
Ish-kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës, Petro Gjikuria, ka paditur në SPAK të riun socialist Dasho Veizaj.

Dasho Veizaj
Ky i fundit ka nisur të njihet edhe si ‘Petalja më e bukur e trëndafilit socialist’ për shkak të fjalimit që mbajti në një konventë rinore të PS.
Gjikuria ka vendosur të padisë në SPAK të riun Veizaj, pasi në mënyrë të paligjshme sipas tij i riu është zhvendosur si votues në Himarë.

“Ditët e fundit në Kuvendin Kombëtar të Forumit Rinor të Partisë Socialiste njëri prej anëtarëve të saj, shtetasi Dasho Veizaj, duke e quajtur veten “petalin më të bukur të Partisë Socialiste”, pohoi që ishte nga Lushnja ishte lindur dhe rritur në atë qytet të vogël, ndërkohë po i njëjti shtetas në një rrjet social ka publikuar foton e tij duke votuar për zgjedhjet vendore të datës 04.08.2024 për Kryetar të Bashkisë Himarë, Referuar deklarimeve publike të shtetasit Dasho Veizaj, provohet që është një nga anëtarët më të zellshëm të Partisë Socialiste, duke e quajtur vehten “petalin më të bukur” të kësaj Partie.
Referuar këtyre deklarimeve të tij publike shtetasi Dasho Veizaj është lindur dhe rritur në Lushnjë. Referuar po publikimeve të tij, tashmë të bëra publike nga media, ky shtetas ka votuar në datën 4 gusht të vitit 2024 në Himarë.
Duke patur parasysh parashikimet e ligjit për gjendjen civile nr. 10129/2009, neni 14 e vijues, transferimi i gjendjes civile kërkon disa kushte, të cilat kanë të bëjnë me banimin apo qëndrimin për një periudhë të caktuar në një njësi administrative, si dhe dorëzimin e dokumentacionit përkatës, dokument pronësie apo kontratë qiraje, në zyrën e gjendjes civile të njësisë administratve ku kërkohet të deklarohet vendbanimi I ri”, thuhet në padi.

Petro Gjikuria
Gjikuria ka paditur në SPAK edhe një seri ministrash që shkelën ligjin duke marrë pjesë në fushatën zgjedhore.
“Ky verifikim duhet të kryhet edhe për shtetasit e tjerë të kallëzuar, përfshirë edhe vetë kandidatin Vangjel Tavo, apo shtetasin Dritan Shakohoxha, i cili megjithëse person publik në Tiranë, rezulton që të në vitin 2024 të ketë ndërruar vendbanim familjarisht duke u bërë banor I bashkisë Himarë për zgjedhjet e datës 4 gusht 2024. Duke krahasuar qelizat telefonike të shërbimit të telefonisë celulare të këtyre shtetasve, do të rezultojë qartësisht nëse kanë banuar në territorin e bashkisë Himarë, apo janë “banorë” vetëm për zgjedhjet e kësaj bashkie, duke përdorur në këtë mënyrë dokumente të falsifikuara në praktikën e ndryshimit të vendbanimit të tyre”, thuhet në padinë e Gjikurias.
Po ashtu, në kërkesat e tij, ai kërkon informacion nga SPAK se çfarë ka ndodhur me paditë e tij të mëhershme.
Kujtojmë se SPAK ka zgjedhur të amnistojë ose të zhdukë dosjet e krimeve elektorale, sidomos kur përmenden emra zyrtarësh të lartë socialistë.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/