
Nëpërmjet një reagimi të dytë në 20 orët e fundit, Policia e Shtetit sfidoi Prokurorinë e Korçës lidhur me vlerësimin e hetimeve për ngjarjen tragjike që shkaktoi vdekjen e 42-vjeçarit Eglantin Proga, baba i dy fëmijëve.
Reagimi i së enjtes lidhet me vendimin e Prokurorisë së Korçës për të hetuar për “shpërdorim detyre” një inspektor të Patrullës së Përgjithshme, i cili akuzohet se nuk ka marrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së 42-vjeçarit.
Përplasjet në distancë mes dy institucioneve ligjzbatuese si Policia dhe Prokuroria janë pjesë e një reagimi më të gjerë publik lidhur me dyshimet për tentativë manipulimi të shkaqeve të vdekjes së Progës, të ngritura fillimisht nga familjarët e viktimës.
Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mbrojti policinë se kishte kryer të gjitha veprimet e nevojshme në një konferencë për shtyp të mërkurën, ndërsa akuzoi median për dizinform. Në të njëjtën linjë qëndrimi, debatit i hodhi benzinë edhe kryeministri Edi Rama, i cili pasi mori në mbrojtje veprimet e policisë, e konsideroi të pakuptueshme akuzën e ngritur nga Prokuroria për “vrasje nga pakujdesia”.
Mëngjesin e së enjtes, Policia e Shtetit bëri përmes një njoftimi për shtyp një vlerësim të ndryshëm nga Prokuroria e Korçës lidhur me inspektorin e akuzuar për “shpërdorim detyre”, si dhe duke pretenduar se i kishte kryer si duhet veprimet hetimore, ndryshe nga sa thotë Prokuroria. Sipas policisë, akt-ekspertimi ligjor për të cilin organi akuzës shprehet se nuk është vendosur në dispozicion, nuk mund të bëhet aty për aty, pasi e kryen Instituti i Policisë Shkencore, përkundrejt vendimeve për kryerjen e ekzaminimit.
Policia pretendon gjithashtu se inspektori me inicialet A.L nuk ka asnjë lidhje me hetimin policor të ngjarjes dhe as me operacionin e policisë për kapjen e autorit. Të dhënat e hetimit tregojnë gjithsesi se autori Denis Meçe u vetëdorëzua.
“Hetimi i ngjarjes kryhet nga Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë, ndërsa punonjësit e Patrullës së Përgjithshme kanë të tjera detyra funksionale në vendngjarje, përjashtuar ato hetimore,”, citohet në njoftim dhe theksohet se punonjësi i Patrullës së Përgjithshme ka përmbushur të gjitha detyrat funksionale.
Ndryshe nga sa evidentoi Prokuroria e Korçës, Policia e Shtetit vlerëson se ka dërguar në pranë organit të akuzës të gjitha materialet e nevojshme hetimore që kryhen në vendngjarje dhe gjatë hetimit paraprak.
“…Materiale procedurale të cilat janë dorëzuar në Prokurori me numër protokolli, çka hedh poshtë akuzën e Prokurorisë për mangësi në aktet e referuara nga Policia”, thuhet në njoftim.
E vënë nën shenjestër për “lehtësim të akuzës” nga kryeministri Edi Rama dhe kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, Prokuroria e Korçës u kundërpërgjigj të mërkurën me marrjen nën hetim të një inspektori policie për shpërdorim detyre në Pogradec, me pretendimin se nuk kishte marrë asnjë masë për të dokumentuar apo bërë prezent shkakun e vdekjes së 42-vjeçarit Eglantin Proga më 10 gusht.
Sipas njoftimit për shtyp të Prokurorisë, inspektori me inicialet A.L i trupës së shërbimit në Patrullën e Përgjithshme dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi ka raportuar tek kolegët të dhëna të pavërteta, duke pretenduar se viktima kishte qenë i dehur dhe kishte rënë në tokë, pa marrë parasysh rrëfimin e një dëshmitari okular, i cili i ka thënë se ndaj 42-vjeçarit ishte ushtruar dhunë.
Në njoftim sqarohet se pas mbërritjes së policisë, i ndjeri është transportuar në spital pa shenja jetë. Një prej dëshmitarëve në momentin e ngjarjes, kushëri i viktimës, ka shpjeguar para hetuesvve se ka dëgjuar inspektorin A.L., i cili i ka komunikuar se një person është i pirë dhe është rrëzuar. Dëshmitari ka shpjeguar se i ka thënë punonjësit të policisë se kushëriri i tij ishte goditur, por inspektori i ka thënë ‘ore ik andej’.
Prokuroria e Korçës thekson gjithashtu se në raportin paraprak që i kishte dorëzuar policia, viktima konsiderohej gabimisht si i dehur dhe ngjarja si aksidentale.
“…Rezulton e provuar, se prokurorit të gatshëm i është raportuar paraprakisht fakti se nga salla operative është marrë njoftim se një person i dehur i moshës rreth 37 vjeç është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal të Pogradecit”, konstaton prokuroria, duke shtuar se si pasojë e veprimeve të punonjësit të policisë nuk është bërë i mundur dokumentimi real i ngjarjes së ndodhur.
Dyshimet për një tentativë manipulimi të ngjarjes u denoncuan publikisht edhe nga familjarët e viktimës, duke shkaktuar irritim dhe revoltë në rrjetet sociale. Por të mërkurën, këto dyshime u hodhën poshtë nga kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe kryeministri Edi Rama, të cilët sulmuan mediat për dizinformim me ngjarjen.
Pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, edhe institucionet e drejtësisë u vendosën në një radhë të pazakontë për të reaguar.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku deklaroi se punonjësit e policisë vendore në Pogradec i kishin kryer si duhet gjithë veprimet hetimore dhe se në kohë rekord kishin zbardhur ngjarjen.
Ai tha se policia e kishte dërguar materialin hetimor në prokurori për “Vrasje me dashje” dhe se nëse organi i akuzës kishte kërkuar një tjetër masë ndaj autorit, kjo ishte çështje që nuk nuk u takonte dhe se as nuk kishin tagrin ta komentonin.
Rreth një orë pas konfrencës së Rrumbullakut, kryeministri Edi Rama nëpërmjet një postimi në rrjetin X, mbrojti Policinë e Shtetit dhe Urgjencën Kombëtare, duke u shprehur se këto institucione dhanë publikisht provat që hedhin poshtë akuzat e pabazuara se u tentua të fshihej ngjarja.
“‘Vrasja nga pakujdesia’ e ngritur si akuzë nga prokuroria, e cila tingëllon e pakuptueshme për këdo që është njohur me dinamikën e kësaj ngjarjeje tragjike, nuk ka asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me punonjësit e urgjencës, të cilët kanë kryer detyrën me profesionalizëm dhe integritet të plotë ligjor e moral”, shkroi Rama në rrjetin social X.
Edhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë deklaroi në mbrëmje se kishte nisur verifikimet për rastin, ndërsa ndaj të akuzuarit për ngjarjen pati lehtësim të akuzës nga “vrasja me dashje” në vrasje nga pakujdesia”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/