
Një ditë pasi dy delegacionet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia u takuan në Riad, presidenti i Ukrainës, Vladimir Zelensky e ka gjetur veten mes dy zjarresh. Në Lindja janë raketat e ushtrisë ruse, ndërsa nga Perëndimi akuzat e ashpra të Donald Trump, që e akuzon se është një diktator që nuk bën zgjedhje dhe që ka mashtruar Uashingtonin duke e bërë të shpenzojë qindra bilionë dollarë për një luftë që nuk mund të fitohej asnjëherë.
Mesazhi që Trump lëshoi këtë të mërkurë në “Social Truth” ka shkundur diplomacinë në të gjithë botën dhe papritur e ka vënë Ukrainën përballë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ish-presidenti amerikan tha se Zelensky është një “diktator pa zgjedhje” dhe la të kuptohet se Ukraina mund të humbasë mbështetjen amerikane nëse ai nuk organizon zgjedhje të reja – një kërkesë që mund t’i hapë rrugën ndërhyrjes ruse në politikën e brendshme të vendit.
“Një diktator pa zgjedhje, Zelenskyy më mirë të lëvizë shpejt ose nuk do t’i mbetet një vend. Ndërkohë, ne po negociojmë me sukses një fund të Luftës me Rusinë, diçka që të gjithë pranojnë se vetëm “TRUMP” dhe administrata Trump mund ta bëjnë. Biden nuk u përpoq kurrë, Evropa ka dështuar të sjellë paqen dhe Zelenskyy ndoshta dëshiron të mbajë “trenin e ushqimit”. Unë e dua Ukrainën, por Zelenskyy ka bërë një punë të tmerrshme, vendi i tij është shkatërruar dhe MILIONA kanë vdekur pa qenë nevoja – Dhe kështu vazhdon…” ka shkruar Trump.
Mesazhi i Trump vjen pasi Zelenski refuzoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të marrë mineralet e rralla të Ukrainës si një parapagim për ndihmën e vazhdueshme ushtarake dhe ekonomike në luftën me Rusinë.
Agjencia e lajmeve, Reuters raportoi se SHBA-të kishin propozuar marrjen në pronësi të 50% të mineraleve të rralla të Ukrainës. Zelenskyy nuk e refuzoi menjëherë ofertën, por tha se ajo ende nuk përmbante dispozitat e sigurisë që i nevojiteshin Kievit.
Në këtë linjë, Donald Trump ka bërë edhe një llogari të shpenzimeve që kanë paguar taksapaguesit amerikanë, në luftën e Ukrainës, duke akuzuar Zelenskin se ishte ai që bindi Uashingtonin të bëhej pjesë e një lufte që nuk mund të fitohej.
“Mendoni pak, një komedian modest i suksesshëm, Volodymyr Zelenskyy, i nxiti Shtetet e Bashkuara të Amerikës të shpenzonin 350 miliardë dollarë, për të shkuar në një luftë që nuk mund të fitohej, që nuk duhej të fillonte kurrë, por një luftë që ai, pa SHBA-në dhe “TRUMP-in”, nuk do të mund ta zgjidhte kurrë. Shtetet e Bashkuara kanë shpenzuar 200 miliardë dollarë më shumë se Evropa, dhe paratë e Evropës janë të garantuara, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin asgjë. Pse i përgjumuri Joe Biden nuk kërkoi Barazi, pasi kjo luftë është shumë më e rëndësishme për Evropën sesa për ne – Ne kemi një oqean të madh e të bukur si ndarje. Për më tepër, Zelenskyy pranon se gjysma e parave që i dërguam atij “MUNGON”. Ai refuzon të ketë zgjedhje, është shumë i ulët në sondazhet në Ukrainë dhe e vetmja gjë në të cilën ishte i zoti ishte ta luante Biden “si një fyell”- shkruajti Trump.
Zelenski: Trump i mbyllur në një flluskë disinformimi
Mesazhi i Trump përbën një përmbysje radikale të politikës që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndjekur vitet e fundit. Një pjesë e mirë e mediave ndërkombëtare, vënë në dukje se Trump është shumë herë më miqësor ndaj presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, se sa ndaj aleatit tradicional, presidentit të Ukrainës, Vladimir Zelenski.
Në fakt, Trump asnjëherë nuk e ka quajtur Putinin një diktator.
Pak më parë, Vladimir Zelenski kishte deklaruar se presidenti Trump është “i bllokuar në një flluskë dezinformimi”, duke fajësuar rusët për këtë disinformim.
Deklarata i referohej pretendimeve të Trump se pëlqimi i Zelenskit në Ukrainë është vetëm 4%.
“Ne e pamë këtë dezinformim. E kuptojmë se vjen nga Rusia. Ne e kuptojmë dhe kemi prova që ato shifra janë diskutuar midis SHBA-së dhe Rusisë,” tha Zelensky.
Zelenskyy vuri në dukje se propaganda ruse ka promovuar narrativën se ai është një lider i paligjshëm, duke pretenduar se mandati i tij i parë presidencial duhej të kishte përfunduar në maj të vitit 2024. Ai theksoi se ky pretendim shpërfill kushtetutën ukrainase, e cila ndalon mbajtjen e zgjedhjeve gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, e cila ka hyrë në fuqi që nga pushtimi i plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Përkundër kritikave, Zelenskyy shprehu respekt për Trumpin dhe popullin amerikan, por shtoi, “mjerë ata që jetojnë në këtë hapësirë dezinformimi”. Ai gjithashtu tregoi dhe sondazhet e fundit ku tregohej një mbështetje 57% për të.
Deklaratat e Trump shihen me admirim në Rusi
Komentet e Trump u pritën mirë në Moskë, me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov që lavdëroi presidentin amerikan për jehonën që i bëri narrativës së Kremlinit, duke i thënë parlamentit rus, Duma, se Trump me sa duket “e kupton pozicionin tonë”.
“Trump, mendoj, është lideri i parë perëndimor që thotë publikisht dhe hapur se shkaku i konfliktit ukrainas ishin përpjekjet e administratës së mëparshme për të zgjeruar NATO-n”, u tha Lavrov ligjvënësve të mërkurën.
“Asnjë lider perëndimor nuk e ka thënë këtë më parë. Pra, ky është tashmë një sinjal se ai e kupton pozicionin tonë.”
Rusia vazhdon sulmin ndaj Ukrainës, duke përparuar përgjatë vijës së frontit lindor dhe duke sulmuar nga ajri. Moska nisi një sulm masiv me dron kundër qyteteve të shumta të Ukrainës të martën, vetëm disa orë para takimit në Riad. Pavarësisht sulmit, bisedimet vazhduan siç ishte planifikuar.
Rusia ka argumentuar prej kohësh se zgjerimi i NATO-s drejt lindjes e ka vënë në rrezik sigurinë e saj, duke pretenduar në mënyrë të rreme se liderët e NATO-s i premtuan Rusisë se aleanca mbrojtëse nuk do të zgjerohej pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
NATO ka gjithmonë një politikë të dyerve të hapura me çdo shtet evropian të mirëpritur për t’u anëtarësuar për sa kohë që plotëson kriteret e hyrjes.
Ukraina e thelloi bashkëpunimin e saj me NATO-n pasi Rusia filloi ta sulmonte atë në vitin 2014.
Putin përdori argumentin e NATO-s për të justifikuar pushtimin e tij në Ukrainë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/