×

Rr. Ismail Qemali, Pallati 18, Kati 1, 1001, Tiranë, Shqipëri
“Shekulli Group”

Qyetetarët mbetën pa shërbime pas reformës territoriale dhe hartës së re gjyqësore, si po shkretohen qytetet nga shkurtimi i institucioneve nëpër rrethe

Përparim Caca, me profesion avokat nga qyteti i Kavajës, prej disa muajsh së bashku me familjen është zhvendosur për të jetuar në qytetin e Durrësit.

Shkak i largimit nga qyteti i lindjes është shkrirja e Gjykatës së Shkallës së Parë në Kavajë, që më pas iu bashkua asaj të Durrësit, që prej 1 shkurtit 2023 me hyrjen në fuqi të hartës së re gjyqësore.

Z. Caca pohon se largësia fizike e gjykatave, me hartën e re gjyqësore, jo vetëm ka shtuar shpenzimet për avokatët, por nuk ka arritur të përmbushë qëllimin kryesor të saj, për uljen e stokut të dosjeve të pashqyrtuara. “Largësia e madhe për të shkuar në gjykatë ka paralizuar shumë individë, veçanërisht kategorinë e pensionistëve, për të pasur akses në sistemin e drejtësisë”, – thotë ai.

Madje, në disa raste, siç thotë avokati Caca, pensionistët humbin jetën pa u marrë vendimi gjyqësor.

“Harta e re gjyqësore nuk e ka zgjidhur problematikën për dhënie sa më të shpejtë të gjykimit të dosjeve. Në Shkallën e Parë të Gjykatës Administrative, hapja e seancës së parë të gjykimit bëhet 7 deri në 8 muaj pas depozitimit të kërkesës.

Në disa raste, pensionistët largohen nga jeta para marrjes së vendimit. I tillë është rasti i një shtetasi nga zonat rurale të Kavajës, Razi Kalliçi, ish-pensionist, i cili u largua nga jeta pa u marrë vendimi për çështjen me subjekt ‘pavërtetësi fletë regjistri’ për librezën e punës.

Gjykimi i çështjes zgjati një vit, ndërsa në Gjykatën e Apelit kërkohet ankimimi, pas vdekjes së kërkuesit. Kjo është absurde”, thotë ai.

Avokat Klodian Gjermeni gjithashtu konstaton se edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë, një seancë gjyqësore zhvillohet çdo 5 ose 6 muaj dhe gjyqtaret kanë kohë të pamjaftueshme, për shkak të ngarkesës, për arsyetimet e vendimeve.

Sipas tij, kjo ngarkesë ka ardhur jo vetëm për shkak të reformës në drejtësi, por edhe të reformës së hartës së re gjyqësore.

“Me centralizimin e Gjykatave të Apelit, në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, situata u përkeqësua në gjykimin e çështjeve, pasi gjyqtarët e Gjykatave të Apeleve nëpër rrethe (Korça, Vlora, Shkodra, Gjirokastra), ku po gjykoheshin çështjet gjyqësore të viteve 2020, aktualisht po shqyrtojnë për gjykim çështje gjyqësore të vitit 2017.

Edhe Gjykata e Apelit Administrativ në Tiranë aktualisht është duke gjykuar çështje administrative të vitit 2017.

Pra, natyrshëm dalim në përfundimin se reforma, jo vetëm që ka rritur numrin e stokut të dosjeve, por ka rritur edhe afatet për shqyrtimin, vendimmarrjen dhe arsyetimin (zbardhjen) e këtyre vendimeve brenda afateve ligjore”, thekson juristi Gjermeni.

Vendimi për reduktimin e numrit të gjykatave u miratua më 10 qershor 2022 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Më tej, edhe pas kundërshtive të forta nga avokatët, të shoqëruara me protesta dhe bojkot seancash u miratua nga Këshilli i Ministrave më 21 korrik 2022.

Për avokatët, riorganizimi i gjykatave u nxit nga numri i lartë i vendeve të lira në pushtetin gjyqësor, si pasojë e procesit të vetingut.

