
Ish-deputeti socialist Alqi Bllako i dorëzuar në polici pas urdhër arrestit të lëshuar nga prokuroria, ka dalë sot para Gjykatës për t’u njohur me masën e sigurisë. Seanca ka nisur dhe po zhvillohet me dyer të mbyllura. Bllako shkoi në drejtorinë e Tiranës rreth orës 3 të mëngjesit të djeshëm. Ishte i vetëm, i pashoqëruar nga familjarët apo avokati i tij mbrojtës. 40 minuta më vonë mbërritën në policinë e Tiranës agjentët e BKH-së, të cilët e morën në pyetje mbi akuzat korrupsion dhe shpërdorim detyre për inceneratorin e Fierit. Dorëzimi i Bllakos u krye 12 orë pas urdhërit të gjykatës për ta arrestuar. Policia thotë se Alqi Bllako u vetëdorëzua mbrëmjen e djeshme. Ndërsa SPAK njofton se vendimi i gjykatës së posaçme që u mor dy ditë më parë në orën 15:45, u ekzekutua nga policia në orën 3:30 të mëngjesit të djeshëm.
SPAK i ka kërkuar policisë së shtetit më datë 30 mars të mbajë nën mbikëqyrjen Alqi Bllakon që ai të mos dilte jashtë territorit. Ish-deputeti socialist akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, në lidhje me aferën e inceneratorit të Fierit. Nga hetimet ka rezultuar se Bllako në kohën që mbante postin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-kryetarin e Komisionit të Shpronësimit Pëllumb Abeshi, kanë falsifikuar dokumentin në lidhje me sipërfaqen e tokës ku u ndërtua inceneratori duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej 16 milionë lekësh. Po kështu Bllako dyshohet se ka favorizuar biznesmenin Klodian Zoto për ndërtimin e inceneratorit dhe në këmbim ka përfituar një shumë prej 14 milionë lekësh.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply