Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka reaguar në lidhje me dhunën e ushtruar ndaj avokatit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Sokol Mëngjesit.
Balla shprehet se Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa u përgjigjur akuzave të Rithemelimit, duke u shprehur se “zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij”.
“Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi. Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve. Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falenderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllimi vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor!”- u shpreh Balla.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike të drejtuar nga Rithemelimi, Floriana Garo, e cilësoi si një akt të shëmtua të urdhëruar direkt nga kryeministri, Edi Rama. Garo shton se Rama beson se me dhunë mund të frikësojë zërin e të vërtetës dhe të fshehu krimet e tij politike.
Deklaratë e zëdhënëses së Partisë Demokratike, Floriana Garo:
Sot ne mëngjes, tre bandite, te urdhëruar nga Edi Rama, kane sulmuar dhe goditur me leva në kokë në qendër të Tiranës, profesor Sokol Mëngjesin, avokati i mirënjohur i kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Ky është një akt kriminal dhe hakmarrje e verbër, primitive e Edi Ramës ndaj profesor Sokol Mëngjesit, sepse ai së bashku me kolegët e tij, faktuan para shqiptarëve me prova dhe dokumente zyrtare të pakundërshtueshme, se procesi gjyqësor kundër kryetarit të Partisë Demokratike është një proces kryekëput politik i bazuar ne një piramidë mashtrimi, siç është çështja e Klubit Sportiv Partizani.
Duke e goditur me banditë, me urdhër të tij direkt profesor Mëngjesin, dhe duke i shkaktuar atij lëndime të renda, Edi Rama dëshmon frikën dhe panikun që përjeton nga aktet e tij politike kriminale.
Ai beson se me dhunë do mund të frikësojë zërin e të vërtetës dhe fshehë krimet e tij politike.
Me këtë rast, në emër të Partisë Demokratike dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt banditesk kriminal ndaj profesor Sokol Mëngjesit dhe deklaroj sot se, Edi Rama, ai dhe vetëm ai, personalisht do mbahet përgjegjës për këtë akt të shëmtuar kriminal.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/