Ka ndërruar jetë në moshën 73-vjeçare aktori i madh i humorit Zef Deda. Artisti shumëdimensional i cili ka spikatur me rolet e tij ne teatër dhe kinematografi mbylli sytë në qytetin e tij të lindjes pas një sëmundje të rëndë që e kishte prekur prej pak kohësh.
Zef Deda është një nga komedianët më të mirë të Shqipërisë, i cilësuar edhe si Charlie Chaplin i Shqipërisë. Lindi në Shkodër më 27 korrik 1950. Eshtë shkolluar në qytetin e tij të lindjes, dhe në politeknikumin e ndërtimit në Tiranë. Fillon shkollën e lartë për gjuhë-letërsi, por nuk e mbaron dot për arsye shëndetësore. Ka punuar për më shumë se 40 vite në Teatrin Migjeni të Shkodrës. Talenti i tij spikat që në moshë të vogël.
Me një shkathtësi dhe me një plastikë të shkëlqyër psiko-fizike ai arrine të realizojë qindra figura artistike. Prandaj edhe është mjaft i dashur për publikun shqiptar, sidomos atë Shkodran.
Pas një shkëputje prej 6 vitesh, për shkak te emigrimit jashtë atdheut, ai kthehet në vitin 1996 në Shqipëri për të ushtruar profesionin e aktorit, të cilin e vazhdon me shumë sukses. Zef Deda është i martuar me Rozina Dedën dhe ka dy djem, Julian Deda dhe Marjan Deda. Zef Deda gjithashtu ka interprertuar edhe shumë komedi si: “Vëllai nga babai”, “Kollovari”, “Big Brother Shkodra 1”, “Big Brother Shkodra 2”, etj.
Aktorja e njohur shkodrane, Drande Xhaj, partnerja në skenë e Zef Dedës, mes lotësh ka treguar takimin e fundit me aktorin, i cili ndërroi jetë sot pasi një beteje me një sëmundje të rëndë.
Aktorja, e cila ka qenë partnere e tij në skenë, rrëfeu se pavarësisht se u diagnostikua me sëmundjen Zef Deda nuk pranoi të rrinte në shtrat, por dilte dhe bënte shëtitje.
Drande Xhaj u shpreh se dy muajt e fundit aktori i ndjerë ka qëndruar në shtëpi pasi nuk lëvizte dot. Ndërsa tregoi se e takoi për herë të fundit dy ditë më parë për t’u interesuar për shëndetin e tij.
Ajo u shpreh se largimi nga jeta i aktorit Zef Deda i ka shkaktuar dhimbje të madhe.
“Para dy netësh shkova e takova, kemi shkuar më përpara, jemi interesuar për shëndetin e tij. Ishte i ri për tu larguar nga jeta, na la një dhimbje të madhe. Është Chaplin shqiptar, është aktor fenomen. E kemi dashur, kemi ndarë gjithçka me të, na mungon jo vetëm si artist, por edhe si njeri.
Ka dy muaj që ishte në shtëpi dhe nuk lëvizte, është konstatuar gati një vit më përpara. Por nuk pranoi të rrinte në shtrat, ka dalë ka lëvizur, e kemi takuar. Ka shëtitur edhe pse ishte i lodhur, Shpirti i tij prej artisti nuk e pranoi, ai s’ka ikur, do jetë përjetësisht në familjet shqiptare”, tha aktorja Drande Xhaj për News 24.
Rita Gjeka, drejtoresha e teatrit Migjeni në Shkodër ka reaguar në lidhje me lajmin e trishtë për ndarjen nga jeta të aktorit të njohur Zef Deda.
Në një lidhje telefonike për News24, Gjeka ta se Deda ishte një drita e një epoke të ndritur për teatrin Migjeni.
“Edhe pse diferenca në moshë me Zefin nuk është e madhe, e kam pasur idhull. Ai ka qenë një aktor jo vetëm i madh, por fenomeni Zef Deda. Ka lënë një epokë. Ne kemi jetuar atë epokë dhe ai ka qenë drita. Ai e donte shumë estradën dhe ndenja që ai kishte, e kishte që të ngrihej sa më shumë. Amaneti që ka lënë, do të bëhet realitet. Edhe në drejtimin e teatrit e ka marrë Kuliçi. Do të plotësohet amaneti i Zefit. Iku në një moshë krejt të re. Edhe në rini ka pasur disa probleme me këmbët, por i kapërcente me humorin e tij. Tani e këputi sëmundja e keqe. Nuk kam shkuar ta takoj, pasi kisha qejf që ta mbaja mend Zefin ashtu siç më parë. Zefin e ka dashur gjithë populli, të gjithë e kanë vlerësuar. Edhe opozita dhe pozita, mendoj se është shpërblyer. E ka marrë dhe pensionin e veçantë, të paktën nuk ngeli fukara. Ka pasur të ardhurat e veta, edhe pse kishte dy djemtë të mrekullueshëm. Shokun Xhemal, atë e veçoj si rol.”, tha ajo.
Sejfulla Myftari thotë se me Zef Dedën ka shumë kujtime të bukura, ndërsa thotë se “nuk vjen më një aktor si Zef Deda”.
Mes lotësh ai kujton edhe momentet me te bukura qe kane kaluar se bashku ne skene.
“Kam kujtime të mrekullueshme, e kam pasur shumë shok dhe mik. Është humbje e madhe për humorin shqiptar.
Më vjen shumë keq, nuk mundet të flas dot më!
Që në vitin ‘73 njiheshim bashkë, kemi qenë shokë!
Kujtoj ato që kemi luajtur. Kur u liruam nga ushtria kemi pasur hyrje dalje, ishte aktor i mrekullueshëm.
E dija që ishte i sëmurë, por jo që ishte në këtë gjendje.
Një humbje e madhe për humorin shqiptar, një aktor i mrekullueshëm
Nuk vjen më Zef Deda në Shqipëri”, shprehet Cekja.
Regjisori i njohur Osman Mula në një lidhje për News 24, kujtoi aktorin e madh shkodran Zef Deda, i cili u nda nga jeta ditën e sotme. “Lajmin e mora vesh para tre minutave. Më erdhi si bombë. E ndjeva veten keq, pasi Zefin e kam pas shokun më të ngushtë që i vogël që kur kam filluar klasën e parë. Kur na shihnin në Shkodër, thoshin ku është Zefi është edhe Osmani, ku është Osmani është edhe Zefi.
Është një njeri me zemër të madhe. Shumë shpejt u pa tek ai që jetën do ta kishte në skenë. Imitonte shumë bukur që i vogël. Ishte shumë i këndshëm. Zefi ishte i sëmurë kohët e fundit. Unë isha në Shkodër para tre javëve për festivalin Luleborë dhe pyeta për Zefin dhe më thanë nuk është mirë dhe më thanë mos shko në këtë gjendje. Do ta kisha pasur shumë të vështirë. Nuk ka shkuar kurrë në Shkodër pa e parë Zefin. Zefi ka kenë një djalosh që e donte teatrin.
Zefi nuk ka kenë në estradë se ishte aktor i madh. Zefi nuk e luajti aktorin e madh në jetën e përditshme, por ishte aktor i vërtetë në skenë. Për të folur për Zefin na duhen vite. Zefi ka studiuar klarinetë, por nuk e donte këtë. Donte të kapte 70 profesione. E shihte një person me biçikletë dhe ishte i gatshëm ta analizonte me detaje. Të gjitha këta kategori të njerëzve i sillte para shoqërisë dhe shoqëria shqiptare ia pranoi”, tha ai.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/