Me 75 vota pro dhe 24 kundër maxhoranca votoi në tërësi pr/buxhetin për vitin 2025. Plot 825 miliardë lekë do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, sigurinë, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Votat pro buxhetit i dhanë dhe PSD.
Ndërkohë PS rrëzoi 55 amendamente në total të propozuara nga deputetët e opozitës, të PD dhe Partisë së Lirisë, dhe Alibeajt. Ata u konsideruan nga maxhoranca socialiste si të panevojshme dhe si provokim politik. Nga ana e tij Ministri i Financave Petrit Malaj tha se këto amendamente do ta kthenin atë në një ‘buxhet piramidal’
Amendamentet e para që socialistët rrëzuan me votë ishin ato të propozuara nga Sali Berisha i cili u rikthye sot në Kuved pas 11 muajsh në ‘arrest shtëpie’ në kuadër të hetimeve për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani, për të cilin SPAK e akuzon ish kryeministrin për korrupsion.
Kartonët e kuq të socialistëve u ngritën edhe për 11 amendamentet e PL-së dhe të opozitës. Me 77 vota u rrëzuan 2 amendamentet e propozuara nga PD për të pezulluar të gjitha prokurimet për investime publike dhe shpenzimet luksi deri në momentin për caktimin e minimumit jetik, për të cilën deputeti i PD-së Flamur Noka propozoi 200 euro. U rrëzua edhe amendamenti i PD-së për rimbursimin e parukeve dhe protezave të gjirit.
Pikat më kulminante ka qenë përplasja e deputetëve të PD-së, Ina Zhupa me Edmond Spahon me ministren e Arsimit Ogerta Manastirliu dhe përplasja e deputetit Bledion Nallbati me ministrin Petrit Malaj.
Kryeministri Edi Rama nuk ishte sot në seancë parlamentare, pasi ndodhet në Bruksel në pritjen e organizuar nga Presidenti i ri i Këshillit Evropian me liderët e Ballkanit Perëndimor. Në seancë është vëne re dhe mungesa e Lulzim Bashës, kreut të demokratëve euroatlantikë. Ndërsa ish kryeministri Berisha u largua nga seanca pasi mbajti fjalën për amendamentet e tij dhe u rrëzuan me votë.
Çfarë parashikon buxheti?
Ligji më i rëndësishëm ekonomik i vendit për buxhetin e shtetit po shkon drejt mbylljes së siparit të diskutimeve… Plot 825 miliardë lekë pritet të jenë do të jenë në dispozicion të institucioneve për tu shpenzuar për shërbime shëndetësore, për paga, për skemat e mbështetjes të familjeve në nevojë, pensione, arsim, punësim, sigurinë, bujqësinë, transportin rrugor, drejtësinë e deri tek shpenzimet për zgjedhjet parlamentare të 2025-ës.
Teksa diskutohej Neni 15 për rendin e ditës në diskutimet për amendamentet e opozitës dhe propozimet e Komisioneve, fjalën e ka marrë në emër të mazhorancës dhe komisionit deputetja socialiste Blerina Gjylameti.
Ajo rrëzoi akuzat e opozitës për rënie ekonomike, buxhet të vogël dhe braktisje të shtresave në nevojë apo pensionistëve, duke theksuar se ky buxhet i mbulonte të gjithë sektorët.
Madje ajo në një moment ironizoi opozitën për amendamentet e depozituara në Kuvend, ku deri tani janë rrëzuar të gjitha me votat e mazhorancës:
“Si Liza në botën e çudirave…!”, u shpreh mes të tjerash Gjylameti duke bërë krahasimin.
Por e vëmendshme gjatë fjalës, kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, bëri ndërhyrjen e saj, duke i “tërhequr veshin” koleges socialiste.
“Do doja pak më shumë respekt për Lizën…!”, iu drejtua kryeparlamentarja, teksa u kalua edhe në votim me rrëzim të amendamentit të radhës të deputetit Xhelal Mziu dhe kalim të atij të Komisionit.
Deputetja Jorida Tabaku akuzoi nga foltorja e Parlamentit qeverinë dhe mazhorancën se ka lënë pas dore dy nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë në vend, si Industria fasone dhe Bujqësia, teksa bizneset duhen rimodeluar dhe ndihmuar, pasi po falimentojnë, edhe për shkak të zhvlerësimit të euros.
Tabaku kritikoi buxhetin e propozuar dhe kërkoi përfshirjen e amandamentit të saj për zhvlerësimin e euros në treg, me qëllim dhënien e ndihmës së industrisë dhe bujqësisë, për të shmangur falimentimet e mëtejshme.
“Këtë buxhet nuk e ndjen askush përveç qeveritarëve, shqiptarët janë më të pambrojturit”, tha Tabaku ndër të tjera. Ajo bëri thirrje në sallën e Parlamentit që të merrej parasysh amendamenti dhe propozimet.
Pavarësisht fjalës dhe thirrjes së saj, mazhoranca e rrëzoi me 69 vota kundër, zero abstenime dhe vetëm 16 pro amendamentin e saj për tregun e zhvlerësimit të euros.
Tabaku nënvizoi se: “Si ka mundësi që këtë buxhet të madh s’e ndjen askush, as qytetarët, as bizneset, përveç qeveritarëve sigurisht. Kur e krahasojmë me rajonin, shqiptarët mbeten më të pambrojturit. Shumë sektorë po vuajnë si rezultat i zhvlerësimit të euros. Më i prekuri ai i fasonerisë me peshë 30 për qind të eksporteve dhe mbi 70 mijë të punësuar. Janë mbyllur kompani të shumta, shifra alarmante në të gjithë vendin në këtë sektor. Industria është sektori i dytë që e reflekton këtë krizë. Rezultat i informalitetit dhe parave të pista, janë dëmtuar rëndë. Këto biznese nuk kanë fitim, çfarë do ngrijë qeveria për taksën e tatim-fitimit. Këto sektorë duhen ndihmuar. Ndihma për këtë industri është për 70 mijë familje shqiptare që mund të hidhen në rrugë. Koncepti i tyre është vetëm panairet, këto tre sektorë janë shëmbëlltyrat më të mira për këtë vend dhe janë lënë pas dore…”.
Teksa deputeti socialist Eduart Shalsi, njëkohësisht kryetar i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, tha se “nuk është zhvlerësuar euro, por është forcuar Leku”.
Një debat u zhvillua gjatë seancës plenare në Kuvend, mes kreut të Grupit të PD-së Gazment Bardhi dhe kryeparlamentares Elisa Spiropali, ku ndërhyu dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Ballukut, të cilës demokrati iu drejtua me ironi duke i thënë “Bela, i gjete lekët që të humbën”.
“Bela, i gjete lekët që të humbën? Nxirri xhepat, zbrazi”, u shpreh Bardhi duke ironizuar Ballukun, ndaj të cilës ka bërë kallëzime në SPAK.
Bardhi po ashtu akuzoi kryetaren e Kuvendit për lejimin e ndërhyrjeve të ministrave për të kthyer përgjigjet mbi amendamentet e propozuara nga opozita, duke e cilësuar atë si një shkelje të hapur të procedurës parlamentare.
Pjesë nga debati:
Gazmet Bardhi: Bela i gjetet lekë t’i që të humbën, i gjete? Nxirri xhepat, zbrazi xhepat, zbrazi xhepat. Zbrazi xhepat që t’i shohim.
Elisa Spiropali: Ku është procedura. (I mbyll mikrofonin)
Gazment Bardhi: Ajo (Balluku) po më flet, i thuaj të mos ndërhyjë. Ju zonja kryetare, jeni tërësisht në shkelje të procedurës, nuk ka asnjë nen në këtë rregullore që pas prezantimit të një amendamenti të flasin anëtarët e Këshillit të Ministrave. Prezantohet vetëm amendamenti dhe kalohet në votim, kjo është procedura. E falënderoj ministrin që paska bërë mbledhjen e amendamenteve tona dhe kostoja paska dal 300 milion euro dhe tani thotë nuk kam 300 milion euro për të rritur pensione, rroga, fonde shëndetësi dhe në arsim sepse do shkoj 430milion euro te inceneratori i Tiranës që nuk ekziston. Cili rregull i rregullores e thotë, ma gjej, ma lexo. Nuk ka fare të bëj për asnjë anëtar i Këshillit të ministrave.
Elisa Spiropali: Patjetër që për çdo amendament ka përgjigje. Nena 77,lexoje me vëmendje.
Gazment Bardhi: Lexoje, lexoje. Je duke gënjyer.
Elisa Spiropali: Nuk gënjej unë asnjëherë.
Gazment Bardhi: Më gjej ku e kanë të drejtën ministrave. Ne po i lëmë të flasin.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/