
Një fëmijë 5 vjeç ka humbur jetën sot në plazhin e Potamit, në Himarë, pasi u godit nga një skaf. Fëmija kishte ardhur me familjen për pushime nga Holanda.
“Sot, rreth orës 14:00, në plazhin e Potamit, shtetasi A. T., duke drejtuar një mjet lundrues tip skaf, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit lundrues dhe për pasojë mjeti lundrues ka goditur një fëmijë rreth 5 vjeç, i cili për shkak të dëmtimeve ka ndërruar jetë në vendngjarje. Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë dhe po kryhen procedurat për arrestimin e tij. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”-njoftoi policia.
Ngjarja e rëndë, e para me një viktimë, është e treta në plazhe për këtë vit. Më 16 korrik një çift u goditën nga një gomone në plazhin e Jalës. Mjeti tentoi të dilte në breg, por nuk arriti të ndalonte. Për pasojë çifti i pushuesve Agostin Sefa, 31 vjeç dhe E. GJ., 25 vjeçe, morën lëndime. 25-vjeçarja u plagos lehtë, ndërsa Sefa mori lëndime në brinjë dhe fytyrë dhe u transportua në spitalin e traumës për ndihmë mjekësore.
Vetëm 2 ditë më vonë, një gomone goditi një fëmijë 7-vjeçar. I mituri mori plagë të rënda dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore. Ngjarja ndodhi në plazhin e Jonufrës, ku H. K., rreth 40 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip gomone, e ka goditur 7-vjeçarin teksa ka qenë duke notuar në afërsi të bregut. Ky është incidenti i tretë i shënuar brenda pak kohësh, ndërkohë që policia ka njoftuar se ka intensifikuar kontrollet në bregdet për të parandaluar aksidentet me mjete lundruese. ABC
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply