Janë mbajtur homazhet në nder të katër viktimave të 21 janarit të 14 viteve më parë. Të pranishëm veç të afërmve dhe familjarëve të viktimave, ishin edhe deputetë të grupit parlamentar të PS, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, ndërsa kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në homazhe për shkak se ndodhet jashtë vendit në Forumin e Ekonomisë në Davos të Zvicrës.
Në ceremoni nuk kishte fjalime, por ishte projektuar në formë homazhi me heshtje dhe marshim. Të pranishmit vendosën lule në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, për të nderuar Ziver Veizin, Aleks Nikën, Hekuran Dedën dhe Faik Myrtajn. Katër viktimat e 21 Janarit 2011 u shpallën Dëshmorë të Atdheut.
Në korrik të vitit të kaluar Prokuroria e Posaçme (SPAK) nisi zyrtarisht hetimet për 21 Janarin, pasi Gjykata e Strasburgut urdhëroi Strukturën e Posaçme të hetonte kallëzimin e bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e Aleks Nikës, ndaj Sali Berishës, ish-kryeministër, Lulzim Bashës, ish-ministër i Brendshëm dhe Ndrea Prendit, ish-kreu i Gardës së Republikës.
Gjykata e Strasburgut e ka cilësuar vrasjen e katër protestuesve si “krim shtetëror që duhej zbardhur”.
Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot 14 -vjetorin që nga ngjarja e 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues të pafajshëm.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë.
““Drejtësia vonon po nuk harron”, thotë populli dhe sot kush po e vonon drejtësinë për 21 janarin, nuk duhet të harrojë se fëmijët e dëshmorëve po bëhen prindër duke pritur drejtësinë…”, shkruan Rama.
Në 21 janar 2011 mbetën të vrarë Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Më pas Kryeministri Edi Rama ka replikuar me ndjekësit në rrjetet sociale lidhur me 21 janarin, teksa sot shënohen 14 vite nga vrasja e 4 protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Një komentues i shkruan kryeministrit se po të ishte për drejtësi, një gjë e tillë do të kishte ndodhur që nga momenti kur ai u bë kryeministër në vitin 2013.
Por kreu i qeverisë kujton se drejtësinë nuk e bën kryeministri dhe as partia në pushtet. Ai thekson se “çdo vit që kalon jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar”, ndërsa një mesazh e kishte edhe për SPAK-un e drejtësinë e reformuar. “A kam gjëra për të thënë? Kam aq shumë sa nuk ua tregon dot, por dua t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besoj që SPAK nuk do të jetë edhe për shumë kohë me gjithçka tjetër përveçse me 21 janarin i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit”.
Reagimi i Ramës
“Të të akuzojë lidhur me drejtësinë për 21 janarin dikush që emrin për frikën e tij e ka “Primare në PD”, kjo është për të qarë dhe qeshur. Nuk dua të bëj polemikë me askënd që komenton këtu. Le të fokusohemi tek thelbi. Edhe një sërë komentuesish të tjerë nga dëshira për drejtësi harrojnë se jetojmë në një sistem ku drejtësinë, larg qoftë, nuk e bën as kryeministri, as qeveria, as partia në pushtet. Prandaj besoj duhet të jetë shumë e qartë që të gjitha pretendimet, kritikat, akuzat drejtuar nesh për mosdhënie drejtësi për 21 janarin, janë thjesht në adresë të gabuar.
Por unë dhe ne nuk kemi qëndruar duarkryq, por kemi bërë një betejë epokale për drejtësinë, për pavarësinë e saj nga pushteti politik, për krijimin e kushteve që drejtësia të bëjë drejtësi për të gjithë ne dhepër të gjitha. Pa PS dhe mua në krye të krye të saj nuk do kishte as reformë në drejtësi, as SPAK dhe as ndryshim të dukshëm tanimë të rrugës së drejtësisë. Në rrugën e re të drejtësisë mund të ketë plot gjëra të kritikueshme dhe të papranueshme, por kjo është një rrugë e re ku institucionet kanë mbështetjen tonë dhe pjesë e kësaj mbështetje të pakrahasueshme me asgjë në rajonin tonë, është patjetër qëndrimi për të mos bërë komente për raste konkrete. Edhe kur mund të mos jemi dakord fare me trajtimin e tyre.
Kështu që, çfarë mund të them unë sot për drejtësinë për 21 janarin? A kam gjëra për të thënë? Kam aq shumë sa nuk ua tregon dot, por dua t’i rri besnik qëndrimit për të mos bërë komente, duke uruar dhe dashur të besoj që SPAK nuk do të jetë edhe për shumë kohë me gjithçka tjetër përveçse me 21 janarin i cili për më tepër është edhe një rast i qartë si drita e diellit. Dhe prandaj çdo vit që kalon jo vetëm shton barrën e turpit mbi këdo që duhet të japë drejtësinë e munguar por njollos edhe vetë reformën në drejtësi, duke poshtëruar familjet e dëshmorëve të 21 janarit, por një popull të tërë që do drejtësi për 21 janarin dhe meriton drejtësi për 21 janarin sepse drejtësia për 21 janarin është drejtësi jo thjesht për një ngjarje të djeshme por për Shqipërinë e sotme dhe të nesërme”.
Reagon edhe Berisha
Në një konferencë për media ditën e sotme, ish-kryeministri Sali Berisha u pyet për ngjarjet e 21 janarit të 14 viteve më parë, kur gjatë një proteste të organizuar para Kryeministrisë, mbetën të vrarë katër persona.
Berisha hodhi dritë mbi qëndrimet e tij dhe zhvillimet pas protestës, duke theksuar se keqardhjen për viktimat e kishte shprehur që në natën e 21 janarit 2011.
“Së pari, keqardhjen time e kam shprehur për viktimat, jo pas 14 vitesh, siç pretendoni ju, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës të asaj nate, ditën e rrethimit, datën 21 janari 2011, dhe në mënyrë të përsëritur,” tha Berisha, duke i shtuar më tej se ishte shprehur gjithashtu për hetimin ndërkombëtar të ngjarjeve, kërkesë që e bëri po atë natë dhe më pas.
Kreu i PD theksoi se një hetim ndërkombëtar ishte kërkuar edhe nga disa institucione ndërkombëtare, të cilat sipas tij e kishin cilësuar protestën si një ngjarje me agjendë politike. “Institucionet më serioze ndërkombëtare kanë shprehur se ajo protestë e dhunshme kishte agjendë politike,” theksoi Berisha.
Ish-kryeministri e cilësoi përdorimin politik të ngjarjes si një tentativë për të fshehur përgjegjësitë e atyre që organizuan dhe drejtuan protestën. Ai theksoi se ngjarja ishte përdorur për të përmbysur qeverinë e tij dhe për të synuar pushtetin politik. “Përdorimi politik i kësaj ngjarjeje, ku u sollën për qëllime politike për të pushtuar Kryeministrinë, është dëshmi e keqpërdorimit të kësaj ngjarjeje kryekëput për qëllime politike,” tha Berisha.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/