Studentja i tregon mesazhet kryeministrit: Pse më bëre për presion?

Studentët e Arkitekturës dhe Politeknikut përplasen me Ramën, kërkojnë llogari për plotësimin e kërkesave. Rama nervozohet dhe nuk ka argumente përballë të rinjve. Një pjesë e madhe e lanë në mes takimin duk i thënë: vazhdo monologun. Denoncimi që i bëri studentja Viosana Kokla

Enida Vërça

Kryeministri Rama ka shkuar dje, aty ku nisi gjithçka, te Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit Politeknik. Jo vetëm që e humbi debatin me studentët, por nga deklaratat e studentëve dolën fakte mbi përpjekjet personale të kryeministrit për t’ju mbyllur gojën të rinjve protestues. Një vajzë tregoi mesazhet dhe telefonatën e kryeministrit, ku i ishte bërë presion.

Debatet 

Takimi është thirrur nga vetë studentët e këtij fakulteti përmes një peticioni të firmosur. Ashtu si në takimet e mëparshme, edhe në këtë diskutim, të rinjtë janë revoltuar, teksa e kanë bombarduar me pyetje të herë pas hershme në lidhje me zhvillim e arsimit në Shqipëri në vitet e fundit. Njëri prej studentëve i kërkoj llogari kryeministrit, se ku shkojnë parat e tyre, teksa në fakultet mungojnë edhe mjete më të domosdoshme siç është tabela e klasës. I gjetur ngushtë, kryeministri iu përgjigj, se fondet menaxhohen nga bordet administrative. Një tjetër student e vendosi në vështirësi, teksa i tha se duhet të kërkoj ndjesë, pasi i ka quajtur ngelësa. “E para, na keni quajtur ngelësa. Edhe unë ju bëj thirrje ju të silleni si kryeministër dhe diplomat. Ju duhet që të kërkoni ndjesë se na keni quajtur ngelësa, ke bërë gabim që na ke quajtur ashtu dhe për këtë duhet të kërkosh ndjesë. Vijon të fyesh, në Vlorë përdore shprehje si “llum kazani”, na kërkoni ne të kemi respekt kur flasim, por ju ofendoni herë pas here. Ne nuk jemi të paedukatë, jemi studentë të revoltuar. Duke ju kthyer pikave të kërkuara nga ne studentët, ju thatë do të ulni tarifën e 3-vjeçarit, unë jam në master dhe paguaj 1 milion e 200 mijë. Si mundet që një universitet privat të përfitojë të njëjtin financim si një universitet shtetëror”, tha studenti. Nga ana tjetër, kreu i shtetit tha, se ka nevojë shumë për përmirësim, por jo gjithçka është në dorë të qeverisë. “Punën e ngelësave e kam sqaruar. E keqa është se nuk po dimë se çfarë po kërkojmë. Ju doni të kthehemi në monizëm? Nuk bëhet çdo gjë, si doni ju”, iu përgjigj Rama studentit. Debatet vazhduan më tej, ku edhe më të revoltuar, studentët e arkitekturës e kryqëzojnë, teksa e krahasojnë fakultetin e tyre, me “Shqiponjën”, e cila u hoq te dogana pak ditë më parë. “Ne jemi studentë të Arkitekturës dhe pas 5 viteve studimesh ne nuk do të jemi të aftë të konkurrojmë për një vend pune sepse te ne ka mungesa të theksuar të praktikës së punës. I keni parë ndonjëherë ambientet ku ne studiojmë dhe përgatitemi? Ne nuk kemi gjerat me elementare, nuk kemi kompjuterë, kur e gjithë puna jonë bëhet me anë të një kompjuteri. Ju thjeshtë investoni se projektin e bëjmë vetë. A e di si është fakulteti jonë, si ajo “Shqiponja” që ju e quajtët jashtë standardit”, tha studenti. Rama: Po ti je dakord me mua për “Shqiponjën”? “Unë jam dakord me ju për “Shqiponjën” që ishte jashtë standardit, po ju jeni dakord me mua se Fakulteti i Arkitekturës është jashtë standardeve?”,  pyeti studenti.

