Një krim i dyfishtë ndodhi mbrëmë në lagjen numër 10 të Korçës. Sipas policisë, një person ka qëlluar për vdekje 40-vjeçarin Emiljano Pine, që kishte edhe identitetin tjetër, Jorgo Prifti. Pasi ka kryer vrasjen, autori Ilo Lluka është vetëvrarë.
“Më datë 28.02.2024, rreth orës 20:25, në lagjen nr. 18, Korçë, rruga “Koço Golniku”, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri shtetasin Emiliano Pine, rreth 40 vjeç, banues në Korçë, i cili ka humbur jetën gjatë transportimit për në spitalin e Korçës.
Autori i dyshuar i krimit, pasi ka qëlluar 40-vjeçarin, dyshohet se është vetëvrarë me armën e krimit. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ku kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës armën e krimit, gëzhojat. Gjithashtu janë administruar dhe po këqyren pamjet filmike nga kamerat e sigurisë.
Për këtë rast është krijuar një grup i posaçëm hetimor i cili po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorit të ngjarjes”- njoftoi policia.
Sipas dëshmive konflikti mes palëve ka nisur për çështje prone. Nëna e Emiljano Pines bashkëjetonte me babain e Ilo Llukës, që jetonte jashtë vendit. Sipas informacioneve babai i Llukës kishte vendosur t’i linte në trashëgimi shtëpinë djalit të bashkëjetesës, Emiliano Pines. Kjo duket qe nuk është pranuar nga i biri, i cili ka vendosur të vijë në Korçë dhe të vendosë vetë “fatin” e tij.
61-vjeçari ka shkuar në kafen ku ishte 40-vjeçari në lokalin e lagjes dhe pasi i ka kërkuar që të dalë jashtë e ka qëlluar 4 herë duke e lënë të plagosur rëndë. Më pas ka ndërruar jetë në spital. Fill pas ngjarjes, autori ka qëlluar edhe veten duke mbetur viktima e dytë e kësaj ngjarjeje të rëndë.
“Në lidhje me ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme, në lagjen nr. 18, Korçë, ju informojmë se grupi hetimor pas veprimeve të kryera me qëllim zbardhjen e rrethanave të saj, ka bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes, që qëlloi me armë zjarri 40-vjeçarin E. P., i cili humbi jetën dhe më pas vrau edhe veten me armën e krimit.
Konkretisht autori është shtetasi I. Ll., 61 vjeç, banues në Korçë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë Korçë, vijon veprimet për zbardhjen e motiveve dhe shkaqeve të kësaj ngjarjeje.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Banorët e lagjes thanë se fillimisht kanë menduar se krismat kanë qenë fishekzjarre, por se kur kanë dalë në rrugë kanë gjetur të shtrire në rrugë të dy trupat.
“Isha në shtëpi kur ndodhi ngjarja. Dëgjova krisma, dola jashtë dhe i pashë të dy të shtrirë në rrugë. I njihja të dy personat. Emiljano ishte djalë i shkëlqyer. Nëna e Emiljanos e mbante në shtëpi babanë e Ilos prej disa vitesh dhe kujdesej për të, që kur ishte edhe i shoqi gjallë”, tha njëri prej tyre.
“Dëgjova krisma mbrëmë. I thashë gruas mos janë fishekzjarre dhe nuk dola në moment. Kur dola për të mbyllur derën pashë çfarë kishte ndodhur. Nuk njihja asnjërin prej tyre”, ka deklaruar një tjetër.
Jashtë kamerave, fqinjët e Emiljano Pines kanë treguar se familja jetonte me qera. Ndërkohë që babai i autorit të ngjarjes bashkëjetonte me familjen e Emiljanos prej 4 vitesh. Nëna e Emiljanos kujdesej për shkak të pamundësive të tij fizike dhe moshës. Sipas banorëve, babai i Emiljanos kishte 1 vit që kishte ndërruar jetë dhe ata e vazhdonin bashkëjetesën.
Sipas burimeve nga policia, bëhet me dije se pista kryesore e hetimeve mbetet trashëgimia e një apartamenti në pronësi të babait të autorit të ngjarjes, i cili donte t’ia linte si trashëgimi djalit të kujdestares. Ilo Lluka ishte emigrant, jetonte në Greqi dhe pasi ka marrë vesh vendimin e të atit për shtëpinë, është kthyer nga shteti grek dhe mbrëmjen e djeshme vrau Emiljanon e më pas veten. 61 vjeçari Lluka njihet si përdorues i pijeve alkoolike ndërsa ekspertiza mjeko ligjore ende nuk e ka konfirmuar nëse ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin kur kreu krimin.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/