Lideri demokrat Sali Berisha dhe deputeti i Partisë Socialiste Pandeli Majko, janë përplasur virtualisht gjatë ditës së sotme pas ndryshimeve të bëra nga kreu i PS, Edi Rama, për drejtuesit politik në qarqet e vendit.
Në reagimin e tij, Berisha tha se Pandeli Majko në postin e drejtuesit politik për qarkun e Kukësit, është përgjuar nga SHISH në lidhje me pazaret që ka bërë me kriminelë e banda kriminale për shitblerje votash në favor të Partisë Socialiste.
Ndërkohë Berisha ka ndarë dhe detaje të tjera nga ky përgjim ku zbulohen raste kur përfaqësues të Hasit, kanë kërkuar armë.
Sali Berisha: Pandeli Majko, është kriminel i madh elektoral në Kukës. Është i regjistruar në tavolinë, regjistrues i vendosur me vendim gjykate, jo për Pandeli Majkon për trafikantë armësh e droge. Aty shkon dhe bie Pandeli, dosja është tek ata dhe tek unë. Shkon Pandeliu me Çelën, dhe drejtorin e OSSH të Kukësit. I thotë ‘ti në Has do të kërkosh kaq shtylla centrifugale, ato kushtonin nja 40-60 mijë euro, por do të faturohen 800 mijë euro, nga të cilat 300 mijë do t’i dërgohen Tropojës për vota, 200 në Durrës, të tjerat në Kukës. Oficeri që ishte në detyrë për të hedhur në qark trafikantët habitet.
Përveç kësaj në bisedë, përfaqësuesit e Has kërkojnë armë sepse thonë Miftar Dautin nuk e mundim dot. Kërkuan armë, ky oficer e merr regjistrimin, përgatit dosjen dhe e dorëzon në SPAK, dokument zyrtar. Vlora që vodhi arkivën sekrete të shërbimi të Kosovës, që e çoi aty ku e çoi, dyshime në Beograd, refuzoi ta presë oficerin. Oficeri mbetet jashtë shërbimi, kishte kryer në mënyrë të shkëlqyer detyrën dhe sot nuk e di se ku është.
Majko shkoi sërish në vendin e krimit, por duket se e kanë parë që atje nuk e pëlqejnë dhe e solli në Tiranë. Po sjell në Tiranë gjysmën e ministrave sepse qytetarët e Tiranës kanë revoltë.
Ndërkohë Berisha ka marrë përgjigje të menjëhershme nga vetë Pandeli Majko në lidhje me këto akuza teksa ka ironizuar dhe vetë Partinë Demokratike duke i kujtuar dhe njëherë humbjen që ka pësuar në qarkun e Kukësit.
“Vjedhja e votave dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar është mirë tu lihet atyre që kanë fuqi të kontrollojnë punët e kësaj bote! Atyre që dinë dhe ju dhimbset Shqipëria më shumë se sa ata që ajo ka mbajtur me pushtet dhe janë gati ti vënë flakën vendit kur mbesin pa të!” shkruan ndër të tjera Pandeli Majko.
Pandeli Majko: Sali Berisha ka deklaruar sot në media se: “Majko është kriminel i madh elektoral në Kukës…”
Publiku i shoqërisë sonë është mjedis delikat! Tundini dhe shkundini njerzit me gënjeshtrat e duhura dhe ata do të verbohen e s’do te shohin cmendurinë që kane para syve!
Konfuzioni është kontroll! Kjo është e vërteta e vërtetë e Sali Berishës! Nuk besoj se jam aq i fortë sa të “vjedh” fitoren e munguar të PD në qarkun e Kukësit! Edhe të përsëritur!
Vjedhja e votave dhe bashkëpunimi me krimin e organizuar është mirë tu lihet atyre që kanë fuqi të kontrollojnë punët e kësaj bote! Atyre që dinë dhe ju dhimbset Shqipëria më shumë se sa ata që ajo ka mbajtur me pushtet dhe janë gati ti vënë flakën vendit kur mbesin pa të!
Ishte një kënaqësi tu dëgjoja të më fyenit! Kjo do të thotë se kam bërë gjënë e duhur! Ka shumë lloj vjedhjesh në këtë botë Doktor! Më e keqja, është vjedhja e të ardhmes! Sigurisht!
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/