Gjykata ka caktuar 8 masa sigurie për ish-zyrtarë të lartë të Ministrisë së Shëndetësisë për abuzime me koncesionin e sterilizimit. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është arrestuar ish-zëvendësministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Për këtë koncesion kishin nisur hetimet nga Prokuroria e Posaçme, SPAK, pas kallëzimeve se ky projekt është i panevojshëm, duke hedhur dyshime për abuzime të ndryshme financiare.
“SaniService” fitoi në vitin 2015, koncesionin për “ofrimin e shërbimeve të integruara për setin e personalizuar të instrumenteve kirurgjikale, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, si dhe trajtimin e mbetjeve biologjike dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale”, me afat 10-vjeçar.
Të dhënat nga bilancet tregojnë se për periudhën 2016-2022, të ardhurat e koncesionarit, që janë pagesa nga buxheti i shtetit përmes parave të taksapaguesve arritën në 8 miliardë lekë, ose 76 milionë euro.
Duke përjashtuar dy vjet që ka dalë me humbje, koncesioni ka fituar rreth 7.3 milionë euro. Norma e fitimit ka qenë mesatarisht rreth 15%. Fitimet më të larta u arritën në 2018 me 2.5 milionë euro dhe 2022 me 2 milionë euro.
Viti me të ardhura më të larta ishte ai 2018, me 1.7 miliardë lekë të ardhura, shumë që ishte më e lartë sesa parashikimi buxhetor, duke bërë që Ministria e Shëndetësisë të urdhëronte kufizimin e operacioneve (jo të domosdoshme) për të parandaluar shpenzimet tej parashikimit.
Ministria e Financave, në një raport të vitit 2020 për zbatimin e kontratës koncesionare për sterilizimin ka pranuar se risku i financimit është marrë përsipër tërësisht nga buxheti dhe deri tani janë materializuar risku i kërkesës dhe risku i negocimit, çka ka bërë që buxheti të paguajë rreth 5 milionë euro më shumë vetëm për vitin 2018.
Kostoja e këtij koncesioni u rrit ndjeshëm, për shkak të numrit të lartë të ndërhyrjeve kirurgjikale, në raport me parashikimet.
Në projektbuxhetin e vitin 2020, në tabelën që sqaron financimet buxhetore për koncesionet, Ministria e Financave raportoi se vlera totale e kontratës për koncesionin e sterilizimit të mjeteve kirurgjikale në salla do të arrijë në 16.5 miliardë lekë, nga 10 miliardë lekë që ishte raportuar në buxhetin e vitit 2018.
Sipas raportit të financave, pagesat për këtë kontratë realizohen sipas skemës (pay x use), prandaj tejkalimi në nivel vjetor i numrit të ndërhyrjeve të planifikuara sjell kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
Por, të dhënat e paraqitura nga Ministria e Financave tregojnë se planifikimi ka qenë shumë i gabuar dhe situata ka dalë nga kontrolli në 2018-n. “Niveli i ndërhyrjeve i parashikuar në kontratë është 62 957 ndërhyrje, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117 000 ndërhyrje”, thuhet në raport.
Po në vitin 2020, Ministria e Shëndetësisë përmbylli një proces rinegocimi me kompaninë “Sani Servise” me qëllim që të ulë kostot e pagesave buxhetorë, të cilat kishin kaluar parashikimet në kontratë për shkak se, numri i operacioneve të zhvilluara në spitale ishte më i lartë se parashikimet.
Ministria e Financave bëri të ditur se pas negociatave u ra dakord me koncesionarin që për të gjitha ndërhyrjet kirurgjikale dhe obstetri-gjinekologji të kryera në strukturat spitalore që do të tejkalojnë kufirin e 63,000 ndërhyrjeve në vit, do të aplikohet një zbritje e barabartë me 25% të çmimit. Zbritja do të aplikohet duke filluar nga fatura përmbledhëse mujore për muajin në të cilin do të rezultojë dhe do të njoftohet nga koncesionari, tejkalimi i 63,000 ndërhyrjeve në vit./Monitor/
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/