
Kryeministri Edi Rama, i cili po mban një takim me kandidatë për deputetë të qarkut të Elbasanit, duket se i ka lënë një derë të hapur Dashnor Sulës, i cili nuk do të jetë pjesë e garës së 11 majit, pasi u la jashtë listave të PD.
Ndërsa po fliste për një Parti Socialiste të hapur dhe me diversitet në përbërje, Rama tha se pjesë e saj mund të jetë edhe Sula, por shtoi se “fillimisht duhet të “dezinfektohet” nga morrat e kënetës”.
“Duhet të jemi të hapur edhe për blutë. Vetëm kukumjaçkat dhe salamandrat nuk hyjnë sot. Edhe Dash Sula mund të jetë, por duhet të dezinfektohet fillimisht. Aty një njeri me ulërima për miletin dhe komunitetin e tij ishte, duhet t’i japim atë që meriton. Por duhet të heqë fillimisht morrat e kënetës, aty të mbyt morri”, tha ai.

Rama dhe Sula
Rama, nuk i ka kursyer batutat për opozitën dhe liderin e opozitës Sali Berisha pas deklaratave të këtij të fundit se pas 12 majit do të rihapet aplikacioni TikTok.
Në një takim të organizuar me kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 11 majit, Rama u shpreh se edhe Dashnor Sula ndërtoi një parti të fortë në Peqin, por ia “vodhën natën”. Kreu i qeverisë iu referua lënies së Sulës jashtë listave të kandidatëve nga PD në Qarkun e Elbasanit.
“Më 12 maj shkrijmë SPAK dhe çlirojmë TikTok. Deklaratat e tilla tregojnë që me këta nuk ka garanci.
Ndërtoi Dash Sula i shkretë tërë atë parti në Peqin edhe u gdhi në mëngjes ia kishin vjedhur natën. S’dihet kush do t’i hajë ato kokrra gruri se gjeli i detit nuk është më. Gjel deti e kam kompliment sepse është në të thatë, të tjerët janë në kënetë.
Më pas Rama kaloi tek Lulzim Basha me të cilin ka pasur një komunikim virtual nëpërmjet videove të shpërndara në rrjetet sociale ditët e fundit.
“Vetëm Luli nuk evolon sepse është i lindur i përsosur, një njeri të cilin gjumi e do aq shumë sa e mban për vete është i përsosur. Ka njerëz që lindin me këmishë, Luli ka lindur me këmishë nate”, tha ai.
Pa ofertës së Ramës, Kryetari i Partisë Demokratike, Berisha, në konferencën për gazetarët i pyetur lidhur me ftesën publike që i bëri deputetit Dashnor Sula u shpreh se njeri të pagabueshëm nuk ka dhe se ideja e tij për të gjetur strehë tek Lapaj e mori përgjigjen sot nga Rama.
Sipas kreut të demokratëve Rama i tha Sulës se ‘sa shkon tek Lapaj hajde tek unë se është njëlloj, por të paktën jam unë padroni’. Lideri demokrat shprehet se në këtë deklaratë shihet sa e gabuar ishte përzgjedhja e Adriatik Lapajt nga ai.
“Së pari Dashnor Sula është një eksponent i Partisë Demokratike me investime reale në këtë parti dhe vendi i tij është në Partinë Demokratike. Eksplorimi, se njeri të pagabueshëm nuk ka. Ideja e tij për të gjetur strehë tek Lapaj e mori përgjigjen sot nga Rama. Rama i tha atij se sa shkon tek Lapaj hajde tek unë se është njëlloj, por të paktën jam unë padroni. Kështu që në këto deklarata shihet se sa e gabuar ishte përzgjedhja që bëri Dashi me Lapajn. Nuk ka se ata janë njëlloj. Ata janë paterica të Edi Ramës”, u shpreh Berisha.
Kujtojmë që pas shpalljes së listave për kandidatë, deputeti Dashnor Sula iu bashkua koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” pasi u la jashtë listave të sigurta të PD.
Ditë më vonë u largua nga ky koalicion pak para dorëzimit të listave të kandidatëve për deputetë në KQZ, pasi nuk ra dakord për çështje teknike që nëse do të arrijë të mbledh më shumë vota kandidatët e tjerë do të tërhiqen.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/