Spiralja e tatëpjetës

Adriatik Kelmendi

Si u bë që Kosova e humbi hapin dhe nga një shtet që u përkrah ndërkombëtarisht për të fituar lirinë dhe pavarësinë, tash po përballet me disfata të njëpasnjëshme në bashkësinë ndërkombëtare, nga Gjykata selektive Speciale, tërheqja e njohjeve, e humbja e respektit në sytë e partnerëve?

ENDE NUK KA asnjë, hiç asnjë, as të akuzuar, as të dënuar për masakrën ndaj familjes Jashari, familjes Deliaj, as ndaj masakrave të Izbicës, Mejës, Krushës, Gjakovës, Pejës, Rezallës dhe shumë e shumë të tjera në Kosovë.

Ende nuk ka asnjë të dënuar për mijëra përdhunime të kryera në Kosovë. Të gjitha këto krime e masakra janë kryer nën organizimin e strukturave të qarta hierarkike shtetërore të Serbisë. Nëse do të kishte një gjykatë, e cila do t’i ftonte të gjithë funksionarët serbë në strukturën shtetërore dhe ushtarake – siç po ndodh tash me ftesat për pjesëtarët e UÇK-së – atëherë sigurisht se do të gjendeshin edhe urdhërdhënësit dhe ekzekutorët.

Rreth 8.000 civilë dhe 2.500 shqiptarë të uniformuar janë vrarë gjatë luftës në Kosovë. Ende nuk ka drejtësi për ta! Është superselektive dhe poshtëruese metoda që ka zgjedhur Gjykata Speciale t’i trajtojë dyshimet e veta për krime të ndërlidhura me luftën. Çdo krim duhet gjykuar, mirëpo edhe drejtësi duhet të ketë për të gjithë.

Në Kosovë i kanë hyrë listës. E gjithë hierarkia e ish-UÇK-së, por edhe shumë qytetarë të tjerë, janë duke u ftuar për t’u marrë në pyetje, në cilësinë e dëshmitarit ose të dyshuarit. Pse të mos përdorej edhe një metodë e njëjtë edhe për krimet ndaj shqiptarëve? Nëse do të merreshin në pyetje, me një metodë të ngjashme, edhe ata që kanë pasur ndonjë lidhje me luftën në Kosovë nga strukturat e Serbisë, atëherë sigurisht se do të ndihmohej që të zbuloheshin edhe shumë nga krimet e tmerrshme që deri më tash nuk janë zbuluar.

Por, çka ndodhi? Si u bë që Kosova e humbi hapin dhe nga një shtet që u përkrah ndërkombëtarisht për të fituar lirinë dhe pavarësinë, tash po përballet me disfata të njëpasnjëshme në bashkësinë ndërkombëtare?

RASTI ME GJYKATËN selektive Speciale nuk është i vetmi. Gana është shteti i fundit, i cili njoftoi tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Teksa gjithçka shkoi sipas skenarit tashmë të parë, ku ministri i Jashtëm serb, Daçiq, publikon një dokument si letër “çnjohjeje, kurse homologu i tij kosovar, Pacolli, e quan atë gënjeshtër, megjithatë kësaj radhe nuk vonoi edhe konfirmimi i vetë qeverisë në Accra, dhënë mediave ndërkombëtare. Tash, sipas fjalëve të Daçiqit, ky është shteti i 16-të që vepron njësoj në vetëm dy vjetët e fundit. Me fjalë të Pacollit, asnjë shtet nuk e ka tërhequr njohjen. Mirëpo, kjo sigurisht ka të bëjë me politikën e strucit. Duke mos pranuar se ke problem, nuk mund ta zgjidhësh problemin.

SE KEMI PROBLEM e tregoi edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për ta futur në fuqi taksën 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja. Kryeministri Haradinaj e arsyetoi atë si kundërpërgjigje ndaj fushatës së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe bllokimin e anëtarësimit në organizata dhe institucione ndërkombëtare.

Ka pasur shumë debat se a ishte e drejtë kjo taksë, se a do të kishte efekt dhe si do të ndikonte në përgjithësi në fuqizimin e raporteve të Kosovës ndaj Serbisë, si dhe me bashkësinë ndërkombëtare. Ajo erdhi, pas dështimit që Kosova e pati për t’u anëtarësuar në Interpol. Mirëpo, cilat janë efektet reale? Përveç vetëdijesimit të konsumatorit kosovar për të mos blerë në masë prodhimet nga Serbia, si dhe një hapësire për disa prodhues të caktuar vendorë, në planin e jashtëm nuk pati ndonjë efekt, e në disa raste pati efektin e kundërt.

Kosova, shkaku i taksës, rrezikoi marrëdhëniet me partnerët e saj kryesorë strategjikë, si SHBA-ja, Gjermania e Franca, kurse as nuk u ndal fushata beogradase kundër pavarësisë. Edhe këtë vit Kosova as që mori mundin që të aplikojë për Interpol. Në anën tjetër, iu dha kohë e mjaftueshme presidentit serb, Vuçiq, për ta luajtur rolin e viktimës dhe për ta shmangur trysninë për njohjen e Kosovës.

SIÇ U THA, me dhembje të dhëmbit duhet drejtuar stomatologut dhe jo gjinekologut. Strategjia e politikës së jashtme e viteve të fundit e institucioneve të Kosovës nuk ka dhënë rezultate të duhura. Përkundrazi, ka çuar Kosovën me kokëfortësi prapa, duke e dobësuar dukshëm pozicionin e saj ndërkombëtar. Me veprime të njëjta s’mund të presim rezultate të ndryshme. Opozita e deridjeshme e di këtë. Duhet ta dijë edhe qeveria e nesërme. Riformatizim i tërësishëm i qasjes, në mënyrë që t’i ndalet hovi spirales së tatëpjetës./Koha/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet