
Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

Ndërsa ndaj biznesmenit Elman Abule, togat e zeza kanë zëvendësuar masën e sigurisë nga “arrest me burg” në arrest shtëpie. Biznesmeni, i cili është nën hetim në dosjen e Erion Veliajt, urdhërohet që të mos largohet nga banesa e tij, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton.
Vendimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
- Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
- Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
- Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
- Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.
DËSHMIA E VELIAJ NË GJYKATË
Për të dytën ditë me radhë, Apeli i GJKKO-së, shtyu dhënien e vendimit për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ankimoi masën e arrestit me burg.
Prokurorët e çështjes, Olsi Dado dhe Altin Dumani kërkuan vazhdimin e masës arrest me burg, por gjyqtarët vendosen që seanca për shpalljen e vendimit të zhvillohej ditën e sotme, ku edhe u caktua masa e arrestit me burg për kryebashkiakun e Tiranës.
Gjatë seancës së djeshme kryebashkiaku Veliaj ka kundërshtuar dosjen e SPAK, duke u shprehur se provat e reja janë “çimka dhe telefonatat e tij me djalin, si edhe familjen”.
Sipas të dhënave, mësohet se nga seanca në Apelin e GJKKO-së, Erion Veliaj ka pretenduar se SPAK ka përgjuar 1 muaj bisedat e tij familjare që sipas kryebashkiakut kanë të bëjnë intervistat në media.
“Ju nuk keni konsideruar prova të reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore”, – mësohet se është shprehur Erion Veliaj.
Ai ka kërkuar seancë me dyer të hapura duke u shprehur se: “Unë jam ende kryetar bashkie në detyrë, i votuar nga çerek milioni njerëz. Unë i qëndroj çdo postimi që kam bërë në rrjetet sociale”.
Erion Veliaj u arrestua nga SPAK më 10 shkurt me akuzën e krijimit të një skeme korruptive mes kompanive të bashkëshortes dhe një grupi biznesmenësh pranë tij, me vlerë transaksionesh më shumë se 1 milion euro.
Në “detyrim paraqitje” janë bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa dhe pesë biznesmenë, mes të cilëve, Shkëlqim Fusha i kompanisë “Fusha”, Gentian Sula i kompanisë “Agi Kons” dhe Fatmir Bektashi i kompanisë “Kontakt”.
Nën hetim është dhe deputetja socialiste, Klotilda Bushka, njëherazi kryetare e Komisionit të Ligjeve, e cila dyshohet për kryerjen e veprimeve aktive që pengojnë zbulimin e të vërtetës në rastin e çështjes penale në ngarkim të Veliajt dhe të proceduarve të tjerë.
Ndaj tyre SPAK ka ngritur disa akuza, ku sipas materialit të gjykatës, mësohet se janë fiksuar disa episode që implikojnë edhe kreun e Bashkisë së Tiranës.
Apeli i GJKKO la në burg kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, por avokati i tij, Maks Haxhia paralajmëroi se çështjen do ta çojnë edhe në Gjykatën e Lartë, ku presin që të pranojë kërkesën e kryebashkiakut për ta liruar nga qelia.
“Nga Gjykata e Lartë presim të ndodhë ndonjë çudi dhe atje, e natyrës që të pranojë kërkesën për zëvendësimin e masës së Erion Veliajt, sepse nuk konkurron asnjë nga kushtet dhe krieteret për të mbajtur në burg një person të tillë”, tha avokati.
I pyetur nëse për këtë masë sigurie të dhënë në Apel ndikuan provat e reja të SPAK, ai tha: “Jo absolutisht, është i njëjti material që ka qenë edhe në shkallën e parë”.
Pretendimeve e SPAK për intimidim, avokati iu përgjigj kështu: “Keni futur këtë termin intimidim, që nuk është procedurial. E thotë SPAK, por nuk e thotë ligji. Term procedurial është të prishësh provat. Intimidim kalon në stad tjetër, por nuk është kriter për masën e arrestit”.
I pyetur nëse për këtë masë sigurie të dhënë në Apel ndikuan provat e reja të SPAK, ai tha: “Jo absolutisht, është i njëjti material që ka qenë edhe në shkallën e parë”.
Në lidhje me përgjimet ambientiale që SPAK i kishte bërë Veliajt me familjarë të tij, Maks Haxhia tha se: “Po hape kapitullin e përgjimeve, unë do tejkaloj shumë përgjimet. Nëse është e vërtetë ajo që ka ndodhur me anëtarin e gjykatës kushtetuese për mua është situatë skandaloze, duke filluar nga presidenti, parlamenti, nga Gjykata Kushtetuese, nga KLGJ, KLP dhe gjithë popullit duhet të jetë në alarm. Kur vihet në përgjim GJK, në përgjim imagjinoni si jemi ne të tjerët”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/