
Siguria në plazh dhe rëndësia e një pike vrojtimi, flet për “Shekulli”-n Instruktori i Vrojtuesve të Plazhit, Studim Hysa
Briselda Hoxha
Roli i vrojtuesve të plazhit gjatë kësaj vere është më i rëndësishëm se sezonet e viteve të tjera, kjo për shkak të situatës që ka sjellë pandemia. Protokolli që duhet të zbatohet nga pushuesit dhe rregullat në kuadër të mbrojtës nga COVID-19, kanë nevojë për vëzhgues në bregdet nga i cili marrin këshillat e nevojshme që t’i zbatojnë ato.
Siguria
Instruktori i vrojtuesve të plazhit, Studim Hysa, thotë për “Shekulli”-n se protokolli është i ngarkuar dhe ka shumë rregulla por vrojtuesit po japin maksimumin. Sipas tij, zonat e bregdetit që kanë vrojtues plazhi janë më të qeta, pasi përveç ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë në plazh, detyrë tjetër e një vrojtuesi këtë sezon është edhe verifikimi i respektimit të masave dhe ruajtja e distancës, gjithashtu edhe dhënia e këshillave të nevojshme për pushuesit. “Në zonat ku ka vrojtues plazhi respektohet protokolli pasi ky i fundit jep këshillat e nevojshme për qytetarët dhe gjithashtu ruan sigurinë, mirëpo ka vende që nuk ka një vrojtues plazhi dhe kjo është problem pasi këtë vit, është dyfish e nevojshme prezenca e tyre në plazhe, kjo për faktin se vrojtuesi ka përgjegjësi për t’u siguruar që po zbatohen rregullat.”– shprehet Hysa.
Rregullat
Hysa thotë se janë shumë rregulla të vendosura por pushuesit janë sensibilizuar shumë pas kësaj kohe pandemia që kaluam e po kalojmë dhe ndërkohë e dëgjojnë fjalën e një vrojtuesi të plazhit, duke krijuar një komunikim të vazhdueshëm me të dhe duke kërkuar e marrë këshilla nga ai. ” Kjo gjë ka edhe vështirësi pasi njerëzit nuk janë mësuar me kaq shumë rregulla, por roli i vrojtuesit të plazhit është t’i këshillojë, t’i drejtojë, t’u tregojë vendin e notimit se ku është zona e sigurtë pasi ka rreziqe dhe shumica e personave e dëgjojnë fjalën e një vrojtuesi pasi e shohin si një ‘hero’ që shpëton jetë.”– thotë Hysa.
Instruktori sugjeron dhe këshillon të gjithë pushuesit që do të frekuentojnë plazhet shqiptare, të shkojnë në ato vende që kanë vrojtues plazhi pasi aty ka siguri. “Të gjitha plazhet që kanë një pikë vrojtimi dhe që shikohet një person i veshur me uniformë, ta dinë që janë në një vend të sigurtë.”– thotë ai.
Hysa shtoi se, duke parë nevojën e bregdetit shqiptar për të pasur pika vrojtimi sidomos në këtë kohë pandemia ku kontrolli duhet të jetë më i lartë dhe siguria që duhet krijuar duhet të jetë me e madhe, aktualisht po realizohen trajnime për vrojtues plazhi.
Shërbimet në stacionet e plazhit
- Deri në përfundim të gjendjes së epidemisë së shkaktuar nga infeksioni COVID19, vrojtuesi i plazhit gjatë gjithë orarit të shërbimit duhet të jetë i pajisur me maskë dhe doreza profesionale.
- Vrojtuesi i plazhit, përveç detyrave të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 171, datë 27.03.2019 Për miratimin e rregullores “Për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së stacionit të plazhit”, duhet të sinjalizojë menjëherë personat që shkelin distancën e larjes në det apo distancat gjatë qëndrimit në hapësirën e lirë midis brezit të parë të çadrave dhe vijës së bregut të detit, liqenit, lumit.
- Stafi që shërben pranë stacioneve të plazhit të ketë uniformë dalluese dhe të shërbejë me maska dhe doreza.
- Shërbimi për pastrimin dhe mirëmbajtjen e stacionit të plazhit dhe të gjitha ambienteve të tjera të jetë ditor, në mëngjes dhe në mbrëmje pas mbylljes së plazhit.
- Të kryhet dezinfektimi i krevateve të plazhit, shërbimeve higjienike dhe aksesorëve të ndryshëm në mënyrë periodike, gjatë orarit të hapjes së stacionit të plazhit duhet të sigurohet vazhdimësia e pastërtisë dhe boshatisja e koshave të mbeturinave.
- Të gjitha aktivitetet si (bare, beach bare) duhet të jenë në përputhje me direktivat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në lidhje me distancat e nevojshme midis personave, gjithashtu të vendosen panele pleksiglasi në vendet ku kryhen pagesat.
- Të kufizohet numri i personave në katër për ҫdo dhjetë metra katrorë.
- Të ruhet një distancë prej tre metrash midis personave gjatë notimit.
Distanca
- Gjatë larjes në det, respektoni distancën 3 m larg nga njëri tjetri, me përjashtim të rastit kur prindi kujdeset për fëmijën e mitur
- Në tavolinat në beach bar mund të qëndrojë vetëm një person ose më shumë persona, kur bëhet fjalë për anëtarët e një familjeje, si dhe fëmijët e mitur
- Në marrjen e shërbimeve në ambientet e stacionit të plazhit, respektoni gjithmonë distancën 2 m larg nga njëri tjetri
- Ruani gjithmonë distancën edhe gjatë shëtitjeve në plazhe, bregun e detit, liqenit, lumit apo përgjatë shëtitoreve.
Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/
Leave a Reply