U shpall “hero” në Itali, del nga karantina djali nga Durrësi

25 shkurt-10 mars. Kaq zgjati karantina e të riut nga Durrësi Alber Baca, i cili vullnetarisht zgjodhi të qëndronte në hotelin “Bel Sit”, në Alassio, në rajonin e Ligurias, ku punonte si kamarier për t’u ardhur në ndihmë klientëve, të cilët u vendosën në karantinë, pasi një turiste e moshuar rezultoi pozitive ndaj koronavirusit.

Në një postim në rrjete sociale, Alberi shpjegon përjetimet e tij gjatë këtyre ditëve të vështira.

“25 shkurt-10 mars, dy javë në karantinë. Një periudhë plot ankth, tension, por edhe gëzim. Një periudhë që më vuri para një prove të vështirë, e pranoj. Gjatë këtyre dy javëve nuk e humba kurrë entuziazmin, as krenarinë, as impenjimin për të ndihmuar personat që kishin nevojë për gjithçka: ilaçe, ushqim e mbi të gjitha qetësi. Të moshuarit që nga një minutë në tjetrën, pas tamponit pozitiv të një turisteje nga Lombardia, u futën në karantinë njësoj si unë. Ishte si goditje në zemër. Ishte si të ishe papritur në mes të errësirës, bota na u shemb para këmbëve. Por me kurajo, i gjithë personeli e kuptoi se s’mund të rrinim pa bërë gjë dhe u munduam t’ua bënim më të lehtë qëndrimin, 140 të moshuarve, që pushimi pranë detit iu kthye në makth. Kishim nevojë për gjithçka: ushqim, ilaçe. Jetonim me frikë. Lajmet qarkullonin nga njëra dhomë në tjetrën. Nervat ishin në maksimum. Por në fund, qartësia fitoi mbi gjithçka. Qëndruam bashkë. Qëndruam në vijën e parë. Ashtu si anija kur mbytet, marinarët qëndruan bashkë me komandatin Simona. Të gjithë u morëm me punë, askush nuk u përjashtua. Një grup fitues…” – shkruan ndër të tjera në postimin e tij të gjatë në rrjete sociale Alber Baca.

Djali nga Shkozeti i Durrësit, që prej vitit 2012 jeton në Itali, falënderon më tej autoritetet vendore dhe të gjitha organizatat, miqtë dhe familjarët, që i qëndruan pranë.

“Kemi mësuar shumë gjatë këtyre javëve. Ashtu si plagët në lëkurë që do mbajmë në zemrat tona gëzimin që ndjemë kur turistët na falenderuan, kur erdhi momenti që të largoheshin nga hoteli për t’u kthyer në shtëpi”,- vijon më tej Alberi.

Angazhimi i të riut shqiptar nuk kaloi pa marrë vëmendjen e medieve italiane dhe kreut të rajonit të Ligurias, Giovanni Toti, që i premtoi të riut se do ta ndihmonte personalisht për të marrë nënshtetësinë italiane.

Ndërkohë, mediet italiane nuk nguruan ta cilësonin 25-vjeçarin nga Durrësi “Hero”.

Që nga 25 shkurti, i riu 25-vjeçar qëndroi në karantinë së bashku me klientët dhe stafin e hotelit Bel Sit, në Alassio, në rajonin e Ligurias për shkak të rrezikut të koronavirusit. Hoteli u vu në karantinë, pasi një nga klientët, një grua 72-vjeçare, rezultoi pozitive.

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet