë ato. Ndërkohë, janë marrë në pyetje edhe individë të tjerë që mund të kenë pasur lidhje me personat e arrestuar dhe kanë poseduar informacionet.
Paralelisht me procedimin penal, Prokuroria e Posaçme nisi hetimin e brendshëm administrativ, i cili konfirmoi se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar. Njëkohësisht, janë marrë masa shtesë për forcimin e protokolleve mbrojtëse të sistemit të përgjithshëm të IT-së të institucionit.
Deri në këtë fazë të hetimit nuk ka asnjë të dhënë që personat e arrestuar të kenë bashkëpunuar me personel të brendshëm të SPAK.
SPAK siguron publikun dhe të gjitha palët e interesuara se janë marrë të gjitha masat për të mbrojtur dosjet, të dhënat e ndjeshme dhe për të ruajtur integritetin e infrastrukturës së institucionit.
Hetimet lidhur me këtë çështje vijojnë në kuadër të dyshimeve për ekzistencën e një grupi të strukturuar kriminal.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/