Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka nisur një hetim për nxjerrje të sekretit hetimor, teksa dyshohet për dekonspirim të operacionit për goitjen e organizatës kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, me bazë në Elbasan dhe Dubai.
Në kuadër të këtij operacioni, SPAK lëshoi 33 urdhër-arreste, teksa u ekzekutuan vetëm 13 prej tyre, 2 prej tyre të arrestuar më herët për vepra të tjera penale.
Burime për mediat bëjnë me dije se në kuadër të këtij hetimi, oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, kanë shkuar me urgjencë në zyrën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, duke i sekuestruar aparatin celular, me dyshimin se informacionet dhe emrat e operacionit të nisur nga SPAK kundër grupit “Çopja”, mund të kishin dalë prej tij.
Hajdar Çopja dhe Muhamet Rrumbullaku
Mësohet se Rrumbullaku ka dorëzuar celularin, ndërsa pas tij agjentët e BKH-së i kanë marrë telefonin dhe kqyrur e-mailin një zyrtari tjetër të lartë të Policisë së Shtetit, i cili ja kishte dërguar me e-mail vendimin e gjykatës disa prej drejtuesve të Forcës Operacionale dhe Drejtuesit të Policisë së Elbasanit.
Efektivëve të Policisë që u ka shkuar ky e-mail i dërguar nga zyrtari i lartë në drejtorinë qëndrore, u janë marrë telefonat dhe këqyrur adresat postare elektronike, me shpresën e gjetjes së personit që kishte nxjerrë informacionin, përpara se SPAK të ekzekutonte vendimin për urdhër-arrestet.
Mes personave që u është sekuestruar telefoni është dhe kreu i Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, i cili është një prej aplikantëve në garë për të marrë drejtimin e Policisë së Shtetit dhe emri më i përfolur për të zëvendësuar Muhamet Rrumbullakun.
SPAK mësohet se ka vënë në sitë në sitë 10 agjentë të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit që kanë qenë në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë, si dhe ka marrë në pyetje edhe tre drejtues Policie që kanë patur dijeni për operacionin.
Të gjithë emrat kishin dalë dhe pjesa dërmuese e personave përfshirë dhe biznesmenët që duhet të arrestoheshin, ishin larguar. Ndërkohë emrat në mesditë u publikuan në media.
Për disa prej anëtarëve të kësaj bande kriminale që sot janë në arrati, kishte të dhëna që ndodhen në Shqipëri, por ka dyshime se ata janë informuar për operacionin dhe për rrjedhojë janë arratisur.
Sipas SPAK, vëllezërit Hajdar dhe Franc Çopja janë drejtuesit e një organizatë kriminale, që është përgjegjëse për disa ngjarje kriminale të ndodhura në harkun kohor 2018-2020, mes të cilave masakra e Bradasheshit, ku u vranë Endrit Alibej, Arben Dylgjeri dhe një shtetas turk.
Hetim i nisur prej vitit 2022 ndaj vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, iniciuar nga dëshmitë e bashkëpunëtorëve të drejtësisë Erion Alibej e Nuredin Dumani, ka çuar SPAK në zbardhjen e disa vrasjeve, atentateve e grabitje.
Franc e Hajdar Çopja dyshohet të jenë krerët e grupit kriminal që fshihet pas vrasjeve si pasojë e përplasjeve mes grupeve, me qëllim sundimin e trafikut të kokainës në Europë. E konkretisht bëhet fjalë për përplasjen mes grupit Çopja dhe Alibej.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/