
Arben Rrozhani
Me propozim të Ministrisë së Ekonomisë, Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendosi 5 ditë më parë që të ngrijë çmimet për produktet bazë në tregtinë me shumicë dhe pakicë. Kjo do të zbatohet për çmimin e bukës, sheqerit, miellit-tip 400, vajit për ushqim, qumështit me përmbajtje yndyre prej 2,8%, 3,2% dhe 3,5%, mishit të freskët dhe produkteve të mishit, djathit dhe gjizës. Vendimi u mor pasi çmimet e disa produkteve u rritën 50 për qind muajt e fundit. Në fakt, ekspertët e ekonomisë kërkuan që autoritetet të merrnin masa për të zbutur ndikimin ndaj qytetarëve dhe në vend të ngrirjes së çmimeve, të ulej TVSH-ja e produkteve ushqimore nga 18 në 5 për qind dhe të subvencionoheshin kompanitë që për shkak të rritjes së energjisë, rrisin çmimet e produkteve.
Qeveria e Shqipërisë, vendit më të varfër të Europës, por me çmimet më të larta të ushqimeve dhe të karburanteve, ka refuzuar për shumë vite të ulë TVSH-në për “shportën”, edhe pse e kishte me program elektoral në vitin 2013 kur erdhi në pushtet, por as nuk ka dhënë sinjale se do të ngrijë çmimet, duke u justifikuar se është ekonomi e lirë dhe se kriza është e përbotshme.
Ndikimin më të madh në rritjen e kostos së jetesës në vend e jep çmimi i rritur i karburanteve, duke shtrenjtuar të gjitha shërbimet dhe produktet. Por, edhe pse çmimet e karburanteve kanë rënë në pothuaj 21 për qind të çmimit më të lartë të vitit, ato kanë kapur majat me më shumë se 20 lekë për litër, edhe pse bie fjala në Maqedoninë e Veriut edhe para uljes së fundit ishin mbi 30 për qind më të ulta se në Shqipëri.
Qeveria nuk ka ndërmend ta rregullojë këtë treg në interest ë konsumatorëve, sepse, sipas përllogaritjeve të Konfindustrisë, tregu i karburanteve në Shqipëri, ka 1.5 miliardë dollarë qarkullim vjetor dhe kap 10 për qind të PBB-së, ndërsa për çdo litër të shitur qeveria merr gati 100 lekë taksa.
Rritja e çmimeve në treg po vijon pa pyetur për askënd dhe parashikohet që të jetë edhe më e madhe në fillim të vitit 2022. Qeveria, përmes Autoritetit të Konkurencës, e mbrojti rritjen e çmimit të bukës dhe të prodhimeve të brumit, me pasojat e krizës botërore. Por rritje ka në të gjitha produktet e shportës, që mesatarisht i marrin mbi gjysmën e të ardhurave një familjeje shqiptare, që është norma më e lartë në rajon dhe shumë herë më e lartë se në BE.
Qeveria e Ramës vijon me kokëfortësi të refuzojë thirrjet e ekspertëve të ekonomisë për të reduktuar TVSH-në, 20 për qind, për produktet e shportës, për të lehtësuar dhimbjet e shtresave në nevojë, masë social-ekonomike që përdoret gjerësisht në Europë, në vende si Franca, Italia, Britania e Madhe, etj., me qëllim kryesor pikërisht mbrojtjen e shtresave më të varfra.
Por ky nuk është objektivi i kësaj qeverie. Siç e tregoi edhe një episod vere me faturat e çmendura të bar-restoranteve në Jug, kur ish-ministri i Turizmit, Blendi Klosi u shpreh i qetë dhe papërgjegjshmërisht se: “E rëndësishme është të ketë faturë. Mua më vjen mirë që ato e fotografohen edhe e nxjerrin faturën, sado e madhe që ajo është sepse nga ajo faturë TVSH apo taksa i shkon buxhetit të shtetit”.
Në fakt, fatkeqësisht, në ekonominë shqiptare, shumë informale, shumë pak shkon në buxhetin e shtetit, dhe shumica përfundon në xhepat e spekulatorëve. Siç po ndodh prej dekadash, siç do të ndodhë edhe këtë fundvit dhe sa kohë që këtu të mos ketë një qeveri të përgjegjshme për hallet e biznesit dhe të konsumatorëve. Dhe ku nuk ka as opozitë krah popullit, as shoqëri të organizuar civile që ta detyrojnë qeverinë e miliarderëve, që, të paktën, të kopjojë homologen e saj në Shkup: Të ngrijë çmimet e “shportës”.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply