Të paktën të mos jemi  bashkëpunëtorë me te tille politikane  

Riza Hoxha

Po i largohemi Shqipërisë, se nuk e dimë çfarë mund të na sjellë e nesërmja. Po ikim, se e dimë mirë se drejtohemi nga një klasë politike së cilës ia kemi parë vetëm sherrin prej 30 vitesh, aq sa sot ajo na ka humbur gjithë shpresën. Shpresa na ka humbur edhe për fajin tonë.

Jemi indiferentë dhe nën heshtjen tonë është ngritur kjo klasë politike që i ngjan një vemjeje që thith vetëm gjak. Novelisti i shquar anglez George Orwell bën një përcaktim që ne shqiptarëve na shkon aq shumë për shtat, thua se kur nisi ta shkruajë kishte parasysh vetëm shqiptarët. “Një popull që zgjedh në krye të vendit të vet njerëz të korruptuar, hajdutë, maskarenj e tradhtarë nuk është viktimë e tyre, por bashkëpunëtor me ta”.  Është më shumë se një këshillë për ne shqiptarët. Ja pse:

  1. Kemi sot një gjysmë shtet dhe një pushtet krejtësisht nepotiko-familjar. Aq sa edhe kur votojmë e ndjejmë si zëvendësohet njëri grup i hajdutëve e maskarenjve me grupin tjetër. Zëvendësohet një herë në 8 vjet.
  2. Në krye të punëve kemi njerëz të paaftë dhe krejtësisht të korruptuar, hajdutë e maskarenj. Një përcaktim i tillë për gjysmë-shtetin tonë asnjë prej shqiptarëve nuk e mohon. Bile është kjo arsyeja që shumica e shqiptarëve kanë humbur shpresën se diçka mund të përmirësohet. Kjo i ka bërë që t’ia japin vrapit duke ikur jashtë vendit. Sot e dimë mirë të gjithë se ky vendi ynë sundohet nga oligarkë të mëdhenj  dhe politikanë që janë vjedhësit më të mëdhenj që thuajse brenda natës  nga pantollë-grisur janë kthyer në sheikë, kur shumica e shqiptarëve ndodhen rrugëve të botës duke kërkuar t’i shpëtojnë varfërisë dhe mizeries që sot janë mbisundues në Shqipëri.
  3. Te ne gjithçka ka marrë vlerën e tregut. Bile si askund tjetër edhe vota. Është kjo arsyeja që shqiptarëve iu duk budallallëk me brirë djegia e mandateve të deputetit nga opozita. Sepse gjithë shqiptarët e dinë mirë funksionimin e tregut të shitblerjes së votës. Një treg që nuk lindi sot, por lindi me ardhjen e demokracisë. Gjithnjë ka ekzistuar, pavarësisht përmasave. Po i pranishëm ka qenë sa herë kemi pasur zgjedhje. Është budallallëk përpjekja për t’ia lenë në dorë kopilin sot vetëm PS-së. Vërtet, kjo i dha një zhvillim  të madh së fundmi, po nuk ishte e vetmja në këtë proces.
  4. Edhe kërkesa për të dënuar vetëm tregtarët e votës është pakëz e çuditshme. Këta duhen ndëshkuar, natyrisht. Po që të nisim ndërtimin e një demokracie të vërtetë dhe të një shteti të së drejtës është e domosdoshme të ndëshkohen edhe shumë e shumë të tjera krime. Sot Shqipëria nuk ka drejtësi. Dhe kjo është pasojë e një Vetting-u që na nxori si plazhistët e Durrësit që u pasuruan përmes bixhozit, apo se u bënë pasanikë përmes faljes së milionave nga gjyshërit e gjyshet. Një justifikim i paturpshëm që deri më sot as i ka shkuar ndërmend ndokujt për ta ndëshkuar.
  5. Në demokraci, fenomenet negative luftohen në vazhdimësi nga shumica  dhe nuk digjen. Jo djegia, po ndëshkimi nga të gjithë i bën nesër të padëmshëm. Në radhë të parë  duhet të dimë se ku po shkojmë. Dhe jo vetëm të grindemi më kot. Me të vërtetë ku po shkojmë me këtë rrugë që kemi marrë  ne shqiptarët ? Ende asnjë prej monstrave të politikës nuk bëzan për këtë problem.
