Ka nisur shpërndarja e bonusit të fundiviti për pensionistët nga 100 deri 150 € në varësi të shumës totale të pensionit.
Bonusi mund të tërhiqet bashkë me pensionin dhe afati për ta marrë është deri në qershor 2025.
Bonus do të marrin të gjithë 724,933 pensionistët, nga të cilët 511,173 pensionistë me pension deri 20,000 lekë do të marrin këtë fundvit bonusin 15,000 Lekë, dhe 213,760 pensionistë me pensione mbi 20,000 lekë përfitojnë bonusin 10,000 Lekë.
Të gjithë ata 65,763 pensionistë invalidë, 44,561 pensione familjare – gra e burra të ve, fëmijë jetim pavarësisht se sa pension marrin do të kenë bonusin maksimal 15,000 Lekë.
Shpërblimin e fundvitit do ta përfitojnë personat me pension pleqërie, invaliditeti, pension familjar, social, ata me pension të parakohshëm, ish minatorët, ushtarakët, ato që janë përfitues të ndonjë trajtimi të financiar, apo me shpërblimin financiar, si veteranë të LANÇ-it etj.
Në vendim thuhet se shpërblimet kalohen në llogaritë e pensionistëve në muajin dhjetor 2024 dhe paguhen gjatë këtij muaji. Pra së bashku me pensionin mujor të gjithë përfituesit do të marrin edhe shpërblimin e fundvitit i cili mund të tërhiqet deri në 30 qershor 2025 dhe më pas ai digjet.
“Në rastet kur pagesat efektive nuk kryhen brenda muajit dhjetor 2024, ato paguhen deri në datën 30.6.2025. Shpërblimet e patërhequra parashkruhen pas datës 30.6.2025”, thuhet në vendim.
Pagesat e shpërblimit të fundvitit do të mund të tërhiqen në të njëjtin vend ku merret edhe pensioni, pranë ISSH, Postës shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë.
Fatura e bonusit të fundvitit është përllogaritur 9.8 miliardë lekë, ku 3.6 miliardë lekë ishin të planifikuara në buxhet, 2.4 miliardë lekë janë të mbartura nga indeksimi më i ulët se vjet dhe mbi 3.7 miliardë lekë merren nga buxheti i shtetit dhe buxheti i planifikuar për sigurimet shoqërore, për vitin 2024.
Të gjithë pensionistët do të marrin edhe një bonus tjetër në pranverën e 2025-ës, në varësi të rritjes ekonomike, për këtë arsye vlera e këtij shpërblimi ende nuk është përcaktuar.
Ministri Blendi Gonxhja ka dhënë lajmin e nisjes së shpërndarjes së bonusit të fundvitit për pensionistët dhe shifrat e përditësuara për mëngjesin e sotëm. Gonxhja deklaron se deri në orën 10:00 janë shpërndarë 19,566 bonuse, nga të cilët: 13,712 bonuse 15,000 lekë për pensionet nën 20,000 lekë, invalidët dhe pensionet familjare; 5,854 bonuse 10,000 lekë për pensionet mbi 20,000 lekë;
“Të nderuar pensionistë, ju njoftojmë se bonusi mund të tërhiqet në çdo pikë të Postës Shqiptare ose Banka të Nivelit të Dytë deri më 30 Qershor 2025!”, deklaron ministri.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/