
Parlamenti bullgar i dha mandat Këshillit të Ministrave për të miratuar propozimin e Presidencës Franceze për heqjen e vetos për negociatat për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për projektvendimin e paraqitur nga Hristo Ivanov, kryetar i PG “Bullgaria Demokratike” (DB), votuan 170 deputetë, 37 ishin “kundër” dhe 21 “abstenuan”. Kuvendi i Bullgarisë ka ndryshuar kështu një rezolutë të miratuar një vit më parë ku impononte veton dhe tashmë çështja i ka kaluar Qeverisë bullgare. Parlamenti bullgar e hoqi veton me kushtin që sipas propozimit francez, Komisioni Evropian do të shërbejë si arbitër sepse tani procesi i anëtarësimit i RMV është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.
Pasi Kuvendi i Bullgarisë dha sot dritën jeshile për propozimin francez, ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, tha se qëndrimet e tyre janë dërguar në Presidencën franceze dhe se në të ardhshmen duhet parë se çfarë zgjidhje do të vijë nga Franca. Osmani tha se qëndrimi i tyre është i qartë, se çështja e gjuhës dhe çështjet historike të mos jenë pjesë e kornizës së negociatave.
Presidenti Meta kanë reaguar menjëherë pas këtij vendimi.
“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit. Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona. Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, shkruan Meta.
Kryeministri Rama e ka konsideruar lajm të madh heqjen e vetos në Parlamentin bullgar dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të veprojë më shpejt. Rama tha se u shpëtua fytyra e Bullgarisë dhe BE-së.
“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”
Por dje Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski tha se ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.
“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë pranueshëm duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin Serb, Aleksandar Vuçiq.
Cili është ‘Propozimi francez’?
Presidenca franceze e BE-së më 18 qershor ka dërguar një propozim për të thyer ngërçin bullgaro-maqedonas. Nuk është bërë publike, megjithëse mediat, përfshirë Shërbimin Bullgar të Radios Evropa e Lirë, kanë marrë kopje. Ai “mirëpret synimin e Shkupit” për të përfshirë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë “qytetarë që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe janë pjesë e kombeve të tjera, si bullgarët”. Futja e një klauzole të tillë do të kërkonte dy të tretat e votave në parlament. Propozimi nuk përmend specifikisht një “pakicë bullgare”, por flet për detyrimin e qeverisë maqedonase për të mbrojtur të drejtat e të gjitha “minoriteteve dhe komuniteteve” duke parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin.
Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t’i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi “merr parasysh” synimet e të dyja palëve për të lëshuar “deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase”, me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018. Propozimi sugjeron dy konferenca ndërqeveritare, duke përfshirë një këtë javë në Bruksel dhe një tjetër pasi Maqedonia e Veriut ndryshon preambulën e kushtetutës.
Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve në Bullgari drafti tashmë i miratuar parashikon që së pari të garantohet hyrja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe. Kusht tjetër është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së “gjuhës maqedonase”. Duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij. Në kuadër të procesit negociator duhet të paralajmërohet edhe rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë me Republikën e Maqedonisë Veriore.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply