
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Grupin e PS-së, duke folur për zgjedhjet, tha se ai mund edhe mos të jetë fare në listën e kandidatëve për deputet.
Rama theksoi se të gjithë deputetët që kanë qoftë edhe një mandat, do të jenë në fushë për të kërkuar vota. Sipas tij, të rinjtë do jenë në listë të mbyllur, pasi PS kërkon të ketë në parlament “gjak të ri”, me qëllim që të bëhet një parti politike e re.
“Na duhet një ekip kompakt. Drejtuesi politik nuk duhet të futet në preferenca. Te lista e hapura, luftën ta bëjnë ata me eksperiencë në politikë. Kush është në listën e hapur, duhet të jetë në garë të barabartë. Vendimin për vete nëse do jem kandidat për deputet nuk e kam marrë ende. Unë mund të mos jem fare në listë. Të gjitha deputetet që kanë qoftë një mandat do të jenë në fushë. Të rinjtë dhe të rejat do jenë në listë të mbyllur, pasi ata përfshihen dhe e bëjnë partinë më të re. Të tjerët pikërisht se kanë qenë aty, duhet të jenë në fushë dhe të garojnë fort”- tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka zbardhur detaje të reja sa i përket listave me të cilat Partia Socialiste do të garojë në 11 maj.
Ai u shpreh se edhe pse bisedimet vijojnë prej 2 ditësh me drejtuesit politikë në qarqe dhe jo vetë, procesi nuk ka përfunduar ende.
Ajo që është e sigurt sipas kreut të qeverisë është fakti se në lista do të ketë shumë emra të rinj, ndërsa sa i përket deputetëve që kanë qenë në Kuvend për të paktën një mandat, ato do të jenë në listat e hapura. Kushdo që nuk pranon të jetë pjesë e listave të hapura sipas tij do të duhet të njoftojë paraprakisht drejtuesit politikë.
“Nuk e kemi përmbyllur akoma të gjithë procesin, i cili do përmbyllet në Kryesinë e PS. Ajo që dua të ndaj me ju, është fakti se cilido dhe cilado prej jush, që nuk pranon të jetë në listën e hapur duhet t’ia bëjë me dije drejtuesit politik. Parimi themelor i listës së re do të jetë, asnjë deputet në gjininë mashkullore që ka marrë qoftë edhe një mandat nuk do të jetë në listën e mbyllur, është e drejta e kujtdo që nuk për arsye nuk dëshiron të jetë në listën e hapur por të na e thotë përpara. Sepse parimisht luftën duhet ta bëjnë ata që kanë më shumë eksperiencë dhe që kanë marrë më shumë nga votuesit dhe PS, patjetër që në listën e hapur do të ketë edhe të reja dhe të rinj. Unë e kam shprehur më parë që drejtuesit politikë duhet të jenë në listën e hapur, problemi është se kjo do të çorodiste të gjithë procesin se nuk do të lejonte asnjë barazi shansesh në garë. Nuk do të garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të garës nga ana jonë”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama , në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste u ndal në zgjedhjet e 11 majit dhe atë që ka për të ofruar PS.
Ai e quajti Partinë Socialiste si forcën politike që kombinon eksperiencën e gjatë dhe energjinë e re. Ai ka nënvizuar se vetëm PS ka kapacitetin për të udhëhequr vendin, duke ofruar një mundësi të re për shqiptarët për të zgjedhur një forcë politike të rinovuar, e cila ka të rinj të aftë për t’i përfaqësuar ata në Kuvend.
Sipas tij, votimi për PS nuk është vetëm një mundësi për ndryshim, por edhe për të pasur një përfaqësim të ri dhe të freskët në politikën shqiptare.
“Në këto zgjedhje duhet t’i japim shqiptarëve partinë më të vjetër në eksperiencë dhe më të renë në energji, nuk ka parti që mund të bëjë 1/100 e asaj që bëjmë ne sepse nuk mjafton të mbash një altoparlant dhe të protestosh për gjysmë të vërteta që në thelb janë gënjeshtrat më të mëdha për të marrë përgjegjësi qeverisëse. Sot them çfarë kurajojë e paimagjinueshme të jesh pa eksperiencë e të duash të udhëheqësh vendin, kur kujtoj veten time para shumë vitesh. Sot kemi eksperiencë, kapacitet për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin një parti të re, më të renë e të gjitha të rejave që ndodhen në territor. Duke votuar një parti tjetër sikur të bjerë zari 3 herë te 60-ta mund të kapësh një deputet të ri. Duke votuar PS mund të përfaqësohesh nga deputetë të rinj”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/