Arrestohet në Athinë i shumëkërkuari Jani Aliaj. Ai është autori i vrasjes së Elton Çiços në vitin 2016. Jani Aliaj është i dënuar me burgim të përjetshëm. Aliaj ishte ndër pesë personat më të kërkuar nga policia shqiptare. Ngjarja e rëndë ndodhi më 1 maj të vitit 2016 në hyrje të ish-Bllokut, brenda një lokali pranë stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë.
Jani Aliaj dhe Elton Çiço
Pas krimit, Jani Aliaj arriti të largohet dhe u shpall në kërkim me akuzën e vrasjes për hakmarrje. Burime zyrtare thanë se 47-vjeçari i kërkuar prej 9 vitesh, po fshihej në Athinë, teksa tani pritet ekstradimi dhe izolimi për të vuajtur dënimin e përjetshëm.
NJOFTIMI ZYRTAR
Operacion i përbashkët ndërkombëtar për kapjen e të kërkuarve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Finalizohet operacioni i koduar “IN TIME” në bashkëpunim me Policinë Greke. Në Athinë kapet dhe vihet në pranga i shumëkërkuari Jani Aliaj, 47 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm. Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia Greke finalizoi operacionin “IN TIME”, duke arrestuar këtë shtetas.
Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë. Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Detajet nga policia greke
Mediat greke zbardhin detaje të operacionit të arrestimit të Jani Aliajt në Athinë, me qëllim ekstradimin, pasi ishte dënuar përjetë nga gjykatat shqiptare, për vrasjen më 1 Maj 2016 të Elton Çiços për hakmarrje, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.
Mësohet se mëngjesin e së martës së ndërrimit të viteve, 31 Dhjetor, Aliaj, i arratisur nga burgjet e Korfuzit dhe i dënuar atje për vrasje, u arrestua nga Departamenti i Hetimit të Krimeve të Moskatit.
Ndalimi paraprak u bë për falsifikim, teksa mbante identitetin e rremë Aleksan Kreshnik, 48 vjeç, dhe më tej u zbulua skeda për krimet dhe dënimet e mëparshme. Aliaj figuronte i arratisur nga burgjet e Korfuzit më 1 qershor 2015, duke shkelur lejen e rregullt 11-ditore, teksa ishte izoluar për vrasje.
Gjithashtu, 47-vjeçari u dënua me burgim të përjetshëm dhe 3 vjet për vrasje nga pakujdesia, lëndim i rrezikshëm trupor dhe armëmbajtje pa leje, e ndodhur në vitin 2006 në Atikën Perëndimore. Në të njëjtën kohë, nga Interpol Tirana kërkohej për vrasjen e 1 Majit 2016 në Tiranë dhe dënimin po të përjetshëm për këtë krim, i dhënë në mungesë.
Policia greke njoftoi se operacioni u krye nga skuadra speciale e DIAS.
Efektivët fillimisht vunë re lëvizjet e dyshimta të Aliajt në zonën e “Platonos Korai” dhe i kërkuan t’i nënshtrohej kontrollit. Patrulla evidentoi me pajisjen speciale se karta që ai mbante kishte identitet fals.
Për këtë qëllim u transferua në Komisariat, aty ku dhe më tej u zbulua identiteti i tij i vërtetë dhe kartela me krime dhe dënime në dy dekadat e fundit, në Greqi dhe Shqipëri.
Media greke informon se ai ishte i shpallur në kërkim për dy vrasje edhe nga Shqipëria.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/