Studentja e telefonuar nga Rama

Një tjetër studente, Viosana Kokla, ka marrë mikrofonin dhe e revoltuar ka thënë se kryeministri nuk do që ajo të flasë sepse ai e di shume mirë se çfarë ka për të thënë. Ajo gjithashtu bëri publike mesazhet e dërguara nga Rama, ku sipas saj e ka ofenduar.
Studentja: “Çfarë jemi ne për ju? Jemi lolo të qeverisë?
Rama: Çohu dhe ik. Kjo tregon se unë i respektoj të gjithë ata që më shkruajnë.
Studentja: Nuk ke çfarë më shpjegon. E ke thënë troç dhe më ke marrë në telefon. Nuk na blini dot siç keni blerë 100 apo 1000 freshista. Nuk na kërcënoni dot duke na thënë që do t’u heqim prindërit nga puna apo duke na kërcënuar. Ky nuk është dialog, por i manipuluar. Dialogu duhet të ishte bërë me të gjithë studentët dhe jo veç e veç. Po luani atë lojën kukafshehti. Këtë keni bërë me të gjitha universitetet”, i tha studentja e Arkitekturës, kryeministrit. Studentja e revoltuar i ka dërguar një mesazh mbrëmjen e së mërkurës, ku e pyeste pse i kishte quajtur ngelësa.

Në përgjigje kryeministri i drejtohet duke i shkruar “Ti mua më merr të keqen për zhvatje me vetëdije dhe paturpësia në lëshimin e këtij lloji të neveritshëm fjalësh, jo që nuk është argument, por flet sa një mijë fjalë për nivelin e dembelizmit mendor që në mënyrë kaq spektakolare është shfaqur gjatë këtyre ditëve”  Me tensione të vazhdueshme, shumë prej studentëve janë larguar, duke i thënë kryeministrit të vazhdojë monologun, pasi ata nuk mund të dialogojnë me të, duke braktisur mbledhjen. Për më shumë se tre orë, studentët të cilët qëndruan në mbledhje, nuk e ndalën debatin me z. Rama, duke kërkuar prej tij, realizimin e pikave të cilët për më shumë se 16-të ditë protestojnë.

Debati i plotë

Një debat i ashpër ka qenë ai mes një studenteje dhe kryemistrit, e cila është ngritur dhe ka marrë fjalën pa leje duke i thënë se nuk e lë të flasë sepse ai e dinte se për cfarë do fliste ajo. Vajza ka bërë publik mesazhin që ka shkëmbyer me Edi Ramën, i cili i ka kthyer përgjigje, ndërsa më pas ajo është shprehur se e ka marrë në telefon, e madje ka thënë se edhe e ka kërcënuar se do t’i heqë prindërit nga puna…

Studentja: Në fjalorin tuaj kush fjalë janë të papërshtatshme ose kush fjalë konsiderohen ofenduese. Fjala zhvatje me vetëdije konsiderohet ofenduese?

Rama: Skandaloze.

Studentja: Skandaloze? Pse është skandaloze kur ajo po bëhet realisht?

Rama: S’ta shpjegoj dot

Studentja: Unë e kupto,  ju se keni shpjeguar. Edhe mbrëmë nuk më keni dhënë përgjigje.

Rama: Të lutem, mbasi më ke shkruar atë fjalë

Studentja: Jo më keni thënë, ta them unë ça me keni thënë.

Rama: Lexoje.

Studentja: Më keni thënë gjatë gjithë këtyre ditëve jeni treguar në një nivel shumë të lartë dembelash mendorë.

Rama: S’është fjalia ime kjo.

Studentja: Është fjalia juaj,  është fjalia juaj zoti Rama. Më keni marrë në telefon në orën 10 e gjys.

Rama: Shiko…

Studentja: Të mbaroj unë pastaj fol, ashti siç ja bërë të gjithëve

Rama: Lexoje

Studentja: Të mbaroj unë

Rama: Lexoje

Studentja: Të mbaroj unë dhe pastaj flisni ju.

Rama: Jo,. lexoje në mënyrë korrekte

Studentja: Po, ta them unë tani kush është mënyra korrekte

Studentja: Po, ta them unë tani kush është mënyra korrekte. Ti dhe kush do që mendon si ti mua më merr të keqen për zhvatjen me vetëdije.

Rama: Patjetër

Studentja: Dhe paturpësia në lëshimin e këtij lloji të neveritshëm fjalësh jo që nuk është agrumet po flet sa njëmijë fjalë …

Rama: Ekzakt

Studentja vijon fjalinë: Për nivelin e dembelizmit…

Rama: Ekzakt.

Studentja vijon fjalinë: Mënyrë kaq spektakolare është shfaqur gjatë tërë këtyre ditëve.

Rama: Ekzakt, tani po.

Studentja: Dhe për ju, ca jemi ne për fal. Ca jemi ne për ju?

