Kryeministri Edi Rama ka bërë ndryshime në kabinetin e tij qeveritar. Kreu i qeverisë i ka propozuar presidentit të Republikës, Bajram Begaj emrin e Blendi Gonxhes si ministër për Ekonominë, Kulturën dhe Inovacionin.
Ky është një dikaster i ri ne qeverinë e kryeministrit Edi Rama. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Rama sqaron edhe arsyet pse ka shkrirë tre ministri në një të vetëm.
Blendi Gonxhja aktualisht mban postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Kujtojmë që deri tani ka pasur ministër për Ekonominë që është Ervin Mete dhe ministër për Kulturën që është Elva Margariti. Ndërsa ministre për Inovacionin ka qenë në vitin 2013, Milena Harito deri në vitin 2017.
Ministria e re do të këtë në përbërje degën e Ekonomisë, që aktualisht është në varësi të ministrisë së Financave dhe që drejtohet nga Ervin Mete. Me kete levizje, Ervin Metes do t’i mbetet vetem ministria e Financave. Po ashtu në këtë ministri të re, do të shkrihet dhe Kultura, ç’ka nënkupton largimin e Elva Margaritit në ministria që drejton aktualisht.
Ndërkohë që risia do të jetë dhe Inovacioni, pjesë e ministrisë së re.
“Lipset të kalohet sot në një qasje të integruar qeveritare në raport me sektorët e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të cilat për fazën e re të zhvillimit ku sapo kemi hyrë, duhet të dalin nga kufijtë e ngushtë tradicionalë të qeverisjes së vendit dhe të ndërveprojnë ngushtësisht me njëra-tjetrën, sidomos në kushtet kur teknologjia digjitale ka hyrë si një fuqi e re e kohës në të gjitha fushat e jetës dhe kërkon drejtim strategjik, orientim qeverisës e koordinim ndërsektorial; kur kultura nuk mund të mbetet më një ishull i vogël e i ndarë nga dinamikat e reja ekonomike e sociale të vendit, mbi të cilat ajo ka një potencial të madh ndikues, e prej të cilave ajo mund të përfitojë shumë më tepër; kur vetë sektori i ekonomisë në tërësi kërkon një përmasë të re në frontin e qeverisjes.
Për këtë nevojë strategjike të kësaj faze të re të zhvillimit, kam vendosur ndryshimin e strukturës së qeverisë dhe krijimin e një ministrie të re të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, e cila do të bashkojë në një të vetme pjesët që aktualisht funksionojnë të ndara në ministritë respektive të Financave dhe Ekonomisë e të Kulturës. * Për drejtimin e kësaj ministrie të re do t’i propozoj sot Presidentit të Republikës, zotin Blendi Gonxhe, një drejtues publik që ka spikatur për reformimin dhe modernizimin mbresëlënës të institucionit, orientimin konstant ndaj inovacionit në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit për qytetarët, shpejtësinë e integrimit të nënsektorit përkatës në kornizën e standarteve europiane”, shkruan Rama.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/