Një ngjarje tragjike ka ndodhur në bioparkun AcquaViva në Caraglio, ku Anisa Murati, një vajzë 7-vjeçare shqiptare, u mbyt në liqenin artificial.
Familja jeton në Demonte, afër Cuneos.
Kjo ngjarje ka tronditur komunitetin dhe ka ngritur shqetësime rreth sigurisë dhe mbikëqyrjes në qendrat verore për fëmijë.
Babai i vajzës, Jetmir Murati foli për mediat italiane, dhe kërkoi drejtësi për tragjedinë e ndodhur.
Ai tha se vajza e vogël nuk dinte not dhe se ishte pajisur me krahët ndihmues për fëmijë.
“Ajo ishte jeta ime, pse ka vdekur në këtë mënyrë, kërkoj drejtësi deri në fund për këtë tragjedi” tha Murati.
“Dua drejtësi dhe të vërtetën, nuk mund të lini një 15-vjeçar të shikojë fëmijët. Syzet e vajzës sime ishin në çantë, ajo i hoqi para se të lahej. Ajo nuk ra rastësisht, nuk ishte vetëm”.
Janë thirrjet e të atit në mediat italiane pas humbjes së vajzës së tij 7-vjeçare.
Vajza e vogël, u gjet në dy metra thellësi nëpërmjet ndërhyrjes së urgjencës, dhe humbja e saj u vu re në momentin që duhet të shkonte në shtëpi. Murati i ishte besuar shoqëruesve të qendrës verore të cilët kishin për detyrë monitorimin e fëmijëve.
Edhe pse kishte pasur dhjetëra fëmijë nga e gjithë lugina, në biopark ishin vetëm 7 shoqërues, vetëm dy prej të cilëve ishin të rritur. Ndërkohë bioparku në fjalë është nën sekuestrim dhe është mbyllur teksa kryhen hetimet e nevojshme.
Dy ditë pas tragjedisë në liqenin e Bioparkut Caraglio, në zonën e Cuneos, menaxheri i bioparkit AcquaViva Roberto Manzi dhe drejtuesi i argëtimit të famullisë po hetohen për vrasje nga pakujdesia.
Është kthesa e parë konkrete në hetimet për vdekjen e shtatëvjeçares Anisa Murati, e cila u mbyt pasditen e së mërkurës në liqen.
Prokuroria ka caktuar si konsulent Federico Quaranta. Specialisti do të duhet të sqarojë dinamikën e saktë të vdekjes së vogëlushes shqiptare e cila u zhduk rreth orës 15.30 dhe u gjet rreth orës 18.00 e pajetë, në shtratin e liqenit pranë platformës së zhytjes, pasi zhdukja e saj ishte vënë re rreth orës 16:30.
Anisa ishte në një grup me dhjetëra fëmijë që kishin ardhur nga Lugina e Sturës. Udhëtimi u organizua nga qendra verore që ndodhet në famullinë Demonte, qyteti ku jetonte vogëlushja me familjen e saj. Shtatë kujdestarë, të gjithë vullnetarë shumë të rinj: vetëm dy prej tyre ata janë të rritur. E dyshuara është vajza përgjegjëse për grupin, tetëmbëdhjetë vjeçe.
Për këtë rast Prokuroria e Cuneos ka hapur një hetim për vrasje dhe braktisje të fëmijëve, ndaj personave ende të paidentifikuar, por që kanë qenë përgjegjës për kujdesin e fëmijëve në kamp.
Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë, të mërkurën e 17 korrikut, ku vajza e vogël u zhduk pak pas orës 15:00 në zonën e liqenit Acquaviva di Caraglio .
7-vjeçarja e kishte kaluar ditën në kamp së bashku me një grup nga Oratoria Valle Stura në Demonte, ku ajo dhe jetonte me familjen.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/