
Automjetet që do të pakohen gabim në Tiranë do të largohen nga Policia Rrugore me karrotrec, me qëllim uljen e trafikut nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit.
Burime nga Rrugorja bëjnë me dije se 40% i trafikut në Tiranë krijohet nga parkimet e gabuara dyshe, aty ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e vëmendjes për të lehtësuar qarkullimin.
Nisma tashmë ka nisur dhe përveç Policisë Rrugore, të angazhuara për konstatimin e mjeteve me parkim dysh por edhe në situata të tjera, janë edhe komisariatet e Tiranës dhe Policia Bashkiake. Të martën në terren kanë zbarkuar efektivët për të konstatuar parkimet dyshe dhe janë vendosur në total 5201 gjoba, por që tashmë nuk do të ketë më tolerime dhe paralajmërime.
Karrotrecët në pronësi të dy policive, rrugore dhe bashkiake do të tërheqin në ditën në vijim makinat, të cilat do të mbahen në afërsi të Komisariatit të Policisë Rrugore në Kinostudio. Në vijim pritet të ketë shtim të karrotrecëve, nëse do të jetë e nevojshme.
Tërheqja e makinave në komisariat do të bëhet vetëm pas pagesës së gjobës dhe vlerës së transportit për karrotrecin.
Policia ka një intensifikim të kontrolleve për parkime dhe me gjoba do të ndëshkohen ata drejtues mjetesh që parkojnë dhe pengojnë qarkullimin edhe për pak kohë, sidomos në afërsi të institucioneve shëndetësore, shkolla, e më gjerë.
Aktualisht rrugët më problematike që kanë trafik të shtuar për shkak të parkimeve dyshe janë Rruga e Dibrës, Rruga e Kavajës, Rruga e Durrësit, bulevardi “Gjergj Fishta”, bulevardi “Bajram Curri” dhe rruga “Ferit Xhajko”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/