
Është gjetur i pajetë trupi i 24-vjeçarit Klevis Lleshi, i zhdukur 2 vite më parë. Mësohet se trupi i tij ka qenë i groposur, por nga erozioni i tokës, në fshatin Shpërdhet ka dalë në sipërfaqe. Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë njoftuar policinë në lidhje me këtë ngjarje.
Deri më tani dyshohet se ai është rrëmbyer, është vrarë dhe më pas është groposur.
Saga e vrasjeve në familjen Lleshi ka nisur dhjetë vite më parë. I ati i Klevisit, Xhavit Lleshi u vra në një pritë në vendin e quajtur “Pujkë” në vitin 2013, ndërsa pak vite më pas i është vrarë xhaxhai Hajredin Lleshi, pranë shtëpisë.

Dëshmia e nënës para dy vitesh
Nëna e Klevisit, Fatbardha Lleshi, tregoi në 24 gusht 2020 se hera e fundit që kishte parë të birin, ishte h 10 ditë më parë dhe që atëherë nuk kishte asnjë kontakt me të. Për shkak të hasmërisë që familja Lleshi kishte me familjen e Ali Hoxhës nga Shtjefëni, mamaja e 21 –vjeçarit dyshonte se shokët e tij e kanë çuar tek hasmi.
Fatbardha Lleshi: Djali im ka dalë në orën 1 nga shtëpia, është nisur e ka pirë një kafe tek lokali me shoqërinë e vet. Në orën 3, djali ka humbur cdo lidhje dhe cdo kontakt dhe telefoni është fikur, është zhdukur në rrethana misterioze. Unë dyshoj që djali im është marrë nga shoqëria e vet dhe është dorëzuar tek dora e hasmit. Ne kemi hasëm Ali Hoxhën nga Shtjefni dhe me banim në Mamurras.
Ne jemi në hasmëri për arsye se djali i kunatit tim që unë nuk kam asnjë lloj lidhje me djalin e kunatit prej 12 vjetësh që ishte në Angli, dyshohet se thotë se ka vrarë djalin e Ali Hoxhës. A e ka vrarë a s’e ka vrarë ne nuk kemi asnjë lloj lidhje me të sepse prej 12 vitesh ne edhe në telefon nuk na ka marrë njëherë vetëm më ka pyetur sesi je.
Fatbardha Lleshi shprehej se kishte kërkuar informacion nga policia për zhdukjen e djalit të saj, por nuk kishte marrë asnjë përgjigje.
“Policia asnjëherë nuk më ka kërkuar, e kam kërkuar vetë policinë. Kam ndenjur edhe 2 orë në dyert e gjykatës dhe prokurorisë së Burrelit dhe jam futur me zor brenda për të kërkuar djalin tim që më është djerr një fëmijë 20 vjec në mes të ditës në mes të Burrelit. Kam pritur 8 ditë dhe nuk kam marr përgjigje nga policia dhe gjykata e Burrelit, kam ardhur në Tiranë dhe kam kërkuar takim me ministrin Lleshaj”-shprehej ajo.
Familja Lleshi kishte një histori të gjatë gjakmarrjeje që ka shkaktuar disa viktima dhe të zhdukurish. Këto ngjarje sipas Fatbardha Lleshit e kishin pikënisjen që kur janë bërë hasëm me familjen e Ali Hoxhës.
“Qysh në vitin 2013 është vrarë burri im, në 2017 është vrarë kunati, 6 muaj mbrapa është zhdukur djali i kunatit 40 vjec dhe më i fundit djali im 20 vjec më 5 gusht dhe për 6 vjet 2 persona janë të vrarë dhe 2 të zhdukur. Nga shteti shqiptar nuk kemi marr asnjë lloj përgjigje, asnjë i arrestuar dhe asnjë i dyshuar. Arsyeja është hasmëria. Ne deri në atë kohë as nuk na kanë vrarë, kemi jetuar dhe punuar, nuk kam pas asnjë të keqe. Kalvari i këtyre punëve fillon atë ditë që jemi bërë hasëm me Ali hoxhën”, deklaronte Fatbardha.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/