Ministria e Turizmit ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se 20 dhjetori do të jetë afati i fundit i aplikimeve për të gjithë subjektet që dëshirojnë të menaxhojnë stacione plazhi gjatë sezonit veror.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro u bëri thirrje sot të gjithë subjekteve private që disponojnë struktura akomoduese pranë bregdetit që të aplikojnë në portalin e-albania deri në datën 20 dhjetor.
“Vëmendje! 20 Dhjetori do të jetë afati i fundit i aplikimeve në E-Albania për të gjitha subjektet private që disponojnë struktura akomoduese pranë bregdetit, të certifikuara nga MTM të cilat dëshirojnë të menaxhojnë stacione plazhi gjatë sezonit veror 2025”, shkruan Kumbaro në një postim në rrjetet sociale.
Aplikimi kryhet sipas kritereve të reja ligjore, ku plazhet do të mund të merren nën administrim të përkohshëm vetëm nga hotelet e vijës së parë ose në afërsi.
Të gjitha subjektet e interesuara mund të kryejnë aplikimin e tyre në portalin e-Albania duke kërkuar shërbimin “Aplikim për ushtrimin e veprimtarisë së stacion plazhi”.
Hartat e plazheve u miratuan në fillim të muajit nëntor gjatë mbledhjes së Komitetit të Menaxhimit të Sezonit Turistik, ndërsa me rregulloren e re lirohen rreth 675 parcela plazhesh.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/