
Apeli i Posaçëm ka rrëzuar ankimimin e ish/zëvendëskryeministrit Arben Ahmetaj për kontrollin që u krye në banesën e bashkëjetueses së tij në Hamallaj.
Vendimi u mor nga turpi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, në dhomë këshillimi.
Ahmetaj dhe partnerja e tij kërkuan konstatimin e pakushtetutshmërisë dhe paligjshmërisë së vendimit të Shkallës së Parë për lejimin e kontrollit të banesës në Hamallaj, në pronësi të partneres së Ahmetajt, Erjola Hoxha, duke e quajtur “akt që cenon sovranitetin e Kuvendit, Kushtetutën e Shqipërisë dhe Kodin e Procedurës Penale”.
Gjithashtu në ankim thuhej se kontrolli ishte i paligjshëm për shkak se mungonin shkaqet e ligjshme për kryerjen e tij.
“Zonjës Hoxha nuk iu garantua e drejta për të pasur praninë e një personi të besuar ose një mbrojtësi të zgjedhur para se të fillonte kontrolli i banesës. Ajo nuk kishte në dispozicion asnjë mjet komunikimi me të cilin të kontaktonte avokatët e saj, pasi telefoni iu sekuestrua menjëherë”, thuhet në ankim.
“Banesa është dykatëshe dhe hetuesit u ndanë në mjedise të ndryshme ndërkohë që zonja Hoxha nuk mund të ndiqte nga afër kontrollin, pasi mbikëqyrej nga hetues të tjerë. Gjatë kontrollit ajo iu nënshtrua pyetjeve provokuese të hetuesve lidhur me sendet që ndodheshin në banesë dhe mbi koston e tyre”.

Përmes ankimit, Ahmetaj dhe Hoxha quajnë të paligjshëm edhe kufizimin e lirisë së partneres së Ahmetajt, për rreth 1 orë e 20 minuta, gjatë kohës kur është kontrolluar banesa.
Gjithashtu ata ankimuan edhe marrjen e PIN-it të kartës SIM të telefonit të zonjës Hoxha, pa një autorizim nga ana e Gjykatës.
Agjentët e Byrosë Kombëtarë të Hetimit më 10 mars kryen kontrolle në banesën e partneres së ish-z.kryeministrit Arben Ahmetaj dhe në banesën e ish-bashkëshortes së tij. Në banesën e ish-bashkëshortes nuk është gjetur asnjë send i paligjshëm, ndërsa në banesën e bashkëjetueses është gjetur një shumë parash cash. Në të njëjtën banesë janë sekuestruar edhe disa kontrata dhe dokumente shkresore.
Kontrollet në banesat e njerëzve të afërt të ish-ministrit të Financave, Arben Ahmetaj, u paraprinë nga marrja në pyetje e personave të përfshirë në projektimin, ndërtimin, apo edhe arredimin e tyre. Agjentët e BKH-së kanë administruan deklarime të projektuesve, arkitektëve e arreduesve të një banese në zonën e Hamallajt, në pronësi të partneres së ish-zv.kryeministrit. Interesi i hetuesve është përqëndruar në identifikimin e porositësve të ndërtimit, kohën e lidhjes së kontratës, zbatuesit e deri tek arreduesit e saj. Deklaruesit janë pyetur edhe mbi mënyrën e likuidimit financiar, nëse shërbimet janë paguar cash apo përmes sistemit bankar.
Ndonëse SPAK ende nuk ka një hetim të regjistruar në emër të ish-ministrit Ahmetaj, për llogari të verifikimit të kallëzimeve kundër tij për aferën e inceneratorëve, në sitën e hetimit do të kalojnë edhe pasuritë e personave të lidhur me të, mbi mënyrën e krijimit, si edhe burimin e të ardhurave.
Nga ana tjetër, për vilën në Hamallaj ka pasur denoncime publike, që ngrenë dyshime për financimin e saj nga Klodian Zoto, biznesmenit në kërkim të inceneratorëve. Sipas kallëzimeve kundër Ahmetajt, i njëjti biznesmeni ka financuar edhe udhëtime jashtë vendit.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/