Pirro Naçi
I nderuari Zoti Presidendent i Republikës! Sot është 7 dhjetori, një ditë e veçantë për Ortodoksinë. Sinodi i shenjtë i Patrikanës Ekumenike e ka shpallur, një vit më parë, shënjtor të Ortodoksisë birin e Delvinës, Murgun e Malit Athos, Gerasimo Mikroyananiti ( Anastas Greka) duke e vendosur të kremtohet më 7 dhjetor, shenjti i dytë pas Nënë Terezës.
Ai lindi më 5 shtator 1905 në fshatin Dhrovjan të Delvinës. Pas mbarimit të shkollës fillore mori rrugën e mërgimit për t’u bashkuar me të atin që punonte në Pire të Greqisë. Në kujtimet e tij shkruan: ’’Nga Dhrovjani nuk më kujtohet në se u largova me qëllim të kthehesha përsëri’’. Me mbarimin e shkollës së mesme ju kushtua jetës murgërore. Më 15-8-1923 mbërin në Malin Athos. Për rreth 70 vjet jetoi dhe punoi në këtë vend të shenjtë. Është një nga himnografët më të mëdhenj të kishës Ortodokse. Sa ç’ka shkruajtur ai, nuk kanë shkruar të gjithë së bashku të tjerët.
Në total vepra e At Gerasimit përbën sot një bibliotekë të tërë, që numëron 48 kodikë-vëllime me nga 800 faqe secili. Nga kjo vepër kolosale, është botuar vetëm një pjesë e vogël, ndërsa pjesa më e madhe mbetet ende e pabotuar. Përveç kësaj, vepra edhe për shkak të frymës së madhe poetike mori përmasa universale. Vepra e tij mori rëndësi ndërkombëtare dhe u përkthye në gjuhë të ndryshme, si në anglisht, fërngjisht, gjermanisht, holandisht, serbisht, në gjuhën arabe, gjerorgjiane, rumune etj…Fryt i njohjes që ka dhënë vepra e At Gerasimit në emër të kishës dhe promovimi i tij ndërkombëtar, janë nderimet e shumta që i janë dhënë.
Profesori gjerman i shkollës Teologjike të Univesitetit të Hunderbergut, Frydrih Heyer, e konsideron atë unik në monastirizmin modern dhe përfaqësues të himnistëve më të mëdhenj të Kishës Ortodokse. Akademia e Athinës, në takimet e saj të vazhdueshme ka shprehur admirimin e saj për personin dhe veprën e At Gerasimit. Para së gjithash, vërtet, duhet shkruar për të paraqitur portretin shpirtëror të Plakut të Bekuar, por mendoj se këto rreshta janë shumë të pakta për të përshkruar 70 vjet jetë vetmitare, me përjetime të pasura shpirtërore dhe një kontibut kolosal himnografik me vlera të pallogaritshme për kishën, por pse jo edhe për vendin tonë. Historianët dhe studiuesit, specialistët e veprës së tij me siguri do t’i kushtojnë shumë faqe për të paraqitur personalitetin e bollshëm dhe për të vlerësuar me hollësi kontibutin e tij në traditën himnografike të kishës. Por unë mendoj se nuk mjaftojnë vetëm këto.
Zoti President i Republikës mendoj se një vlerësim për këtë figurë të madhe mund të bëhet edhe nga Intitucioni i Presidentit. Format dhe mënyrat janë nga më të ndryshmet. Deri më tani, megjithëse nga shenjtërimi, ka kaluar pothuajse një kohë e konsiderueshme, nga organet shtetërore nuk ka pasur as edhe një reagim për vlerësimin apo për ta bërë të njohur në opinionin tonë publik.
At Gerasimi, plaku dhe murgu i bekuar, po të mos kishte marë rrugën e mërgimit, eshtrat e tij do të preheshin diku në Dhrovjan, ose në Delvinë, Sarandë apo edhe në Tiranë. Por fati e solli të prehen në Malin Athos. Certifikatën e lindjes e e ka akoma në Delvinë, këtë nuk duhet ta harrojmë. Në këtë botë gjithnjë në tkurrje, secili prej nesh ka nevojë për të gjithë të tjerët. Njeriun duhet ta kërkojmë kudo që është…
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/