Parlamenti është mbledhur në seancën e fundit për këtë sesion parlamentar ku janë votuar dekretet për ndryshimet në Qeveri, por gjithashtu do të zgjidhet edhe Kryetarja e re e Kuvendit, pas dorëheqjes së paraqitur nga Lindita Nikolla, javën e shkuar.
Por kjo seancë e fundit parlamentare duket se ka prishur atë qetësinë dhe konsensusin e javës së kaluar, kur demokratë dhe socialistë u bënë bashkë dhe votuan ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Shkak për tensionet në sallë që më pas shkaktuan edhe kaosin ishte rrëzimi i kërkesës së paraqitur nga demokratët për një debat lidhur me ndryshimet në Qeveri.
Kërkesa në emër të PD-së u paraqit nga Gazment Bardhi, kreu i Grupit Parlamentar, që kërkonte një debat 6 orësh lidhur me ndryshimet në Qeveri.
Mospranimi i kërkesës ka sjellë tensionet në seancë, ku Gazment Bardhi ka tentuar të marrë fjalën, ndërsa Lindita Nikolla, e cila drejton sot Kuvendin për herë të fundit pas largimit nga posti i Kryetares së Kuvendit, përsëriste vazhdimisht që kreu i deputetëve demokratë ishte i përjashtuar. Kryetarja e Kuvendit ka pretenduar se po zbaton rregulloren, ndërsa deputetët e PD i janë rikthyer tezës se po u mohohen të drejtat kushtetuese për të folur në Kuvend.
Kjo u pasua nga një reagim në grup i deputetëve të PD-së, një pjesë e të cilëve zaptuan foltoren e Kuvendit, ndërsa të tjerë i binin tavolinave duke krijuar zhurmë, si ajo e shumë muajve më parë, kur tensionet ishin evidente në pothuajse çdo seancë.
“Hajdut, mafioz, gënjeshtare”, ishin disa nga artikulimet e Gazment Bardhit në sallën e Kuvendit, duke iu drejtuar kabinetit qeveritar ku ndodhej edhe Kryeministri Edi Rama dhe kryeparlamentares, Lindita Nikolla.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi ka kërkuar vazhdimisht të marrë fjalën për procedurë, por Nikolla e ka përjashtuar dhe është përgjigjur se kësisoj ai nuk mund të marrë fjalën. Teksa foltorja e Parlamentit është rrethuar nga gardistët, Bardhi është afruar i shoqëruar nga deputetë të tjerë demokratë, ndërsa i është drejtuar kryetares së Parlamentit me fjalë të ashpra.
Bardhi ka akuzuar Nikollën se ka gënjyer dhe se ka thënë se ishte sëmurë, duke iu referuar njoftimit të saj për tërheqjen nga detyra për arsye shëndetësore në seancën e të premtes.
Nikolla po ashtu i është përgjigjur Bardhit duke përsëritur thirrjet se ky i fundit është përjashtuar nga seanca, ndërsa ka shtuar se demokratit duhet “t’i vijë turp për fjalët e përdorura”.
Bardhi: Na jep fjalën për procedurë!
Nikolla: Je i përjashtuar nga seanca, nuk e merr dot fjalën për procedurë.
Bardhi: Ti the jam sëmurë, gënjeve Kuvendin!
Nikolla: Të të vijë turp për fjalët që përdor!
Spiropali kryetare
Me 75 vota pro dhe 4 kundër Elisa Spiropali, është zgjedhur Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë. Votimi për Spiropalin është zhvilluar me elektronikë, në pamundësi për tu zhvilluar me kuti, për shkak të kaosit që përfshiu sallën e Kuvendit.
Pasi është votuar si Kryeparlamentare, Spiropali ka mbajtur një fjalim, ndërsa deputetët e opozitës kanë vijuar të godasin tavolinat.
“Flamur një fjalë edhe mund të ma lejoni dhe më pas vijojmë me debatet sesionin e ri parlamentar”, iu drejtua Spiropali, deputetit Noka.
Spiropali shprehu falenderime dhe mirënjohje që iu besua pozicioni si kryeshërbëtore e Kuvendit.
Mes kaosit të krijuar në sallën e Kuvendit, ku një pjesë e ligjvënësve opozitarë ndodheshin në foltore dhe të tjerë godisnin tavolinat, deputetët kanë votuar dekretet.
Kuvendi votoi me 79 vota pro shkarkimin e Elisa Spiropalit si ministre për marrëdhënien me Parlamentin.
Me 78 vota pro u shkarkua nga posti i ministrit të Financave i Ervin Metes, me 78 vota pro u miratua shkarkimi i Niko Peleshit si ministër i Mbrojtjes dhe me 84 vota u shkarkua Taulant Balla si ministër i Brendshëm.
Ndërkohë Kuvendi votoi për emërimin e Petrit Malajt në postin e ministrit të Financave me 77 vota pro, ndërsa Pirro Vengu u emërua ministër i Mbrojtjes po me 77 pro.
Ervin Hoxha u votua si ministri i ri i Brendshëm me 76 vota pro dhe Taulant Balla si ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin me 78 vota pro.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/