Por shkurtimi i numrit të gjykatave, siç do të pohonte më herët drejtuesi i Dhomës së Avokatisë, Maks Haxhia, do të shtonte kostot e qytetarëve për të ndjekur çështjet gjyqësore, do të rriste rrezikun ndaj qytetarëve për të pasur akses në sistemin e drejtësisë dhe nga ana tjetër, do të dëmtonte profesionin e avokatit.

Por për Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Shoqatën e Gjyqtarëve, kjo reformë ishte e domosdoshme, pasi fragmentimi i mëparshëm i sistemit gjyqësor po krijonte pabarazi te ngarkesa e punës së gjyqtarëve, ku në shumë raste ishte e nevojshme të delegoheshin gjykatës nga njëra gjykatë në tjetrën, duke rritur jo vetëm kostot financiare të gjyqësorit, por duke nxitur edhe zvarritjen e proceseve.

Në raportin e KLGJ-së, të publikuar para miratimit të reformës, theksohej se rishpërndarja e gjykatave ka objektiv kryesor uljen e kostove dhe përshpejtimin e shqyrtimit të dosjeve.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë e ka vlerësuar vendimin antikushtetues dhe ka kërkuar shfuqizimin në Gjykatën Kushtetuese. Shqyrtimi i kërkesës tashmë ka nisur në Gjykatën Kushtetuese.

Struktura e re për funksionimin e sistemit gjyqësor nisi nga 1 Shkurti 2023, fillimisht me funksionimin e një gjykate të vetme të Apelit në Tiranë, pas shkrirjes që iu bë 6 gjykatave të Apeleve në rrethe. Në këtë mënyrë, u shkrinë Gjykatat e Apelit në Shkodër, Vlorë, Durrës Korçë dhe Gjirokastër, duke sjellë si pasojë, transferimin e të gjitha dosjeve në Tiranë.

Ndërsa nga 1 maji 2023, nisi riorganizimi i Gjykatave të Shkallës së Parë, nga 22, numri i tyre u shkurtua në 10. Në Tiranë, u bashkuan Gjykatat e Shkallës së Parë të Beratit, Elbasanit, Tiranës, Vlorës, Dibrës dhe Matit.

Gjykata e Durrësit u bashkua me gjykatat e Kavajës dhe Krujës, ajo e Fierit u bashkua me Gjykatën e Lushnjës, Gjykata e Gjirokastrës u bashkua me gjykatat e Sarandës dhe Përmetit, Gjykata e Kukësit me Gjykatën e Tropojës, ajo e Korçës me Gjykatën e Pogradecit, Gjykata e Lezhës u bashkua me Gjykatën e Kurbinit dhe ajo e Shkodrës me Gjykatën e Pukës. Nga 1 Korriku 2023 u mbajtën vetëm dy Gjykata Administrative të Shkallës së Parë, në rang vendi, një në Tiranë dhe një në Lushnjë, duke u shkrirë gjykatat administrative të rretheve.

Avokati Caca ngre shqetësimin se harta e re gjyqësore i ka shkurajuar individët t’i drejtohen sistemit të drejtësisë. “Qytetarë të shumtë po i anashkalojnë institucionet për zgjidhjen e problemeve, madje duke shkuar drejt vetëgjyqësisë”, thekson z. Caca.

Në anën tjetër, reforma ka përcaktuar se institucionet e mëparshme gjyqësore në rrethe do të funksionojnë si zyra administrative për ofrim shërbimi të protokollit apo arkivës për qytetarët. Por avokati Përparim Caca thotë se aktiviteti i tyre nuk është eficient dhe po rrit koston për qytetarët.

“Nëse një qytetari nga Kavaja i nevojitet një vërtetim për dokumentacion në Gjykatën e Durrësit, duhet të aplikojë pranë zyrave të Gjykatës së Kavajës. Marrja e kohës të paktën prej dy javësh për vërtetimin i detyron shumë qytetarë të marrin taksi të shkojnë në Durrës dhe ta tërheqin vetë vërtetimin.

Ndërsa kostot për mbajtjen e këtyre strukturave nuk janë ulur. Në shumë raste, po shërbejnë për punësimin e militantëve”.

Si harta e re gjyqësore, paralelisht edhe zbatimi i reformës territoriale, sipas juristit Përparim Caca, e kanë zbrazur qytetin e Kavajës.

“Në këtë qytet nuk ka më gjykatë, nuk ka zyrë tatim-taksash, as drejtori arsimore. Spitali i qytetit ofron vetëm shërbime ambulatore. Në rast urgjencash kirurgjikale, qytetarët duhet të shkojnë në Durrës apo Tiranë. Si reforma gjyqësore, edhe ajo territoriale, kanë boshatisur Kavajën dhe rrethet e tjera.

Qytetet kanë mbetur të shkreta. Për pasojë është rritur hemorragjia e largimit të njerëzve në emigracion. P.sh. në Kavajë, njerëzit më së shumti po largohen drejt Italisë, duke iu bashkuar familjarëve të tjerë”.

Avokati Klodian Gjermeni e konsideron reformën për shkurtimin e gjykatave një ndër faktorët që po nxit largimet në emigracion, pasi mosdhënia në kohë e drejtësisë prek jo vetëm cilësinë e jetës së një individi, por përkeqëson edhe situatën e tij sociale dhe ekonomike.

“Duke marrë parasysh postulatin ‘drejtësi e vonuar është drejtësi e mohuar’, qartë kuptojmë se mosdhënia e drejtësisë në kohë reale dhe mungesa e aksesit në drejtësi për shkak të distancës dhe kohëzgjatjes së proceseve gjyqësore, përkeqëson kushtet sociale dhe ekonomike në të cilin jeton individi, por në të njëjtën kohë vret edhe shpresën e shtetasit për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për veten dhe për familjen e tij”, nënvizon ai.

Shkretimi i qyteteve të vogla
“Në këtë qytet nuk ka më gjykatë, nuk ka zyrë tatim-taksash, as drejtori arsimore. Spitali i qytetit ofron vetëm shërbime ambulatore. Në rast urgjencash kirurgjikale, qytetarët duhet të shkojnë në Durrës apo Tiranë. Si reforma gjyqësore, edhe ajo territoriale, kanë boshatisur Kavajën dhe rrethet e tjera. Qytetet kanë mbetur të shkreta. Për pasojë është rritur hemorragjia e largimit të njerëzve në emigracion. P.sh. në Kavajë, njerëzit më së shumti po largohen drejt Italisë, duke iu bashkuar familjarëve të tjerë”.

Reforma për hartën territoriale ka kufizuar shërbimet në rrethe

Sipas ekspertëve, nuk është vetëm reforma për rishpërndarjen e gjykatave që po shkakton kufizim shërbimesh në rrethe me efekte te treguesit demografikë. Të njëjtin ndikim ka edhe reforma territoriale e miratuar në vitin 2014, e shoqëruar me reduktimin e 373 njësive vendore (duke përfshirë 308 komuna dhe 65 bashki), në vetëm 61 bashki dhe la të paprekur numrin e 12 qarqeve.

Për Agron Haxhimalin, drejtor ekzekutiv të Institutit të Bashkive të Shqipërisë, njëkohësisht edhe ekspert i çështjeve vendore, kjo reformë me gjithë përpjekjet dhe sforcimet e mëdha, kufizoi shërbimet ndaj qytetarëve, si në sasi dhe cilësi, madje ndikoi edhe tek efektiviteti i demokracisë dhe përfaqësimit lokal.

“Sot te 61 bashkitë, kryesisht në bashkitë tejet të zmadhuara, por jo vetëm, ka një nivel jo të kënaqshëm të përfaqësimit. Shërbimet e realizuara janë me ndjeshmëri të ulët. Vihet re pabarazi në shpërndarjen e shërbimeve midis zonave urbane dhe rurale. Zonat rurale nuk po marrin ende vëmendjen e duhur dhe të kërkuar nga shërbimet qendrore dhe bashkiake. Ky fakt theksohet edhe në raportin e Bankës Botërore për vitin 2022”.

Sipas z. Haxhimali, kjo ka ardhur nga pamjaftueshmëria e burimeve financiare e bashkive/qarqeve dhe kapacitetet administrative për të ushtruar me efektivitet kompetencat e tyre më të mëdha në politikëbërje. Ai vlerëson se autonomia fiskale e bashkive mbetet në rrezik, pasi pjesa më e madhe e buxhetit të tyre varet nga transfertat kombëtare dhe ofrimi i shërbimeve publike cilësore në nivel lokal mbetet i kufizuar.

“Situata financiare e bashkive është bërë gjithnjë e më e ndërlikuar nga goditjet ekonomike, me tkurrje të mëtejshme të burimeve të veta në dispozicion të bashkive. Këto konstatime janë të vërejtura edhe në raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë për vitin 2022”.

Për drejtorin ekzekutiv të Institutit të Bashkive, z. Haxhimali, kufizimi i shërbimeve të ofruara nga njësitë e qeverisjes vendore po ndikon edhe në lëvizjet demografike. “Është i dukshëm fakti se shumë qytetarë po largohen masivisht, si drejt Tiranës edhe drejt vendeve të zhvilluara.

Pra, përpos aspektit të problemeve mjedisore, ajo që tundon shumë grupe qytetarësh të largohen nga zonat dhe vendi tyre është se strukturat administrative me këtë organizim nuk garantojnë siguri dhe perspektivë për të ardhmen”.

Qasja ndaj efekteve të reformës territoriale është ndryshe për eksperten Merita Toska nga Co-PLAN. Sipas saj, reforma territoriale nuk solli kufizim të shërbimeve në rrethe dhe përqendrimin e tyre drejt Tiranës.

“Përkundrazi, pas Reformës Administrative Territoriale (RAT), bashkitë janë njëlloj përgjegjëse për shërbimet publike vendore. Të gjitha bashkitë në vend, pavarësisht përmasës së tyre, duhet të ofrojnë të njëjtat shërbime për komunitetin.

A i ofrojnë ato apo a kanë mundësi për t’i ofruar, ky është diskutim tjetër. Sigurisht, në Bashkinë e Tiranës, ofrimi i shërbimeve është në një nivel disi më të mirë sikundër është në bashkitë Korçë, Shkodër etj. Problematikë mbeten bashkitë e vogla, të cilat me buxhetet që kanë në dispozicion, nuk arrijnë të ofrojnë gamën e shërbimeve të parashikuara në ligj”.

Znj. Toska vlerëson se, pavarësisht se riorganizimi i pushtetit vendor krijoi bashki me territore më të mëdha, nuk mundi të adresojë siç duhet pritshmëritë e qytetarëve për shërbime, për shkak të detyrimeve financiare të prapambetura.

“Në vijim të Reformës Administrative Territoriale (RAT) mund të themi që ne vazhdojmë të kemi një qeverisje vendore të decentralizuar (tashmë të organizuar në 61 bashki), ndonëse treguesit për nivelin e decentralizimit në kahun e të ardhurave dhe të shpenzimeve, sipas Raportit të Financave Vendore 2022 të Co-PLAN, tregojnë se nuk janë bërë hapa të ndjeshëm në këtë drejtim.

Më shumë se në terma të hierarkisë, ndryshimi lidhet me përbërjen e brendshme të bashkisë, të cilat përthithën një sërë ish-komunash në përbërjen e tyre.

Kjo shkrirje nuk ishte e pabazë (njësitë që u bashkuan kishin lidhje funksionale, etj. ndërmjet tyre) por mbarti me vete apo trashëgoi problematikat individuale të tyre (të cilat deri diku ndihen edhe sot si p.sh. detyrimet e prapambetura).

Bashkitë tashmë janë më të mëdha, kanë territore dhe popullsi më të madhe për të shërbyer, çka përbën ndryshim të rëndësishëm dhe një sfidë që, edhe pse kanë kaluar vite, ende qëndron larg pritshmërive të qytetarëve”.

Znj. Toska gjithashtu pohon se zbatimi i RAT i hapi rrugën zbatimit të një sërë reformash në kuadër të decentralizimit.

