Një ngjarje e rëndë ndodhi sot në mëngjes në fshatin Cakran, Fier, ku dy nxënës të shkollës së mesme “Mustafa Hoxha” u përfshinë në një konflikt të dhunshëm. Policia e Fierit bëri të ditur se rreth orës 08:30, gjatë një përleshje mes dy bashkëmoshatarëve, shtetasi B.D., 17 vjeç, ka goditur me thikë shtetasin Y.Xh, i cili është nxënës po në këtë shkollë.
Pas ngjarjes, shtetasi Y.Xh. u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Fierit, ku mori ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas mjekëve, i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia lokale ka reaguar shpejt dhe ka mundur të kapë dhe të shoqërojë shtetasin B.D. për veprime të mëtejshme hetimore. Po ashtu, autoritetet kanë sekuestruar thikën e përdorur si provë materiale.
Ngjarja ka tronditur qytetarët lidhur me sigurinë në shkolla. Qytetarët shprehen se kjo nuk është hera e parë. “Nuk është hera e parë, kanë ndodhur edhe herë të tjera, janë bërë 3-4 çuna bashkë dhe kanë rrahur edhe mësuesin”, thotë qytetari, banor i zonës pranë gjimnazit “Mustafa Hoxha”.
Një banor i zonës thotë se ngjarja është e rëndë. “Sherri nisi dje, dëgjova që kishte shkuar policia, janë thirrur prindërit dhe duket se asgjë nuk është zgjidhur. Ja çfarë ndodhi sot”, thotë qytetari.
Një qytetar thotë se këtu nuk ka siguri në shkolla. “Kemi frikë për sigurinë e fëmijëve në shkolla. Nuk e ka fajin prindi, unë e dërgoj fëmijën në shkollë dhe iki në punë. Duhet të ketë kontroll të rreptë, duhet të ketë oficer sigurie që duhet të ketë kontrolle. Nxënësi mund të marrë edhe hanxhar me vete”, thotë një tjetër qytetar.
Ndërkohë që sipas një tjetër qytetari nis që nga salla e Parlamentit, atje ku deputetët shahen dhe nuk lënë gjë pa i thënë njëri-tjetrit.
Raportohet se autori ka dëshmuar se shkak për sherrin është bërë një debat mes të rinjve për një postim në rrjetin social Snapchat mbrëmjen e djeshme.
Në lidhje me sherrin mes dy 17-vjeçarëve në një gjimnaz të Fierit, ku njëri prej tyre mbeti i plagosur, ka reaguar edhe prokurorja e rastit, Oliana Gjergjefi.
Ajo ka deklaruar për mediat se janë marrë dëshmitë e dy mësueseve që ishin të pranishme gjatë momentit të konfliktit, ndërsa është kryer edhe kqyrja e vendit të ngjarjes.
“Kam pyetur dëshmitarët okularë, dy mësuese të cilat kanë qenë të pranishme gjatë konfliktit. Ngjarja është e rëndë dhe garantojmë një hetim të plotë e të gjithanshëm,” theksoi prokurorja Gjergjefi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/