  6. Më 30 qershor vërtet votuam. Po nuk e dimë tamam çfarë nxorëm? Sepse votimi na kujtoi votimet e kohës së kaluar. Këtë radhë vetëm nuk hodhëm valle e nuk i kënduam këngë partisë. Ndodhi kështu se dy Partitë parlamentare pasi dogjën mandatet e deputetit, iu rrit oreksi dhe kërkuan të zgjedhin edhe drejtuesin e Partisë në pushtet. “Nuk duam Edi Ramën kryeministër”. Po nuk pyeteni ju mor zotërinj  se kush duhet të jetë kryeministër, po populli  përmes votës. As kaq gjë nuk e dini ?! Gjithsesi, votimet e 30 qershorit do të mbahen mend për shumëcka. Do të mbahen mend edhe për bidatin e Presidentit të cilit I doli gjumi me shumë vonesë  dhe nxori dekretin për c’dekretimin e 30 qershorit si datë votimi, pasi kishin kaluar 10 ditë nga fillimi I fushatës elektorale, pasi KQZ  kishte paguar për shtypjen e fletëve të votimit etj, etj. Dhe kur gjithçka ishte gati për votimet e 30 qershorit, Presidenti u kujtua të  nxirrte një dekret tjetër e të caktonte datën e re të votimeve me 13 tetor. Tashmë e dimë të gjithë:Këta politikanët tanë  e kthyen nënën Shqipëri në një  krijesë qesharake në sytë e gjithë botës.
  7. Mirë me 13 tetor do të kemi sërish zgjedhje. Po lindin një sërë problemesh. Kush do t’i përgatisë ato ? Pastaj do të votojnë ata që votuan më 30 qershor ? Po kryetarët e bashkive që fituan me 30 qershor do të jenë sërish kandidatë ? Idiotizma të tilla kanë ndodhur kund tjetër në këtë botën tonë? Lumi i shpenzimeve  nga kush do të përballohet, apo thjesht shqiptarët  duke Iu kthyer në skllevër të një oligarkie të pashpirt? Fakti se do të votojmë sërish me 13 tetor, a nuk tregon se Shqipëria po drejtohet nga një  kastë maskarenjsh që nënkupton edhe shtimin e varfërisë, në kushtet, kur rritja ekonomike sa vjen e rritet dhe ka arritur në mbi 4 për qind. Siç na trumbetojnë me zell të madh mytyberët e politikës.
  8. Këto votime na e bënë pjesëtar të shtëpisë novelistin anglez. Sepse kishte përcaktuar saktësisht klasën politike që po e drejton Shqipërinë prej 30 vitesh. Si për të na treguar se ç’klasë monstër politike kemi ende nëpër këmbë. Është kjo klasë politike që vazhdon të ankohet  dhe të kërkojë “zgjedhje të lira e të ndershme”. Po kundër kujt ankohet? Kundër vetvetes!? Pasi është vetë ajo që i ka mbushur sipas dëshirës kutitë e votimit, ka qenë vetë ajo që ka ngritur  tregun e shitblerjes së votave etj, etj.  Vetë vjedh, vetë shan, vetë manipulon çdo gjë. Vetëm për t’i shërbyer vetvetes dhe familjes së saj. Vetëm kur s’kanë çfarë të bëjnë tjetër nisin e llomotisin. Ndërsa për shumicën e shqiptarëve është e dukshme, se hajduti (apo maskarai) bërtet kundër hajdutit (apo maskarait).
  9. Hajrin kësaj klase politike nuk mund t’ia shohim ndonjëherë. Këtë na e tregoi edhe samiti i Polonisë i këtyre ditëve. Vetëm ne shqiptarët, më të varfrit e kësaj Evropë nuk arritëm të përfitonim ndonjë qindarkë në samitin polak. Thjesht sepse kjo klasa jonë politike nuk kishte asnjë projekt të përgatitur për ta paraqitur në samit. Ndodh kështu sepse zyrat shtetërore të këtij gjysmë shteti janë kthyer në çerdhe familjare.  Ka shumë pse, po duhet një analizë e hollësishme pse ishim aq të papërgatitur në samitin polak ?
  10. Natyrisht kjo ditë votimesh do të mbahet mend dhe nuk do të harrohet ndonjëherë. Ashtu si Gërdeci, bie fjala. Sepse si votimet e 30 qershorit, apo 13 tetorit, ashtu edhe Gërdeci janë shpikje të neveritshme e kriminale të kësaj klase politike. Të dyja këto ngjarje  na kërkojnë ne shqiptarëve që ta flakim këtë klasë politike që po na sundon prej 30 vitesh  duke na sjellë vetëm varfëri e mjerim. Që të shpëtojmë prej saj, të shpëtojmë nga shumë e shumë fatkeqësi , autore e të cilave është tashmë e njohur nga të gjithë, kjo monstër  e çuditshme  dhe e neveritshme politike. Tashme ne shqiptarëve të mbetur ende në këtë tokë, na duhet të paktën të mësohemi që të mos jemi bashkudhëtarë me maskarenjtë që I kemi të shumtë prej 30 vitesh në të gjitha zyrat shtetërore. Janë këta që na kanë zhytur në llum në varfëri, në mjerim e skamje.  Janë këta që na kanë bërë edhe qesharakë në sytë e botës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Lapërdhosja e shtetit

Rezart Prifti Këto ditë të bukura Tetori në Shqipëri diskutohet si përherë për surealen, për të paprekshmen, për atë që…

Abissnet