Ministria e Brendshme e Italisë ka publikuar tenderin për menaxhimin e tre ambienteve të pritjes së emigrantëve që do të ngrihen në Shqipëri, pas marrëveshjes së nënshkruar mes qeverisë italiane dhe asaj shqiptare në fillim të nëntorit.
Mediat italiane raportojnë se bëhet fjalë për një tender me të cilin shteti tashmë identifikon organizatat e përshtatshme për të menaxhuar strukturat, të cilave u kërkohet të paraqesin një ofertë deri më 28 mars.
Ndërkohë është parashikuar që ambientet akomoduese të jenë gati deri më datën 20 maj.
“Të tre strukturat do të mund të strehojnë pak më shumë se një mijë persona në të njëjtën kohë dhe mes tyre nuk mund të ketë të mitur, gra shtatzëna dhe persona të tjerë të konsideruar të pambrojtur.
Një nga tre strukturat do të ndërtohet pranë portit të Shëngjinit, rreth 70 kilometra në veri të Tiranës, ku duhet të kryhen procedurat e zbarkimit dhe identifikimit. Dy të tjerat do të vendosen në Gjadër.
Vlera e kontratës është pak më pak se 34 milionë euro, të cilave duhet t’i shtohen rimbursimet për shërbimet e transportit, shërbimet komunale, grumbullimin e mbetjeve, mirëmbajtjen e zakonshme dhe të jashtëzakonshme, lidhjen Wi-Fi, kujdesin shëndetësor. Rimbursimi për këto shërbime nuk është përcaktuar ende”, shkruajnë mediat italiane.
Funksionimi i qendrave
Një ekip mjekësh duhet të punojnë brenda kësaj strukture 24 orë në ditë: një mjek i specializuar në anestezi dhe reanimacion, një mjek i specializuar në kirurgjinë e përgjithshme, një mjek i specializuar në ortopedi me aftësi kirurgjikale, një personel mjekësor i specializuar në psikiatri, një infermiere instrumentale, një punonjës social, një teknik laboratori, një teknik radiologjie dhe një punonjës shëndetësor i specializuar në radiologji.
Qeveria italiane është treguar specifike edhe në lidhje me veshjet që do t’u ofrohen refugjatëve.
Parashikohet se atyre do t’u jepen pantallona, një këmishë, një bluzë, një palë pizhame, tre pantallona të shkurtra dhe tre palë çorape. Pritet vetëm një ndryshim mes veshjeve të ofruara për periudhën e dimrit dhe atë të verës.
Gjatë periudhës së qëndrimit në Shqipëri, emigrantët nuk do të mund të dalin nga qendrat. Nëse një gjë e tillë ndodh, ato do të kthehen nga autoritetet shqiptare.
Në dokumentet e Ministrisë Italiane kërkohen të jenë 3 automjete me gjatësi maksimale 8.5 metra që të kryejnë transportin e emigrantëve nga Porti i Shëngjinit në Gjadër.
Në port do të jetë në dispozicion dhe një auto ambulancë në rast nevoje për transportimin e emigrantëve në strukturat sanitare në territorin shqiptar.
Për garantimin e shërbimit shëndetësor në Gjadër do të ketë 3 salla për vizita ambulatore, 2 dhoma monitorimi të përkohshëm me 3 shtretër secila, 1 dhomë infermierie, 1 sallë operacioni, 1 laborator analize, 1 dhomë radiografie, 1 dhomë terapie psiko-psikiatrike, 2 dhoma izolimi me 1 e 2 shtretër.
Në Portin e Shëngjinit shërbimi shëndetësor do të garantohet nga 1 sallë ambulatore, 1 dhomë monitorimi me 3 shtretër, 1 dhomë izolimi me 3 shtretër.
Në momentin e hyrjes në territorin shqiptar emigranti do të pajiset me një komplet të higjienës personale që përmban 1 sapun të lëngshëm 125 ml (një herë në javë), 1 shampo (një herë në javë), 1 kartë higjienike (vetëm 1 top një herë në javë).1 furçë dhëmbës (një herë në muaj), 1 pastë dhëmbësh (një herë në muaj), 1 palë atlete, 1 palë pantofola, 1 palë mbathje që do u shtohen 3 të tjera në qendrën e Gjadrit, 1 palë pantallona, 1 bluzë, 1 këmishë, 1 pulovër, 1 xhup, 1 palë corape (3 palë corape të tjera do u jepen në qendrën e Gjadrit, si dhe 1 bluzë intime, 1 këmishë e 1 pantallona).
Në dokumentin e siguruar nga Syri Tv zbardhen dhe menuja ditore e emigrantëve që operatori ekonomik që do të marr në menaxhim kampet e emigrantëve në Gjadër duhet të garantojnë.
Ushqimet do të shërbehen në takëme njëpërdorimshme të biodegradueshme e të respektojnë kërkesat ushqimore e zakonet ushqimore në bazë të traditave kulturore e fetare të emigrantëve.
Mëngjesi do të përmbajë 4 feta bukë biskotë o 80 gramë biskota, 1 porcion gjalpë, 2 porcione reçel o mjaltë, 200 ml pijë e ngrohtë. Vaktet drekë e darkë, do të përmbajnë1 pjatë makarona ose oriz o cous cous, 150 gramë mish i kuq, ose 200 gramë mish i bardhë o peshk, apo 2 vezë të ziera dhe 100 gramë djathë, 2 panine, 1 litër ujë, 1 frut e 2 herë në javë ëmbëlsirë.
Për pastërtinë e veshjeve personale, emigranti do të pajiset me 100 ml detergjen larës dy herë në javë.
Në qendrën hotspot në çdo 24 emigrantë do të jenë 2 operatorë mbikëqyrës gjatë ditës e 1 gjatë natës, 1 ndërmjetës gjuhësor gjatë ditës e 1 ndërmjetësues gjuhësor gjatë natës, 1 psikologë, 1 operator social. 1 përgjegjës e 1 administrator 2 gjuhësh italisht e shqip.
Në kampin e qëndrimit të përkohshëm, në çdo 100 emigrantë do te ketë 5 punonjës ditorë, 2 punonjës gjatë natës, 1 përgjegjës, 1 nënpërgjegjës, 4 operator socialë. 1 operator informatikë, 1 psikologë, 2 administrator dy gjuhësh shqip e italisht, 10 ndërmjetësues gjatë ditës e 2 gjatë natës, 2 shoferë, 1 magazinierë, në çdo 4 orë 4 informues ligjorë.
Mediat italiane e kanë cilësuar të pamenduar mirë procedurën e përshpejtuar të negocimit pa garë të menaxhimit të kampeve në Shqipëri.
‘Një top letër higjienike e 1 palë mbathje në javë’ është titulli me të cilën e përditshmja ‘La Repubblica’ për 34 milionë euro në vit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/