
Kryeministri Edi Rama ndodhej këtë të hënë në Gjirokastër ku zhvilloi edhe një takim për prezantimin e ekipit me të cilin PS garon në 11 maj në këtë qark.
Kreu i qeverisë përcolli edhe një mesazh në dukje të çuditshëm kur tha se “PS është “mace” që kap edhe “minjtë” e saj, krahas atyre të komshiut”. Duke iu referuar arrestimit të zyrtarëve të lartë nga SPAK për korrupsion, Rama tha se kjo gjë socialistët duhet t’i bëjë të ndihen krenarë dhe jo të ulin kokën.
“Sot të gjithë shqiptarët që votojnë në 11 maj nuk duan t’ia dinë çfarë ngjyre ka macja, se unë them se sot të gjithë shqiptarët që votojnë në 11 maj nuk duhet të shohin fare çfarë ngjyre kemi ne, por duhet të ndjekin atë porosinë e Ten Siao Pin që ndryshoi Kinën kur tha: “Mua s’më intereson fare çfarë ngjyre ka macia, por mua më intereson të kapë minjtë”. Dhe minjtë në këtë vend i kapim vetëm ne. Madje, jemi aq të zotë sa kapim edhe minjtë tanë, jo vetëm minjtë e komshiut. Dhe këtë na e këndojnë si një gjë që duhet të ulim kokën. Në fakt ne duhet ta mbajmë kokën më lart se sa e kemi mbajtur zakonisht edhe për këtë arsye”, u shpreh ai.
Kryeministri foli edhe për rëndësinë e procesit të integrimit të vendit në BE.
“Në 10 vite BE e ka mbështetur Shqipërinë 1 mld euro. Nëse ne bëhemi pjesë e familjes europiane, BE na jep çdo vit 1 mld euro. Për bujqësinë e ka mbështetur më pak se 200 mln euro. Në momentin që bëhemi anëtarë, BE na jep 300 mln euro në vit për bujqësinë”, tha kryeministri.
Kreu i qeverisë vuri në dukje përfitimet që do të kenë shqiptarët pas anëtarësimit në BE.
“Mund të jesh një prind demokrat që sheh këtë shfaqjen këtu dhe thua këta maskarenjtë prap duan pushtet, ccfarë duan më këta? Mirëpo, ka një llogari tjetër, mund të mos pëlqesh as mua, as Mirelën, Tërmetin jo se jo se nuk ke çfarë t’i pëlqesh, por mund të bësh një llogari të thjeshtë që ne këtu jemi ata që mund të fusim Shqipërinë në BE dhe askush tjetër s’mund ta bëjë. Bufi i kënetës mund të të bëjë të shpresosh kot, por nuk të bën atë që duhet që fëmijës tënd që sot është 14 vjeç dhe kur të jetë 18 të shkojë jashtë për të studiuar me pasaportën e BE dhe nuk do të trajtohet si student i huaj me kuota dhe tarifa që janë ndryshe, por trajtohet si studentët europianë dhe ka të gjitha favoret si francezët, spanjollët, holandezët…”, shtoi Rama, duke sulmuar sërish opozitën.
“Ata të tjerët mund ta fusin Shqipërinë vetëm në gropë siç e kanë futur sa herë që u është dhënë mundësia”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/