Maris Jorgji
Kur flasim për urbanizim dhe investim në infrastrukturën e rrugëve dhe ambienteve të përbashkëta, qarku i Tiranës plotëson çdo ditë e më shumë standarte të nivelit europian. Por, këtu duhet theksuar se jo të gjitha zonat që përfshihen në këtë qark ofrojnë 100% aksesibilitet për të gjithë grupimet shoqërore.
Personat me aftësi të kufizuar hasin problematika madhore në përditshmëri kur flasim për akses në rrugë apo godina institucionesh, dhe jo pa arsye. Në trotuare ka mungesë të theksuar infrastrukture për vendosjen e rampave për të gjithë individët që lëvizin me karrige me rrota, gjë që vështirëson dhe kufizon aktivitetin ditor për secilin nga individët e këtij grupimi.
Mungesa e lëvizjes së lehtësuar në rrugë nuk është i vetmi problem që duhet trajtuar dhe që propozohet për zgjidhje. Platformat e pjerrëta (rampat) shfaqen si problematikë edhe pranë godinave institucionale apo shërbimeve publike, ku hasen dy mangësi kryesore:
1) Mos-prezenca e këtyre platformave specifike pranë ndërtesës;
2) Vendosja e platformave jashtë standarteve të përdorimit, ku pjerrtësia e theksuar e bën të pamundur lëvizjen me karrocë.
Mobilizimi me rampa, përpos qëllimit primar për përmbushjen e kërkesës për lehtësi lëvizjesh për PAK, shërben njëkohësisht edhe për transportimin e mallrave me karrocë brenda godinave të caktuara, apo për nënat me fëmijë. Pra, ky hap i hedhur do të jetë në funksion të shumë faktorëve të tjerë, duke përfshirë përfitimet për një një grupim edhe më të gjerë.
Transporti urban tashmë është një çështje e zgjidhur, kur vjen puna tek levizjet nga Vora në qendër të Tiranës apo në qytete të tjera pranë. Autobuzët kanë ardhur si zgjidhje për të gjithë banorët e zonës, por jo për personat me aftësi të kufizuar. Në stacione, mungon një platformë lidhëse mes trotuarit dhe vendit të përcaktuar ku ndalon automjeti, duke e bërë të rrezikshëm dhe të pamundur kalimin e karriges me rrota në brendësi të urbanit.
Si janë kryer lëvizjet e personave me aftësi të kufizuar deri më tani?
Nga bisedime me individë, të cilët nuk kanë dashur të prononcohen si personazhe, por që janë treguar të gatshëm të shprehin shqetësimet e tyre në këtë drejtim, kemi mësuar se kalimi përmes godinave institucionale, sidomos gjatë zhvendosjes nga kati në kat; kalimi nga stacioni i pritjes në brendësi të auobuzit, është mundësuar deri më tani nga ndihma e ardhur nga qytetarë të tjerë prezent, të cilët tregohen të gatshëm të ngrejnë peshë karrocën për ta lëvizur nga një vend, në tjetrin. Përpos angazhimit dhe ndihmës të dhënë deri më tani nga individë të caktuar, kjo nuk është një zgjidhje. Madje, ky është kthyer në një problem edhe më të madh, pasi personat me aftësi të kufizuar ndihen gjithmonë e më në siklet lidhur me zgjidhjet rrethanore të derimë tanishme.
Ligji që duhet vënë në zbatim
Shqipëria qendron krah mbrojtjes të së drejtave të personave me aftësi të kufizuar, që nga ratifikimi i Konventës së Kombeve të Bashkuara, ku përcaktohet qartë sipas ligjeve:
Ligji Nr. 93/2014 “Për përfshirjen dhe aksesueshmërinë e personave me aftësi të kufizuar”, është një ndër ligjet që ka si qëllim të nxisë dhe mbrojë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar duke u mundësuar pjesëmarrje në shoqëri, por edhe duke ngarkuar me përgjegjësi të gjitha institucionet shtetërore të mundësojnë gjithëpërfshirjen e tyre duke hequr barrierat infrastrukturore e sociale.
Në mbështetje të ligjit të mësipërm, u mor një tjetër vendim i Këshillit të Ministrave, Nr. 1074, më datë 23.12.2015 “Pёr përcaktimin e masave pёr mënjanimin e pengesave nё komunikim dhe infrastrukturë në ofrimin e shërbimeve publike për personat me aftësi tё kufizuar”. Ky vendim përcakton masat që duhen ndërmarrë me qëllim mënjanimin e pengesave mjedisore dhe infrastrukturore për të bërë të mundur aksesin në strehim, transport, shëndetësi, kujdes social, arsimim, punësim dhe shërbime për personat me aftësi të kufizuara.
Ligji Nr. 107/2014 “Për planifikimi dhe zhvillimin e territorit”, përcakton krahas të tjerave respektimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar në çdo ndërtim
për banesa, hapësira dhe shërbime për publikun, përfshirë parqet, sheshet dhe rrugët.
Vendimi Nr.1503, datë 19.11.2008 “Për shfrytëzimin e hapësirave nga ana e personave me aftësi të kufizuar”, ka për qëllim të eliminojë barrierat në hapësirat e jashtme të ndërtesave.
Ligji nr. 10221, datë 04.02.2010, “Për mbrojtjen nga diskriminimi”, në nenin 7 të tij përcakton eliminimin e diskriminimit nga sektorët publikë dhe privatë për shkak të aftësisë së kufizuar.
Bazuar në ligjet e lartpërmendura dhe përmbledhjen e problematikave të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuar në zonën e Vorës, disa nga zgjidhjet që mund të realizohen janë të ilustruara me imazhe si më poshtë:
Rampa të aksesueshme në trotuare
Rampa të aksesueshme në stacionet e pritjes për transportin urban
Rampa pranë godinave institucionale apo ndërtesave të shërbimit publik
Me besimin se Bashkia e Vorës do të tregohet bashkëpunuese për evidentimin e këtyre problematikave, zgjidhja për lehtësimin e aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara do të vijë sa shpejtë, aq edhe e menjëhershme në të gjitha pikat ku nevojitet ndërhyrje në infrastrukturë.
*Autori është jurist dhe konsulent te Fondacioni “Së Bashku, për personat me aftësi të kufizuar”
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/