“Me miratimin e ligjit 139/2015 ‘Për vetëqeverisjen vendore’, bazuar në parimin e subsidiaritetit, bashkive ju transferuan një sërë funksionesh të reja dhe sot bashkitë ofrojnë mbi 40 shërbime. Ky është një numër relativisht i lartë, sidomos nëse ne shikojmë kapacitetet e tyre dhe diferencat që ato kanë në terma të burimeve financiare në dispozicion.

Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes, bashkitë janë përgjegjëse për një numër më të lartë të shërbimeve për t’u ofruar komuniteteve që përfaqësojnë, por sa realizohen në të vërtetë mbetet për t’u diskutuar”, thekson ekspertja e çështjeve vendore në Co-PLAN.

Për sa i përket ndikimit të reformës për largimin e njerëzve në emigracion, por edhe për migrim të banorëve të rretheve drejt Tiranës, z. Toska tha se është rezultat i një sërë faktorësh. “Sigurisht mungesa e shërbimeve apo cilësia e dobët e tyre është një prej tyre.

Këtë mund ta vëmë re veçanërisht në zhvendosjen e popullsisë nga zonat rurale në ato urbane dhe moskthimin pas të tyre (p.sh. shumë studentë që vijnë për të studiuar në Tiranë apo në qytete të tjera të mëdha nuk kthehen më në vendet e tyre të origjinës dhe kërkojnë mundësi punësimi)”, thotë znj. Toska. /Monitor

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/

BKH kontrolloi shtëpinë, zyrën e gruas dhe i sekuestroi telefonin, reagon Erion Veliaj: Hetimi pasuror nga SPAK i mirëpritur, e mbështes!

BKH kontrolloi shtëpinë, zyrën e gruas dhe i sekuestroi telefonin, reagon Erion Veliaj: Hetimi pasuror nga SPAK i mirëpritur, e mbështes!

Publikuar më 07.12.2024
Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka reaguar pas kon...

Kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, ka reaguar pas kontrolleve nga Prokuroria e Posaçme dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, duke sekuestruar telefonin e Ajola Xoxës. Përmes një reagimi në rrjete sociale, Veliaj shprehet se “hetimi pasuror që po kryhet ndaj meje dhe familjarëve të mi, jo vetëm janë të mirëpritura, por edhe i […]

Lexo më shumë

E krahasoi me Taulant Ballën kur u pyet nëse ishte në listat e PD-së për deputet, Basha i përgjigjet Berishës: Pranoi të jetë patronazhist i Edi Ramës

E krahasoi me Taulant Ballën kur u pyet nëse ishte në listat e PD-së për deputet, Basha i përgjigjet Berishës: Pranoi të jetë patronazhist i Edi Ramës

Publikuar më 06.12.2024
Sali Berisha hedh poshtë çdo opsion që Lulzim Basha të jetë ...

Sali Berisha hedh poshtë çdo opsion që Lulzim Basha të jetë pjesë e listave të kandidatëve të PD për deputet, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 11 Majit 2025. Në një konferencë për shtyp nga selia blu, i pyetur nëse Basha do të kandidojë për deputet si përfaqësues i listës së PD, Berisha dha këtë […]

Lexo më shumë

Berisha: PD do të falë të gjitha gjobat për energjinë dhe ujin! Tu kthehen paratë e gjobave, kush i ka paguar

Berisha: PD do të falë të gjitha gjobat për energjinë dhe ujin! Tu kthehen paratë e gjobave, kush i ka paguar

Publikuar më 06.12.2024
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën...

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e tij për media, njoftoi se PD do të falë gjobat për energjinë, ujin dhe ndërtimet pa leje për disa kategori qytetarësh, si pensionistët dhe ata me të ardhura të ulëta. Ai e quajti të paligjshëm ligjin për ndërtimet pa leje dhe premtoi kthimin e çdo shume […]

Lexo më shumë

Shqiptari në Greqi rrëfen si dhe pse e vrau gruan. Publikohen mesazhet, si vrasësi mashtronte familjarët e gruas duke shkruar në telefonin e viktimës

Shqiptari në Greqi rrëfen si dhe pse e vrau gruan. Publikohen mesazhet, si vrasësi mashtronte familjarët e gruas duke shkruar në telefonin e viktimës

Publikuar më 06.12.2024
Kastriot Cenko, 39-vjeçari shqiptar që vrau gruan në Athinë,...

Kastriot Cenko, 39-vjeçari shqiptar që vrau gruan në Athinë, ka rrëfyer para hetuesve grekë shkakun përse kreu krimin. Sipas mediave greke, arsyeja ishte xhelozia. Autori ka thënë në polici se, sipas tij, gruaja e tradhtonte me shokun e tij të ngushtë. Gjithçka ka ndodhur, sipas pretendimeve të 39-vjeçarit, kur gruaja mori një telefonatë nga shoku […]

Lexo më shumë

Agjentët e BKH-së kontrollojnë shtëpinë e Erion Veliajt dhe zyrën e gruas. Ajola Xoxes i sekuestrohet edhe telefoni. SPAK: Hetimi ndodhet ende në fazën paraprake

Agjentët e BKH-së kontrollojnë shtëpinë e Erion Veliajt dhe zyrën e gruas. Ajola Xoxes i sekuestrohet edhe telefoni. SPAK: Hetimi ndodhet ende në fazën paraprake

Publikuar më 06.12.2024
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organ...

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zhvilluar kontrolle në banesën e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Mësohet se agjentët e BKH shkuan në orët e para të mëngjesit në banesën ku jeton kryebashkiaku. Kujtojmë që kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj po hetohet nga SPAK për aferën […]

Lexo më shumë

Presidenti Begaj dekreton datën e zgjedhjeve parlamentare për vitin 2025, ja kur do të mbahen votimet

Presidenti Begaj dekreton datën e zgjedhjeve parlamentare për vitin 2025, ja kur do të mbahen votimet

Publikuar më 05.12.2024
Presidenti Bajram Begaj dekreton datën e zgjedhjeve parlamen...

Presidenti Bajram Begaj dekreton datën e zgjedhjeve parlamentare për vitin 2025. Sipas dekretit zgjedhjet parlamentare do të mbahen më datë 11 Maj. “Shkaku themelor për caktimin e datës 11 maj 2025 si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve qëndron në nevojën e shprehur nga KQZ-ja për të shfrytëzuar të gjithë kohën në dispozicion për përgatitjen […]

Lexo më shumë

PS propozon që të falen gjobat e “Covid-19” dhe të ndërtimeve pa leje të vendosura nga viti 2015, Berisha del kundër

PS propozon që të falen gjobat e “Covid-19” dhe të ndërtimeve pa leje të vendosura nga viti 2015, Berisha del kundër

Publikuar më 05.12.2024
Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin për t...

Partia Socialiste ka depozituar në Kuvend draftin për t’u shqyrtuar me procedurë të përshpejtuar në Parlament për faljen e gjobave të ndërtimeve pa leje në fshat. Drafti u firmos nga 40 deputetë dhe u bë objekt debati të ashpër në seancën e sotme parlamentare ku demokratët akuzuan PS-në se në 12 vite ka vënë gjoba të […]

Lexo më shumë

 Ilaçet kimio mungojnë prej kohësh në QSUT për pacientët, shiten kontrabandë përpara Spitalit Onkologjik

 Ilaçet kimio mungojnë prej kohësh në QSUT për pacientët, shiten kontrabandë përpara Spitalit Onkologjik

Publikuar më 04.12.2024
Gazetari Osman Stafa ka denoncuar një tjetër skandal me repa...

Gazetari Osman Stafa ka denoncuar një tjetër skandal me repartin e Onkologjisë në QSUNT, teksa këtë herë bëhet fjalë për shitjen kontrabandë të ilaçeve kimio. Sipas gazetarit Stafa, këto ilaçe mungojnë tek Onkologjiku dhe shiten kontrabandë nga farmacitë rreth QSUNT-së. Në një postim në rrjetet sociale, ai shkruan se posedon edhe prova me biseda për […]

Lexo më shumë
car rental tirana real estate saranda