Shtyrja e mësimit për dy javë, Ministria e Arsimit jep tre njoftime të rëndësishme

Pas marrjes së vendimit nga Komiteti i Ekspertëve për shtyrjen e procesit mësimor deri në tre prill, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, Ministrja Besa Shahini përmes komunikimit në video-mesazh ka dhënë tre njoftime të rëndësishme.

Njoftimi i parë lidhet me transmetimin e leksioneve tek RTSH, te kanali Youtube i MASR, si dhe te platforma Akademi.al. “Transmetimi do të vijojë njëlloj si këto 2 javët që lamë pas. Do të mbyllim dhe do të mbulojmë lëndët që kanë të bëjnë me shkencat, me matematikën dhe me gjuhë-letërsinë për klasat 1-12. Ky është fokusi edhe për javën e 3-të të punës nga shtëpia, ndërsa për javën e 4-rt po shohim mundësinë që të përfshimë leksione edhe nga gjuhët e huaja, historia dhe gjeografia. Por për këtë, ju njoftojmë në vijim”, ka thënë Shahini. Po ashtu Besa Shahini shprehet se oraret e transmetimit në RTSH nuk ndryshojnë. Ato janë: 10:30 dhe ora 18:00, si dhe orari i transmetimit të leksioneve për maturantët në orën 13:30-14:30.

Ndërsa, njoftimi i dytë i rëndësishëm i Ministres Shahini ka të bëjë me provimet kombëtare. Në lidhje me këtë çështje ajo thotë:

“Shkollat janë të mbyllura, por ne mësimin po e vazhdojmë. Sot që flasim, kemi diku tek 90% të nxënësve që janë në komunikim direkt me mësuesit e tyre. Ndoshta jo komunikim ditor, por komunikim i rregullt që të marrin instruksionet që duhet t’i bëjnë në shtëpi, detyrat e shtëpisë që duhet t’i bëjnë. Ndaj, nuk ka ende arsye të mendojmë që provimet kombëtare nuk do të mbahen. Ju duhet të planifikoni që provimet kombëtare do të mbahen sipas planit që kemi bërë deri tani”, dhe thekson faktin se për t’u ardhur në ndihmë nxënësve, MASR ka nxjerrë dy udhëzues me modele pyetjesh, si për maturantët ashtu edhe për nxënësit e klasave të 9-ta, që të ushtrojnë sa më shumë që të jetë e mundur me llojet e pyetjeve që do t’i kenë nëpër provime dhe të thellojnë njohuritë e tyre për të gjitha lëndët që mund të jenë në provimet të cilat do t’i bëjnë në fund të vitit shkollor.

Njoftimi i tretë i Ministres Shahini lidhet me vlerësimin e njohrive të nxënësve. “Edhe kjo është një pyetje që na ka ardhur si nga mësuesit ashtu edhe nga nxënësit. Pyesin se si do të vlerësohen ata në fund të periudhës së dytë, që është tani, periudhës së dytë të këtij semestri, si dhe si do të vlerësohet puna që po bëhet online nga shtëpia” – thotë ajo.

“Nesër apo pasnesër, ne do e mbyllim udhëzuesin për të gjithë mësuesit dhe mënyrën se si do të vlerësohet puna e nxënësve gjatë këtyre javëve që kanë punuar nga shtëpia. Vlerësimi do të ketë dy elemente. Është elementi i pjesëmarrjes, pra nxënësi do të vlerësohet me pjesëmarrjen e vet sipas parashikimeve të mësuesit dhe sipas kushteve që ka; dhe e dyta, nxënësi do të vlerësohet edhe me njohuritë që i ka fituar gjatë kësaj periudhe” tha Shahini.

 

 

 

 

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Shekulli"
mjafton të klikoni: Join our FB Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.

KOMUNITETI SHEKULLI ONLINE: https://www.facebook.com/groups/1381242728701899/



Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Të tjera

Abissnet