
Ministrja për Punët e Jashtme dhe Evropën, Olta Xhaçka i është përgjigjur deputetit Agron Shehaj për akuzën se bashkëshorti ka përfituar nga investimet strategjike në jug. Xhaçka tha në parlament se nuk ka shkelur asnjë ligj dhe se investimi i bashkëshortit të saj në hotelin me pesë yje në jug është tërësisht privat, duke theksuar se nuk ka marrë asnjë metër tokë publike.
“Nuk kam shkelur asnjë ligj, as unë as bashkëshorti im , as familja ime, askush. Është turp të jesh në këtë parlament dhe të mos kuptosh ligjet për të cilat flet. Nuk jam në konflikt interesi, e ka thënë ligji dhe Gjykata kushtetuese. Bashkëshorti im është marrë me biznes shumë përpara se të hynte në politikë dhe jo se ai u bë deputet dhe unë ministre. Por që prej 30 vitesh. E ka nisur biznesin si emigrant në Itali, pas 30 vitesh në botën e biznesit ai është angazhuar me të gjitha risqet për investimin serioz për hotelin me pesë yje në jug. Është investim tërësisht privat, truall privat, pronar privat, investitor privat. Nuk është fituar asnjë metër truall pronë publike për fitimin e hotelit”, tha Xhaçka në seancën parlamentare që është duke u zhvilluar sot në Kuvendin e Shqipërisë.
Ministrja ka treguar se çfarë ka përfituar konkretisht kompania e bashkëshortit të saj.
“Si investitor strategjik, ka fituar të drejtën për të pasur prioritet në lidhjen e kontratës së përvitshme me bashkinë për marrjen me qira të plazhit përpara hotelit. Një kontratë me kohëzgjatje 1 vjeçare, që duhet rinovuar çdo vit pranë bashkisë, dhe që do ta marrë njësoj si plot 1463 subjekte të tjera që shërbejnë në industrinë e turizmit nga Velipoja deri në Ksamil, me të njëjtat tarifa si të 1463 subjektet e tjera. Me pak fjalë, si investitor strategjik, që po investon miliona, që do të punësojë me dhjetëra punonjës, që do të sjellë turistë e do të prodhojë ekonomi e të ardhura për atë zonë e më gjerë, ka përfituar të drejtën të vërë shezlonget në plazh”, tha ministrja.
Gjatë fjalës së tij në seancën parlamentare të Kuvendit sot, deputeti Agron Shehaj hodhi akuza ndaj qeverisë së Ramës dhe ministres për punët e Jashtme dhe Europën, Olta Xhaçka. Shehaj tha se se Rama ka favorizuar familjen e Olta Xhaçkës duke e bërë atë investitor strategjik në projektet në plazhet e jugut. Agron Shehaj nga foltorja e Kuvendit ka akuzuar ministren e Jashtme, Olta Xhaçka se ka përfituar prona shtetërore për familjen e saj.
“Të bësh interpelancë për vjedhje në këtë qeveri duket absurde. Çdo koncesion një krim, çdo ligj një favor, çdo tender një grabitje. Xhaçka, Rama marrin përfitime për v eten e tyre. Afera për të cilën flasim sot është e paprecedentë. Një qeveri mblidhet dhe merr vendim për favore publike ndaj një politikani. A e dinte Rama që po i falte plazhin publik për 30 vite ministres së punëve të jashtme. Rama i dha statusi e investitorit strategjik familjes së Xhaçkës përmes bashkëshortit të ministres. Për të mashtruar ligjin familja ministrore krijon një kompani me emër të ngjashëm, jo në emër të bashkëshortit por në emër të një personi të ngushtë. Pronarja e kësaj kompanie në letra është një shtetase amerikane, 31 vjeç. Kapitali i saj bashkëjetesa me vëllain e Xhaçkës. A mund ta mbaj postin ministrja pas kësaj?”, tha Shehaj.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply