Një edukatore e një kopshti në zonën e Astirit në Tiranë u shpall në kërkim nga agjentët e Komisariatit nr. 6 pasi dyshohet se ka keqtrajtuar një fëmijë të mitur gjatë qëndrimit në kopsht.
Burime pranë bluve bëjnë me dije se i ati i fëmijës ka denoncuar se edukatorja e ka goditur me shpullë, ndërsa fillimisht është ankuar te pronari i kopshtit, i cili pasi mësoi ngjarjen e ka pushuar menjëherë edukatoren nga puna. Pas denoncimit 46-vjeçarja nuk është gjetur në shtëpi dhe po punohet për ta lokalizuar për sqarimin e ngjarjes.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6 referuan materialet në Prokurori dhe po punojnë për kapjen e shtetases R. G., 46 vjeçe, pasi ka kallëzuar një shtetas, se shtetasja R. G. ka keqtrajtuar djalin e tij të mitur, në kopshtin ku ajo punon si edukatore, informoi policia e Tiranës.
Babai i 3-vjeçarit dhe momenti kur dhunohet
Lorenc Rrapa babai i Priamit 3-vjeçar i cili u dhunua në ambientet e kopshtit “Gledis” nga edukatorja Rudina Gërdani, tashmë e shpallur në kërkim, ishte këtë të enjte i ftuar në emisionin “People” në Euronews Albania.
Ai ka treguar gjithë ngjarjen se si e mësoi se djali i tij ishte dhunuar e deri te denoncimi, por ajo që e bën edhe më të rëndë ngjarjen është se pasi ka bërë denoncimin, atij i janë bërë kërcënime që ta lërë në heshtje këtë ngjarje.
“Do shihemi ndryshe bashkë”, këto janë fjalët me të cilat sipas Lorencit bashkëshorti i edukatores e ka kërcënuar. Megjithatë Lorenci shprehet se nuk mund ta falë gjakun e djalit të tij, ndaj është i vendosur që çështjen e Priamit 3-vjeçar ta çoj deri në fund.
“Edukatorja e ka marr vesh, më kanë telefonaur, më kanë bërë presion, burri i vet më ka thënë “Mos ik në polici se e zgjidhim ndryshe”. Unë i kam thënë “Nuk zgjidh për fëmijën tim asgjë kështu” i thash. Ai më tha “Do shihemi ndryshe bashkë”, “Si të duash shihemi” i thashë.
Kam shkuar në komisariat mbrëmë. Bera kallëzimin e çdo gjë ka qenë në rregull. Nëpërmjet kërkimeve të mia personale mora vesh që edukatorja nuk është paraqitur në Komisariat. Sot shkova prapë te komisariati, te oficeri i policisë kam bërë një kallëzim tjetër sepse më kanë bërë prapë presion njerëzit e saj. Unë dua të them që unë nuk trembem.
Unë nuk trembem nga njerëzit e Rudinës. Unë jam gjithë ditën nga ora 6 e mëngjesit në 6 pasdite në Tiranë. Mua më gjeni ku të doni. Unë nuk trembem. Më kanë bërë presion duke më marrë edhe nga shtete europiane. Më marrin edhe miq të mi. U kam thënë të mos më marrin më për këtë. Ata duan të mos e vazhdoj më historinë e Priamit, por unë gjakun e fëmijës tim nuk e shes. Jam shumë… nuk e fal unë gjakun e fëmijës tim, nuk e fal atë shpullë”,-tha Lorenc Rrapa.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/