Rama: Kam folur

Studentja: Jemi lolo të qeverise?

Rama: Qetësohu, qetësohu.

Studentja: Jemi lolo të qeverise? Apo marioneta të atyre që janë mbi ne? Që janë nën vartës tuaj?

Rama: Ky është një tregues tjetër i një të vërtete shumë të thjeshtë. Unë i respektoj të gjithë ata që mua më shkruajnë.

Studentja: Nuk ke bërë asnjë respekt zoti Rama.

Rama: Një minutë moj, një minutë, të të shpjegoj, një minutë

Studentja: Nuk ke çfarë shpjegon e ke thënë troç me fjalët e tua. Edhe kur më more në telefon.

Rama: O xhan, një minutë moj një minutë. Një minutë se të sheh gjithë Shqipëria sot.

Studentja: E di shumë mirë që më sheh gjithë Shqipëria dhe i them edhe unë të gjithë shqiptarëve që ju nuk doni dialog.

Rama: The..

Studentja: Ju doni monolog me veten tuaj.

Rama: The..

Studentja: Nuk na blini dot siç ke blerë 100 a 1 mijë FRESSH-ista.

(Duartrokitje dëgjohen në sallë dhe thirrje “bravo”)

Studentja: Nuk keni ca bëni me ne zoti Rama. Nuk na ulni dot poshtë duke thënë që do iu heqim prindërit nga puna. Duke kërcënuar me makina, nuk na ulni dot poshtë. Zërin tonë do e dëgjoni. Deri tani thatë, ishte një pikë që kërkuat kush pikë nuk funksionon në ligjin. Ju nuk doni të dëgjoni. Ju doni vetëm të flisni. Nuk doni ta dëgjoni popullin, doni vetëm të flisni vetë, të bëni monolog vetë.

Rama: Populli? Ti je populli?

Studentja: Nuk jam unë, jemi të gjithë.

(Duartrokitje në sallë)

Rama: Mbarove?

Studentja: Nuk kam mbaruar akoma. S’kam mbaruar akoma se ky është diçka e manipuluar jo dialog. Dialogu duhet të ishte bërë me të gjithë studentët edhe jo në çdo universitete veç e veç. Me të gjithë. Kemi qenë të gjithë bashkë që ditën e parë. Dhe ju po luani atë lojën kukafshehti. Kalush do futet? Hajt se po futem unë me dekanin, ja se po futem unë me rektorin. Këtë keni bërë në të gjithë universitetet. Duke filluar që nga UBT-ja. Ky nuk është dialog. Kush nuk do të rrijë le të dali. Kush do të rrijë të dëgjojë monolog, të rri këtu.

Studentja lë mikrofonin dhe largohet me një të tjerë grup studentësh, ndërsa në sallë dëgjohen rritje “Bravo”.

Teksa grupi i studentëve largohen, flet Rama: Edukatën, edukatën atë shikoni.

Një tjetër studente, e cila ishte duke dalë, i kthehet Ramës: Edukatën e kemi mësuar nga ju.

Rama: Edukatën se me këtë edukatë s’ka kalorifer e s’ka bibliotekë dixhitale e s’ka tarifë që iu bën derman.

Studentja: Ju duhet ta dini që unë jam me ju. Jam gati për 8 pikat. Dua të diskutojmë si dhe kur do realizohen. Jo nëse do realizohen, por kur do realizohen.

Rama: A ka mundësi, jashtë shëndet.

Grupi i studentëve largohet nga salla, ndërsa biseda në sallë vijon edhe rreth 10 minuta të tjera, para se takimi të përfundojë.

Protesta

Ditën e djeshme, studentët marshuan drejt Parlamentit, teksa u zhvillua edhe seanca e radhës, duke kundërshtuar 8 pikat e kryeministrit të publikuara në faqen “Shqipëria që duam”. Sipas tyre, në pikat e publikuara prej tij, nuk janë përfshirë të gjitha kërkesat e tyre, pasi kryeministri ka vendosur përgjysmim të tarifës për studentët e bachelorit, ndërkohën që masteri nuk është marrë në konsideratë. Pas përfundimit të seancës, ata u zhvendosën sërish para Kryeministrisë. Të rinjtë paralajmëruan vazhdimësi të protestës edhe ditën e nesërme dhe më pas rifillim të saj në janar.

