
Etleva Bodi, 31-vjeçe ka ndërruar jetë në Itali mbrëmjen e djeshme. Shqiptarja nuk ka mundur t’i bëjë ballë plagëve të marra, pasi u mbyt nga bashkëshorti i saj, Selami Bodi, 41 vjeç.
Sipas asaj që është konfirmuar deri më tani nga policia, Etleva dhe bashkëshorti i saj kanë pasur një debat të dhunshëm gjatë natës të së premtes për arsye xhelozie, raportojnë mediat e italiane.
Gruaja ndodhej në dhomën e saj dhe po fliste në telefon. I shoqi e kishte dëgjuar duke folur, hapi derën dhe i vuri duart në fyt duke u përpjekur ta mbyste.
Më pas, kur kuptoi se 31-vjeçarja nuk merrte më frymë, ai vetë bëri thirrje për ndihmë. Katër fëmijët e çiftit, të moshës nga 5 deri në 11 vjeç, po flinin në dhomat e tyre.
Pas mbi një orë përpjekje, punonjësit e shëndetësisë që kanë shkuar me shpejtësi në vendngjarje kanë arritur ta ringjallin gruan, por gjendja e saj ishte kritike.
E transferuar në spital me kodin e kuq, zemra e saj pushoi së rrahuri pas 48 orësh.
Bashkëshorti i viktimës, pa precedentë penalë, u transferua në burgun Marassi (Xhenova), i akuzuar për vrasje të rëndë për shkaqe të parëndësishme. Ai do të merret në pyetje në ditët në vijim.
31-vjeçarja, nënë e 4 fëmijëve ndërroi jetë pas dy dite në koma në spitalin e Savonës, ndërsa kujdestaria për të vegjlit i ka kaluar njërit prej vëllezërve të Etlevës, raportojnë mediat italiane.
Në një intervistë ekskluzive për emisionin “Me zemër të hapur” në News24, vëlla i Etleva Bodit, ka treguar ngjarjen e rëndë. Ai tha se djali i tyre ka qenë dëshmitar i ngjarjes.
Erjoni tha se djali i motrën e kishte marrë në telefon dhe e kishte njoftuar për ngjarjen.
“Në 27 tetor më mori në telefon nipi në 12:30 të natës dhe më tha “dajë hajde shpejt se mami ka pësuar atak kardiak dhe është ambulanca te shpia’.
Mora makinën dhe shkova, por fatkeqësisht e kishin sjellë në jetë por kishte shkaktuar dëme cerebrale nga mungesa e oksigjenit. Qëndroi gati 18 orë në spital, dhe pastaj ndërroi jetë.
Kur shkova te shtëpia, ishte nipi dëshmitar i ngjarjes, ka përjetuar gjithë situatën. Ai ka treguar gjithçka, motra ka qenë e mbyllur në dhomë me nipin.
Policia ka telefonin e motrës, nuk ka pasur telefonatë, por ka qenë halucinacioni i tij që ka menduar se ka fol në telefon me dikë. Kur nipi ka hapur derën e dhomës, ka vendosur duart në fyt…
Për momentin nipi i madh, është futur dhe në internet, ka parë që mami ka ndërruar jetë. Jam përpjekur që ta ndikoj, të bëhem krah për ta. Nipërit e tjerë akoma nuk e dinë që e ëma ka ndërruar jetë. Ata janë në shtëpi jonë.
Motra ka qenë rreth 17 vite e martuar, dhe prej 15 vitesh jetonin në Itali. Probleme kanë pasur si çdo çift, por jo probleme që të arrijnë deri këtu.
Ndoshta probleme ka pasur, por i ka mbajtur për vete, ka menduar për fëmijët dhe të mos shkaktojë probleme. Shkaqet kanë qenë xhelozie besoj”, tha ai.
Mes hidhërimit për ndarjen nga jeta të motrës së tij Etleva Bodi, Erjon Kanolja u kërkon ndihmë shqiptarëve për të sjellë në Shqipëri trupin e pajetë të saj.
Vëllai i viktimës tregon se është lajmëruar nga nipi vetëm 13 vjeç për ngjarjen e rëndë, i cili e ka telefonuar “Daja, hajde shpejt”.
Përmes një ‘Gofoundme’, vëllai i Etlevës kërkon ndihmë monetare jo vetëm për të sjellë trupin e së motrës, por edhe për rehabilitimin e fëmijëve të mitur, të cilët janë në duart e drejtësisë italiane pasi i ati është në burg.
Quhem Erjon Kanolja. Ngjarja e rëndë që ndodhi mbrëmjen e 27 tetorit në Savona të Italisë, i mori jetën motrës sime të pafajshme Etleva Bodi, e cila u bë viktimë e bashkëshortit të saj dhe e episodeve të tij të sëmura të xhelozisë.
Lajmërohem atë mbrëmje nga nipi im, i cili është veçse një fëmijë 13 vjeç: “Daja, hajde shpejt”-, ishte thirrja e tij. Forcat policore dhe mjekësore dhanë maksimumin e tyre për të shpëtuar jetën e motrës sime, por ajo e pati të pamundur të mbijetonte për shkak të traumës që pësoi dhe ndërroi jetë mbrëmjen e 29 tetorit ora 21:00.
Motra ime la pas 4 fëmijë, ku me i madhi prej tyre është 13 vjeç. Të 4-tërt këta femije tani janë në dorë të drejtesisë italiane dhe fatit, pasi e ema e tyre ndërroi jetë dhe i ati i tyre gjendet nën arrest.
Ne u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve dhe personave të ndjeshëm ndaj kësaj fatkeqësie që na ka ndodhur të na ndihmojnë sadopak të sjellim trupin e pajetë të motrës sonë në Shqipëri dhe gjithashtu ndihmë sadopak për rehabilitimin që do t’u bëhet 4 fëmijëve të saj të mitur që ajo la pas.
Një ngjarje e tillë na ka lënë të shokuar dhe të mpirë, të paaftë për të pranuar realitetin.
Një ngjarje e tille si kjo na ka plagosur thellë në shpirt dhe do mbetet traumë e përjetshme si për ne, ashtu dhe për fëmijët që kanë qenë prezent në skene dhe në momentin e tentativës së vrasjes.Ju lutemi na ndihmoni të sjellim trupin e saj te pajetë dhe t’i rehabilitojme këta 4 fëmijë jetimë!”, shkruhet në lajmërimin e ndjerë të vëllait të viktimës.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/