Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme në zbatim të vendimit të Gjykatës.
Sipas vendimit, Kryemadhi duhet të paraqitet të hënën e parë të çdo muaji. Ajo ka mbërritur në SPAK me një pako të madhe në duar, me sa duket dokumente për çështjen e saj.
Monika Kryemadhi po hetohet për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim e fshehje pasurie nën masën e sigurisë detyrim paraqitje, ndërsa ish bashkëshorti i saj, Ilir Meta ndodhet në burg për të njëjtat akuza.
Ish-presidenti Ilir Meta, aktualisht kryetar i Partisë së Lirisë në opozitë, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për tre çështje korrupsioni; për dosjen e njohur si CEZ-DIA, për përfitimin e vlerave monetare në këmbim të influencës së ushtruar në favor të një kompanie telekomunikacioni si dhe për marrëdhënien e dyshuar korruptive me një biznesmen, në emër të të cilit është marrë përsipër ndryshimi i një ligji në Kuvendin e Shqipërisë.
Meta dhe Kryemadhi i mohojnë akuzat dhe e konsiderojnë hetimin kundër tyre si të motivuar politikisht për të sulmuar opozitën në Shqipëri.
Pas daljes nga SPAK në zbatim të vendimit “detyrim paraqitje”, Kryemadhi ka deklaruar se ka ankimuar vendimin për sekuestrimin e dy vilave te ‘Kodra e Diellit’.
“Nuk kemi shpresë nga gjykata e Apelit. Shikojmë presion haptazi nga SPAK ndaj gjyqtarëve të Apelit. Do e cojmë në Strasburg”, u shpreh ajo.
E pyetur për protestën e 6 dhjetorit, të thirrur nga Presidenti i Partisë së Lirisë, ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta, Kryemadhi tha se nuk do të jetë në protestën e 6 dhjetorit para SPAK.
“Nuk merrem më me politikë, kam filluar profesion tjetër, mesa duket do të bëhem ndihmës avokate se me çfarë po lexoj dhe çfarë po shikoj jam e bindur që të keqen e gjyqtarëve dhe prokurorëve të plepave të Sali Berishës në ‘90”, tha Kryemadhi.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/