Parlamenti u rrethua ditën e djeshme nga studentët dhe banorët të cilët protestuan për kauzën e tyre. Mes të rinjve, ajo që u vu re ishte edhe numri i madh i qytetarëve, të cilët prej kohësh mbështesin studentët. Banorët e “Astirit”, të cilët kundërshtojnë projektin për ndërtimin e “Unazës së Madhe” të Tiranës, i janë bashkuar protestës rreth orës 11:30. Ata mund të identifikoheshin shumë lehtë për shkak se kishin veshur jelekët portokalli, njëjtë si protestuesit në Francë dhe kanë thënë se janë aty vetëm për t’i mbështetur studentët. “Vijmë të mbështesim studentët për atë që kërkojnë. Ne kemi kauzën tonë, por sot kemi ardhur për këta”, tha një prej protestuesve të Unazës së Re. Ata gjithashtu kanë lëshuar thirrjen “Gjiknuri në burg!”, por më pas janë ndaluar nga studentët, të cilët u kanë kërkuar që të mos bëhen thirrje politike.

Engjëll Lushi: Kërkojmë tjetër gjë, nga ajo që publikon Rama

Edhe ditën e djeshme, studentët protestuan për realizimin e pikave të tyre dhe rrëzimin e Ligjit të Arsimit të Lartë. Studentët protestues, thanë për “Shekullin”, se janë mosbesues ndaj realizimit të këtyre pikave. Engjëll Lushi, student i Filologjikut, dega Gjuhë-Letërsi, tha se arsimi ka shumë probleme, me shumë se kërkesat e tyre, por këto pika që  kërkojmë duhet të ishin përmbushur me kohë. “Kemi gjithë këto vite që flitet për një Kartë Studenti, apo edhe për 5% të GDP-së për buxhetin e arsimit. Po ashtu unë jam këtu, edhe për një Veting në arsim, pasi shumë pedagogë nuk e meritojnë të jenë aty, ku ndodhen. Edhe pse kryeministri ka publikuar realizmin e pikave, ne mbetemi mosbesues, pasi duhet të miratohet dhe ne të kemi diçka zyrtare. Po ashtu ne duam përgjysmimin edhe të masterit, jo vetëm të bachelorit. Sepse në master nuk është se shtohet diçka, qoftë nga pikëpamja e librave, apo e kërkimit shkencor, që të justifikohet çmimi aq i lartë. Ndaj e shikojmë të arsyeshëm përjashtimin e masterit nga ulja e tarifave. Ligji është shumë abuziv që në themelimin e tij. Ne do të protestojmë dhe do lëmë bosh auditorët deri në plotësimin e kërkesave”, tha ai për “Shekullin”.

“Me tarifat aktuale të masterit favorizohet privati”

Marjana Koçenku studente  e Shkencave Politike, u shpreh se studentët kanë hartuar edhe një pikë tjetër, të cilët kërkojnë ta realizojnë. “Ne studentët kemi hartuar edhe një pikë të 10-të që i drejtohen kryeministrit. Pasi hartimit të pikës së 9-të, ku të gjithë studentët me aftësi të veçanta të kishin arsimin falas, i cili ekzistonte por nuk ishte zbatuar, me pikën e 10-të i drejtohemi Prokurores së Përgjithshme. Sipas kësaj pike, të gjithë përgjegjësit që abuzojnë me fondet, do të hetohen dhe do të ndiqen penalisht për t’i hetuar se ku shkojnë këto fonde. Po ashtu ligji i arsimit, po favorizon vetëm universitetet private, duke qenë se një vit master shkon 3 milion në shtet, të gjithë detyrohen të  shkojnë te privati. Kjo shkon vetëm në shërbim të partneriteteve publik private dhe për asgjë tjetër. Nëse në protestën tonë, ushtrohet dhunë, nuk ka më student, por përfaqësues të partive, të cilët përfitojnë nën lëkurën tonë”, u shpreh ajo për “Shekullin”.

Albina Ruko: “Nuk e njohim vendimin e tij, ka shtuar pika të paqena”

Albina Ruka studente e Shkencave Sociale, u shpreh se duhet të rrëzohet Ligji i Arsimit të Lartë. “Pikat që vendos Rama, si kriter mesatareje, apo gjysmë viti, janë të vetat, studentët duan komplet tjetër gjë. Për këtë arsye, ne nuk e njohim vendimin e tij. ndoshta nesër është afati i fundit i protestës, pasi masa largohet”, tha ajo për “Shekullin”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Shqipëri, narko shtet

Revista politike “Spiegel” raporton për sjelljen alarmante të qeverisë  socialiste në Shqipëri, me kryeministër Edi Ramën dhe ministër Lleshajn etj….

Abissnet